Formalizimi i ekonomisë përmes pagesave nëpërmjet bankës

Formalizimi i ekonomisë përmes pagesave nëpërmjet bankës

92
0
Shares

AVNI PONARI

Formalizimi i ekonomisë fillon përmes transaksioneve bankare. Ky është çelësi i çdo ekonomie të formalizuar. Sa dhe si bëhet kjo, tregon edhe nivelin e formalizimit të saj.

 

Por, sa dhe si është përgatitur Shqipëria për të kryer këto transaksione?

 

Kjo analizë kërkon shumë punë, por e parë nga këndvështrimi im mendoj se ka shumë për të bërë. Dhe nëse i drejtohemi këtij lloj shërbimi, pyetja e parë është: Çfarë lehtësirash ka sistemi bankar në Shqipëri?

Sot, mbi 90% e shqiptarëve paguajnë vetëm cash dhe jo me banka.

Sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë, rezulton se përdorimi i parave cash nga shqiptarët është në masën mbi 90% në dyqanet e mallrave të konsumit dhe shërbimet utilitare si pagesat e faturave dhe detyrimeve, dhe në masën mbi 70% për pagesat në hotele dhe agjenci udhëtimi.

Arsyet e përdorimit kaq shumë të parasë cash lidhen me faktin se qytetarët shqiptarë mendojnë se pagesa cash është më praktike dhe nuk ka shpenzime ekstra, por nga ana tjetër shpreh një lloj mosbesimi dhe njohje ndaj transaksioneve të tjera përveç cash-it. Argumenti më kryesor dhe më i përhapur në popullsi për mospërdorimin e instrumenteve të tjera të pagesave është fakti se shumë konsumatorë e lidhin përdorimin e tyre me kosto shtesë, pra, pagesat jo-cash që kryhen nëpërmjet sistemit bankar konsiderohen si më të kushtueshme.

Për rrjedhojë, qytetarët zgjedhin mënyrën më pak të kushtueshme për të kryer pagesat për shërbimet që atyre u nevojiten dhe që është pagesa me para në dorë.

Disa ekonomi të përparuara dhe të mëdha në botë po shkojnë drejt ekonomive jo-cash, siç është Suedia, që po bëhet një nga shoqëritë më jo-cash në botë dhe Kina ku kompanitë “Baidu” dhe “Alibaba” po kërcënojnë seriozisht themelet e sistemit të pagesave cash nëpërmjet bankave në Kinë.

Në rastin e Shqipërisë, ritmi i zhvillimit drejt ekonomisë jo-cash mbetet i ulët dhe ekonomia gjendet aktualisht midis Revolucionit të Tretë dhe të Katërt Industrial. Aktualisht, Shqipëria ballafaqohet me një nivel shumë të ulët të kulturës financiare, ku përdorimi i parasë cash te qytetarët është i ngulitur thellë dhe duhet punuar shumë që të çrrënjoset ky mentalitet i vjetër.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i kartave bankare ka shënuar nivelin 940 mijë ose e thënë ndryshe 41% e popullsisë së punësuar shqiptare zotëron një kartë bankare. Kjo është njëra anë e medaljes, por cila është ana tjetër? Faktet tregojnë që 91% e këtyre kartave janë karta debiti (që lidhen me llogaritë rrjedhëse të individëve) dhe përdoren vetëm për të tërhequr para cash (rrogën) nga bankomati. Nga mbi 200 miliardë lekë veprime me karta në vit, mbi 92% janë tërheqje cash. Po të shohim çdo fundmuaj, terminalet ATM të bankave (ato pak që janë) janë të populluara nga qytetarë që presin të tërheqin rrogën e tyre. Ndërkohë që në vende të zhvilluara, kartat janë pjesë e jetës së përditshme dhe përdorimi i tyre është i konsoliduar, në ekonomi të reja në zhvillim si kjo e jona, përdorimi i tyre është në nivele primitive, nëse do ta quajmë kështu. Shqipëria është i vetmi vend në rajon, i cili ka numrin më të vogël të POS, ATM-ve, e-banking, kartave të kreditit dhe kartave të debitit. Rrjedhimisht ka edhe numrin më të ulët të transaksioneve bankare. Por çfarë faktorësh ndikojnë në përdorimin e parave cash në vend të transaksioneve bankare? Përse shqiptarët përdorin në masë vetëm paratë cash, qoftë në dyqane, kafene, restorante, në rrugë, në spitale, në pagesën e faturave të energjisë, ujit apo taksave shërbimeve të sigurimit dhe për çdo shërbim tjetër?

Komisionet bankare tepër të larta për transfertat bankare (2%-3%) është një nga motivet kryesore që bën shqiptarët të përdorin paratë cash dhe jo transfertat bankare. Komisioni e POS-eve tepër të larta në masën 1,8 – 3,5%, çka sërish nuk favorizon përdorimin e transfertave bankare.

Komisionet e larta edhe për tërheqjen cash pranë ATM-ve. Disa prej bankave në Shqipëri mbajnë komision edhe për pagat, komision i cili për pagat e vogla ndikon në xhepin e qytetarëve dhe bën që ai/ajo të përdorë më mirë paratë cash sesa POS-et e bankave.

Përveç komisionit të lartë që banka mban për transaksionet që çdo individ apo biznes kryen, edhe konvertimi i parasë është një tjetër faktor. Kjo, sepse kur bën pagesën me lek shqiptar në banka, shumë prej tyre ta kthejnë në euro, pa marrë aprovimin nga personi përkatës. Çudira Shqiptare!

Shërbimi që ofrohet nga bankat në rastet e transaksioneve bankare nuk është shumë efikas. Shumë banka, të cilat ofrojnë pagesat me kartë për blerjet online, për bileta avioni apo prenotim pushimesh, kërkojnë një aprovim nga përdoruesi i kartës, nëpërmjet telefonit të tij personal. Por kjo bëhet jofunksionale në rastet kur personi është në terminalet e aeroporteve, në fluturim apo në vende ku aparati i telefonit duhet të jetë i fikur. Në raste të tilla, transaksioni bankar nuk mund të realizohet dhe banka bllokon kartën.

Por çfarë duhet të bëjmë që të kalojmë nga një ekonomi cash në jo-cash?

Natyrisht, që ekonomia jo-cash ka përfitime në aspektin ekonomik familjar apo edhe të biznesit. Pagesat nëpërmjet sistemit bankar, nëpërmjet të gjitha kanaleve që ata përdorin, online ose jo online, kursen kohë dhe eliminon radhët e gjata, ul kostot për tarifat e shërbimit dhe shpenzimet e tjera financiare dhe bën që të gjithë të ndihemi komodë e më të sigurt, kur udhëtojnë apo dhe shpenzojmë gjatë blerjeve.

Gjithashtu, qeveria dhe tatimpaguesit e kanë më të lehtë të mbledhin detyrimet tatimore, sepse me pagesat cash, qoftë indididët, qoftë bizneset mund të shmangin deklarimin e të ardhurave, ndërsa pagesat nëpërmjet bankës të detyrojnë që të deklarosh të ardhurat dhe në këtë mënyrë shkojmë drejt një ekonomie më të formalizuar.

Duhet të bëhen hapa konkretë dhe incentiva qoftë nga shteti, por edhe nga vetë bankat. Këto të fundit duhet të rishikojnë komisionet dhe t’i zerojnë për shumicën e shërbimeve siç ndodh në shumë vende të zhvilluara të botës, madje këto të fundit ofrojnë edhe bonuse, nëse bën blerje me kartë dhe nuk ke komisione.

Për shërbimet e tjera, bankat duhet të marrin në konsideratë direktivat e Bashkimit Europian, që kanë vendosur vlera tavan për komisionet e aplikuara, për kartat e debitit në masën 0.2% dhe për kartat e krediti në masën 0.3%. Këto nivele janë minimalisht 10 herë më të ulëta se ato që aplikohen aktualisht nga bankat në Shqipëri.

Nga ana tjetër, shteti duhet të ndërhyjë me miratimin e ligjit për shërbimet e pagesave, i cili jo vetëm që do të nxisë transparencën dhe do të mbrojë më shumë konsumatorin, por edhe do të nxisë konkurrencën dhe inovacionin, duke çuar në një shërbim gjithmonë e më cilësor për konsumatorët dhe, çka është më e rëndësishmja, edhe në një shërbim më pak të kushtueshëm.

Zhvillimet infrastrukturore duhet të jenë një tjetër pikë e rëndësishme për t’u parë nga ana e bankave, me qëllim eliminimin e radhëve dhe kohës së stërzgjatur për kryerjen e pagesave.

Zgjerimi i POS, sidomos në sektorët strategjikë të turizmit dhe bizneseve; Vendosja e terminaleve të pagesës pranë njësive të biznesit u jep mundësi individëve, por dhe bizneseve, të kryejnë pagesa me kartë; Rritja e numrit të kartave të parapaguara, por edhe rritja e sigurisë për transaksionet bankare, në mënyrë që qytetarët të ndihen të sigurt kur paguajnë me kartë, nxit reduktimin e përdorimit të parasë cash nga qytetarët.

Reduktimi i parasë cash mund të nxitet edhe nga ofrimi i stimujve konsumatorit që të përdorin pagesat elektronike, si p.sh zerim komisionesh apo bonuse të ndryshme për pagesën ose blerjen e radhës online.

Të gjitha këto do të ndikojnë seriozisht në uljen e përdorimit të parasë cash dhe në uljen e evazionit fiskal.

Të mos harrojmë se një nga faktorët që ndikoi në daljen nga recensioni të Greqisë pas një periudhe 8-vjeçare ishte pikërisht formalizimi i ekonomisë, duke ulur përdorimin e parasë cash dhe rritjen e transaksioneve bankare.

Për një periudhë 2-vjeçare (2015-2017) numri i transaksioneve bankare në Greqi u rrit me 285%; përdorimi i internetit, celularit, e-banking dhe sistemit të pagesave automatike dhe terminaleve POS pati një rritje disashifrore. Nga ana tjetër, edhe për bizneset u ofruan pagesat e menjëhershme nëpërmjet aplikacionit nga celulari, duke përdorur si përdorues numrin e identifikimit të personit tatimor NIPT.

Edhe përdorimi i kodeve QR nga celulari dhe aplikacionit “MyBank” patën një rritje me 350%. E gjitha kjo pati një ndikim shumë të madh në formalizimin e ekonomisë së Greqisë, uljen e evazionit fiskal dhe daljen nga recensioni.

Nëse edhe ne do të ndjekim të njëjtën strategji si fqinji ynë, do të ndiheshin efektet në ekonomi në mënyrë të menjëhershme.

Dhe si përfundim: A ka dikush një program të qartë se si do të punohet që cash-i të shkojë drejt zvogëlimit të përdorimit dhe iniciativa botërore cash–less të bëhet objekt i transaksioneve në Shqipëri?

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY