AGRON GJEKMARKAJ/Presidenti Tramp ndërmjet Niko Peleshit dhe Xhelal Mziut!

AGRON GJEKMARKAJ/Presidenti Tramp ndërmjet Niko Peleshit dhe Xhelal Mziut!

65
0
Shares

Lëre mos e nga, Tramp fitoi zgjedhjet në SHBA, por ende trajtohet si “kulak” me biografi të keqe këtu në katundin tonë. Të mërzitur që votuesit amerikanë i thyen zëmrën Edi Ramës, ndoca duan t’i vënë pak melhem mbi plagët e shpirtit, të cilat “kullojnë” ende nga ai qamet. Përpjekje “fisnike” për të ndarë veprimin “e drejtë” nga “fati i keq”. Një ngjarje e madhe botërore si zgjedhjet e atjeshme prodhon pa fund lajme dhe kuriozitete. Mediat anembanë globit merren me detaje e ngjarje nga jeta e Presidentit të ri, nga ajo e gruas dhe fëmijëve, ose nga vetë procesi elektoral.

Ajo çka bën përshtypje është fakti se enturazhi propagandistik i Kryeministrit tonë çdo ditë peshkon lajme të çuditshme mbi shefin e ri të Shtëpisë së Bardhë, sa habitet mileti me këtë zell të pasosun. Eposi ynë mbetet frymëzues! A nuk këndohej “trim mbi trima ky Gjergj Elez Alia”? Koha erdhi për refrenin e ri “trim mbi trima ky Edi Rama”! Të dy u ndeshen me “Bajlozë”! Gjergji për të motrën, Edi për Shqipërinë!

Kështu gjindja nuk merret shumë se çfarë thotë BBC për drogën, deputeti gjerman për integrimin, opozita për koncesionet, por shtyn kohën me Ivankën dhe Melaninë. Me gjasë duan të krijojnë një shtjellë mjegulle, një si perde mbi gjykimin e qytetarëve. Kështu së brendshmi gafa e rëndë e Kryeministrit, justifikohet, amortizohet si për të thënë “e mirë, mirë Trampi fitoi, po Rama nuk e kishte krejt gabim” kur u hakërrye nga zemra e kontinentit të ri, duke paralajmëruar botën për zezonën që i vërtitej mbi kapak të kresë!

Një ditë zhduket e më pas shfaqet në mënyrë ciklike një deklaratë e Tramp për të bijën, vendin ia zë tjetri për Melaninë. Medet! E ç’të mendojë njerëzia për një lajthitje kësodore? Jemi apo nuk jemi shqiptarë sederlinj e namuzqarë? Ndaj të nënkuptuarit na thotë të mbajmë qëndrim dhe ta gjykojmë në ndërgjegjen tonë Trampin si një birbo që na ka zënë derën dhe t’i themi nga halli “derrit dajë”! Fotografitë e tij me bulçinj të fryrë mezallah se zëvendësohen me të tjera.

Pasi i bëmë fushatë kundra, pasi nuk donin të besonin se fitoi, pasi fitoi, duan t’i rinumërojmë edhe votat këtu në Tiranë më shumë se kudo tjetër, duke i qarë hallin Amerikës se ne në rregull jemi, asgjë nuk na prishet. Punëtoret e palodhur të propagandës kanë bërë hazer edhe variantin tjetër gjatë kësaj periudhe pezullie që sjell tranzicioni në Uashington. Atë të “ngjashmërisë” së Ramës me Trampin, si çuna lagjeje që hanë fara lule dielli.

Nuk mungojnë skenarët sesi Tramp do të magjepset nga Kryeministri ynë, se si do t’i kënaqet shpirti nga barsaletat që do t’i rrëfejë e plot të tilla hipoteza si tas me sherbet për midenë e tharë nga stresi. E pastaj do të bëhen vëllamë, duke ia plasur xhanin Lulzim Bashës, Sali Berishës e ndoshta edhe Ilir Metës, nëse nuk merr vendimin e duhur në konventë! Fitorja e Trampit, për meritë të Edi Ramës që u përzie në fushatën e atjeshme elektorale, i ndau shqiptaret përgjysmë. Mbështetësit e Ramës u mërziten, aq sa filluan të mendonin se Enver Hoxha e dinte mirë si i do mushka drutë!

Populli opozitar u gëzua me shpresë si në vitin 1945-n se do të zbarkonin anglo- amerikanët! Frika dhe gëzimi kacafyten gjate këtyre javëve në mexhlisin e politikes shqiptare. Përleshja shfaqet në forma tepër bixarre. Pas ankthit të parë, trazimit dhe pasigurisë eksponentët e “Rilindjes” e mblodhën veten dhe e pranuan Trampin si President të SHBA-ve në aspektin formal, ia bënë këtë nder me zemërgjerësi. Madje, vetë Niko Peleshi, burrë i matur dhe fjalëpakë, befasoi të madh e të vogël duke e shpjeguar e shkoqitur fenomenin si kurrkush me metoda bashkëkohore, frut leximesh të thella në histori, filozofi, sociologji, politologji, komunikim publik e rrjetesh sociale.

Peleshi ia fal Trampit disa rrëshqitje dhe i shtrin dorën për bashkëpunim si tregtar i mirë korçar. Në njëfarë mënyrë ai gjen te fushata e Trampit indirekt fushatën e Edi Ramës, duke ndërtuar një ngjashmëri të lakmueshme mes të dyve. Ndaj edhe kush u gëzua para kohe, do të mërzitet së shpejti e kush u mërzit shpejt, nuk do t’i kursehet gazmendi së afërmi. Por ai që ia beri fora në këtë mesele ishte Xhelal Mziu, kryetari i bastionit demokrat të Kamzës që “rrfe as mot nuk e ka dërrmue”.

Ndoshta duke gjykuar se vatanit po i bëhet qeder i madh me sjelljen e Edi Ramës ndaj Trampit, vendosi t’i vërë supin fatit që po rrokullisej si ortek në honet e shejtanit. Mblodhi Këshillin Bashkiak dhe o sot, o kurrë! E shpalli Donald Trampin “Qytetar Nderi” të qytetit mbushur me rrugë që mbajnë emra madhështorë. Kështu zuri bashin e vendit në disa gazeta të rëndësishme në botë, i qeshur, shend e verë dhe me dy gishtat lart.

Këndej, siç e do zakoni, filluan hokat e qesënditë, por Xhelali mori vëmendje sa Kryeministri në zemrën e lënduar të Presidentit amerikan. Një gjë mund ta themi duke perginjur gaz, Mziu u tregua më i dobishëm dhe më inteligjent se Edi Rama. Ai bëri një akt që nuk shkakton dëm në rastin më të keq, përkundrazi. Nuk dihet si i ka pritur Trampi këto zhvillime në Tiranë, për kë është emocionuar më shumë, për analizën e Nikos, apo për motivacionin e certifikatës së Xhelalit, duke i marrë kohën e vyer Presidentit të zënë me andrallat e stafit të ri.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY