DOSJA/ Atentati te “1 Maji”, flet e mbijetuara: Ia paskan hapur kokën...

DOSJA/ Atentati te “1 Maji”, flet e mbijetuara: Ia paskan hapur kokën asaj vajzës dhe ai djali po dridhet

63
0
Shares

Image GalleryEda Gjura, e mbijetuara e atentatit të ndodhur një vit më parë në lulishten “1 Maji”, në Tiranë ka shpjeguar para hetuesve të çështjes momentet kur drejt makinës ku ajo ndodhej së bashku me tre miqtë e saj, i derdhën breshëri plumbash.
“Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë vendimin e plotë të Gjykatës së Tiranës, si dhe deklarimet e dëshmitarëve të tjerë.
Më 1 tetor të vitit të shkuar, viktimë e ngjarjes së rëndë mbetën Aurora Oskian dhe Kevin Rugova. Ndërsa u plagos lehtë në krahun e djathtë Elvis Gaçaj, i cili rezultoi të ishte edhe objektivi i këtij atentati. Për këtë ngjarje u shpallën fajtorë Sael Sulaj dhe shoku i tij, Vasiel Çavo.
Një muaj më parë, togat e zeza të kryeqytetit dënuan me burg përjetë Sael Sulajn dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 35 vite burg.
Ndërsa, bashkëpunëtori i tij, Vasiel Çavo u dënua me 30 vite burgim dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 20 vite burg.
Sipas autorëve, shkaku i konfliktit mes tyre ishte sepse disa muaj para ngjarjes, Gaçaj u kishte propozuar që të punonin për të, për të shpërndarë drogë, hashash, në zonën e Tiranës së Re dhe Kompleksin Sportiv “Dinamo”. Dy të pandehurit nuk kanë pranuar, ndërsa Gaçaj i kishte dhunuar.
Ndërsa, Elvis Gaçaj u gjykua i veçuar nga dy të pandehurit, të akuzuar si autorë të masakrës. Ai u dënua me 3vjet e 4 muaj burg për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”. Sipas gjykatës, ai është zotëruesi i një sasie prej 3.8 gr kokainë, e sekuestruar në banesën e viktimës Rugova pas ngjarjes. Origjina e lëndës narkotike u sqarua nga Kristjana I., e cila u gjet e mbyllur në banesën e Rugovës. Ajo shpjegoi para hetuesve se bashkëjetonte me Rugovën që prej gjashtë muajsh. Sipas saj, kokaina i ishte dhënë Kevinit nga Elvis Gaçaj, pasi Kevini ishte përdorues i kësaj lënde narkotike.

Eda Gjura
Eda Gjura ishte dëshmitare në vendngjarje, e cila ka shpjeguar se gjatë pasdites së datës 01. 10. 2015, ka qenë në shoqërinë e shoqes së saj, Aurora Oskian dhe shtetasve Kevin Rugova dhe Elvis Gaçaj dhe kanë lëvizur me automjetin “BMË” të këtij të fundit. Ajo ka shpjeguar tërë itinerarin e lëvizjes deri në kohën kur parkuan makinën pranë lulishtes “1 Maji” dhe janë ulur në një lokal për të darkuar.
Rreth gjysmë ore më vonë, ata janë ngritur dhe kanë hipur në makinë. Sapo mjeti ka lëvizur, Eda ka dëgjuar disa të shtëna arme dhe instinktivisht është ulur për t’u mbrojtur.
Pas pak sekondash, ka ngritur kokën dhe ka parë që Elvisi nuk ishte në timon dhe ka dëgjuar nga një zë gruaje që kalonte aty pranë që thoshte:
“Ia paskan hapur kokën asaj vajzës dhe ai djali po dridhet”.
Deklaruesja pohon se gjatë kohës së goditjes me armë zjarri, ajo nuk e kishte parë se kush kishte qëlluar dhe as nuk kishte dijeni se kush mund ta kishte bërë këtë veprim.

Elda Sulaj
E pyetur si person që mund të kishte dijeni për krimin e kryer ka qenë edhe shtetasja Elda Sulaj, nëna e Sael Sulajt. Ajo ka shpjeguar se më 01. 10. 2015, rreth orës 19:40, ka qenë në shtëpinë e saj, kur ka dëgjuar krisma arme.
Fillimisht ka menduar se ishin fishekzjarrë, por kur ka parë që ato nuk ndalnin, ka menduar se ishin breshëri arme që vinin nga poshtë pallatit. Sapo kanë mbaruar të shtënat, ka dalë në dritare dhe ka vënë re që kishte tym dhe pluhur. Ka zbritur poshtë pallatit për të parë, ku ka konstatuar shumë vetë dhe sakaq i ka telefonuar Saelit në celular, ai i ka thënë se ndodhej te “Zogu i Zi”.
Ajo shpjegon se rreth 20-30 minuta para se të ndodhte ngjarja, Saeli ka shkuar në shtëpi dhe i ka thënë që të fuste brenda një bluzë me kapuç dhe mëngë të gjata. Bluza ishte sintetike, ngjyrë gri me dy sy si të maçokut para. Pas kësaj, ai ka dalë sërish dhe më vonë kanë nisur krismat. Ndërkaq, kur Saeli ka sjellë këtë bluzë, kishte veshur një tjetër bluzë, të cilën e ëma nuk ia kishte parë më parë.
Po kështu, ajo shpjegon se Saeli ka pasur të veshur një bluzë të zezë me të kuqe në pjesën e parme dhe 20 minuta pasi policia ka shkuar te shtëpia, ajo i ka telefonuar Saelit në numrin e telefonit 067xxxx794.
Telefoni ka qenë i fikur, por ajo i ka telefonuar dhe disa herë të tjera dhe telefoni i ka dalë i fikur. Rreth orës 23:00, ajo sqaron se Saeli ka telefonuar në numrin fiks të shtëpisë dhe i ka thënë se do qëndronte te një shok i quajtur Hermes dhe se i kishte mbaruar bateria. Për telefonata, ai i ka thënë të ëmës që ta merrte te numri celular 069xxxx024.

Maksim Abazaj
Maksim Abazaj ka treguar se ka qenë duke shëtitur qenin e tij para pallatit dhe gjatë kësaj kohe ka vënë re një djalë rreth 180 cm shtatlartësi, i dobët, i veshur me xhup të errët me kapuç në kokë, të cilit ai nuk ia pa dot fytyrën dhe ka kaluar më pas nga krahu tjetër i pallatit.
Pas pak minutash, aty kanë kaluar dy çifte të rinjsh, që janë drejtuar për te një automjet “BMË” dhe pasi kanë hipur në makinë, ai ka qenë rreth 7m larg makinës. Pasi ka kaluar rreth një minutë nga koha kur të dy çiftet hipën në “BMË”, ai ka dëgjuar të shtëna të forta, për të cilat ka menduar se ishin fishekzjarrë dhe është kthyer për të parë, pasi ka menduar se këto fishekzjarrë vinin nga makina.
Aty ka vënë re që nga sheshpushimi i pallatit, një person i veshur me xhup me kapuç të errët mbante me të dyja duart një armë të gjatë dhe nga tyta dilte flakë e të shtënat ishin breshëri. Aty ka dëgjuar të bërtiturat e një femre dhe ka parë që makina po ecte ngadalë mbrapsht derisa është përplasur me një tjetër mjet.
Personi që kishte qëlluar me armë drejt makinës ka zbritur nga sheshpushimi dhe është larguar me vrap drejt rrugës “Gjin Bua Shpati”. Ndërsa autori ka ikur me vrap, shoferi i “BMË”-së ka hapur derën dhe është larguar me vrap në drejtim të krahut tjetër të pallatit, pa u dhënë ndihmë atyre që kishin mbetur në makinë.
Vetëm pas pak sekondash, nga drejtimi i rrugës “Gjin Bua Shpati” vjen me vrap i njëjti person, me të njëjtën veshje dhe me të njëjtën shtatlartësi. Ky shtetas mbante në dorë një send të gjatë të mbështjellë me ngjyrë të kuqe dhe është larguar me vrap në drejtim të personit që doli nga mjeti “BMË”-ja. Gazeta Shqiptare
 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY