DOSJE & EMRA/ Na 13 ministra të qeverisë së pasluftës, 9 kishin...

DOSJE & EMRA/ Na 13 ministra të qeverisë së pasluftës, 9 kishin qenë anëtarë të Partisë Fashiste

105
0
Shares

Nexhmije Hoxha nuk ishte e vetme ndër liderët komunistë që kanë qenë anëtarë të Partisë Fashiste. Fakti i panjohur bëhet i ditur nga hulumtimet e historianit Kastriot Dervishi për raportet e panjohura të gruas së Enver Hoxhës me regjimin fashist. Në rrëfimin për gazetën “Panorama”, ndër të tjera ai zbulohen emrat e mjaft prej bashkëpunëtorëve të diktatorit komunist, që jo vetëm kanë milituar në Partinë Fashiste, por edhe kanë përfituar në mënyra të ndryshme nga administrata e atij regjimi.
“Nga 13 ministra që kishte qeveria e parë e Enver Hoxhës pas luftës, saktëson Dervishi, nëntë prej tyre kishin qenë anëtarë të Partisë Fashiste”.
Çuditërisht, të dhëna të tilla, sipas ish-drejtorit të arkivit të Ministrisë së Brendshme, janë hequr nga dosjet e arkivit të Partisë dhe administroheshin nga kreu i saj, që i përdorte sipas rastit në fushatat spastruese, të cilat ricikloheshin herë pas here.
Interesante në rrëfimin e Dervishit janë një mori shkresash e dokumentesh që konfirmojnë anëtarësinë e Nexhmije Hoxhës në radhët e Partisë Fashite dhe përfitimet që ka pasur nga ky fakt nga administrata fashiste se e ka shkolluar në një nga institucionet më në zë të kohës në Tiranë dhe që e ka punësuar mësuese në kryeqytet në vitet e luftës…
“Dokumente të tilla mbi të kaluarën e njerëzve të partisë ka shumë. Bashkë me dosjet ku ruheshin dokumentet e Nexhmije Hoxhës ishin edhe ato të personave të tjerë. Madje jo vetëm për udhëheqës të lartë, por edhe për njerëz që shërbenin pranë Enver Hoxhës dhe kishin të kaluar fashiste. Përtej kësaj, dokumentacioni i kohës ruan edhe një mori letrash anonime në adresë të personave me të kaluar ‘të dyshimtë’. Lidhur me verifikimin e tyre rëndom angazhoheshin organet e specializuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo punë ka vazhduar gjatë.
Me produktin e saj, shumë herë delikat, njiheshin vetëm krerët e lartë dhe materialet rezervoheshin në dosjet sekrete. Rihapja e tyre është vërtet interesante, jo vetëm për faktet e panjohura, por edhe për komprometimin e disa prej protagonistëve të lëvizjes komuniste në Shqipëri. Të marrim një rast që ka për objekt Qemal Stafën. Një shkresë e datës 20. 02. 1967 e kryetarit të Degës së 4-t të Drejtorisë së Parë të Sigurimit, ndër të tjera nënvizon faktin se Qemal Stafa kishte marrë ndihmë 300 franga ari nga legata italiane. Megjithatë, të kthehemi tek argumenti kryesor.
Cilët janë liderët komunistë që kanë pasur lidhje me regjimin fashist…?!
Sa për ilustrim po përmend disa raste për personat që kanë dokumente në dosarët e veçantë. Më 11 shtator 1939,
Manush Myftiu (pas lufte anëtar i Byrosë Politike, ministër dhe zëvendëskryeministër) i shkruan për bursë ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi. Po ashtu, për Myftiun ka dhjetëra shkresa që tregojnë ‘qëndrimin e mirë moral e politike të tij’ (p.sh., shkresa e datës 19.2.1942 e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Shyqyri Borshi). Por Manushi nuk lihej vetëm me kaq, pasi shënohej se edhe
i vëllai, Sulejmani, kishte kërkuar bursë për të vijuar studimet në Francë (kërkesa e datës 3.7.1940 drejtuar zyrës krahinore të Mëkëmbësisë në Vlorë).
Behar Shtylla (pas lufte ministër i Punëve të Jashtme dhe ambasador) figuron në dokumente të shumta të fashizmit për bursën e marrë atje etj., së bashku
me vëllanë e tij, Ahmet. Për të vendosej vendimi i Këshillit të Ministrave, si dhe një foto e një grupi të rinjsh të veshur me uniformat fashiste.
Për
Pilo Peristerin ruhej një dokument i datës 28 qershor 1938 i prefektit të Korçës, Veli Vasjari, i cili rekomandonte që i përmenduri të ofrohej si informator.
Për
Liri Belishovën ruhej kërkesa e saj drejtuar Princeshës Myzejen për marrjen e një burse në Institutin ‘Nana Mbretneshë’. Kërkesa e fëmijës Belishova ruhej si ndonjë dokument i rëndësisë së madhe.
Për
Pjetër Kostën (drejtor në KQ të PPSH dhe ministër) mbaheshin shënim dokumente nga koha kur punonte në Bankën Kombëtare të Shqipërisë. Për
Myslim Pezën janë ruajtur një seri dokumentesh. Nga shënimet vihet re se ato ‘u janë dhënë dorazi shokut Hysni’. Për Myslimin shënohet koha e qëndrimit në Jugosllavi (1931- 1939), një letër e
të dy vëllezërve Myslim dhe Shyqyri e datës 12 mars 1941, që nis me fjalët ‘kemi qenë bashkëpunues për çlirimin e Shqipërisë (nga Zogu-shënim)’.
Një praktikë e veçantë është për
Josif Pashkon. Dokumentet rreth tij i takojnë viteve 1940-1941, me rastin e Luftës italo-greke. Po ashtu ruhej betimi ndaj regjimit i datës 14 qershor 1939.
Për
Adil Çarçanin ruhej kërkesa drejtuar Bashkisë së Gjirokastrës më 22.7.1934, si dhe letra të tjera mbi gjendjen familjare etj. Për
Mehmet Shehun ruheshin dokumente nga vitet ’30. Këtu përfshiheshin koha kur ai kishte kërkuar bursë, emërimi në punë shtetërore etj. Për
Tahir Kadarenë ruhej një deklarim i datës 19 qershor 1937, që lidhej me grupin e oficerëve antizogistë të zbuluar.
Për
Haxhi Lleshin mbaheshin dokumente të shumta të së kaluarës së tij, sidomos të lidhjeve të tij me fqinjin verior të Shqipërisë. Këto raste i solla sa për shembuj. Kam shumë raste të tjera, sidomos për personat që kanë marrë bursa. Në këto dosarë ka edhe foto të personave me uniformë fashiste gjatë vizitave që ata kanë bërë në Itali”,
sqaron Kastriot Dervishi.
faksimile-manush-myftiu

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY