‘Spartiakiada’ e krimit! Të bllokojnë zbardhjen e krimeve të komunistëve në Shqipëri”

‘Spartiakiada’ e krimit! Të bllokojnë zbardhjen e krimeve të komunistëve në Shqipëri”

167
0
Shares

Nga Nebil Çika:

Prej ditësh vazhdon në media një debat i ashpër që ka në qendër të tij krimet komuniste në Shqipëri. Nuk është e para herë që hapet ky debat por kësaj radhe pala në krah të krimeve të komunizmit në Shqipëri është angazhuar dëshpërimisht në një fushatë propagandistike sipas modelit të agjitpropit komunist dhe në shënjestër është vënë i vetmi institucion publik që meret me zbardhjen e historisë së krimeve komuniste, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri dhe personalisht drejtori i tij AgronTufa.

I pari që nisi sulmin publik kundër institutit dhe Tufës ishte deputeti i Kuvendit të Shqipërisë ish drejtuesi famëkeq i strukturave kriminale të diktaturës komuniste Spartak Braho, autorësia e të cilit në krimet komuniste është e provuar publikisht. Por nuk ishte vetëm Spartaku, pas tij në sulmet publike u përfshinë edhe të tjerë persona që në një garë të shfrenuar fyerjesh e kërcënimesh e kanë kthyer këtë fushatë në mbrojtje të krimit komunist, në një “spartakiadë” të vërtetë. (Për ata që nuk e dinë “spartakiada” ishte një term i lindjes komuniste për organizime politiko-sportive amatore që zviloheshin gjatë luftës së ftohtë në vendet ish komuniste të tilla si; spartakiada e ushtrisë, sigurimit të shtetit, klasës punëtore, kooperativave bujqësore etje, që kishin si qellim kalitjen politiko-fizike të popullit.

Spartakiadat kishin edhe rekordet e kampionët e tyre por qëllimi ishte masivizimi komunisti sportit).

Dhe kjo fushatë i ngjan një “spartakiade” tipike në mbrojtje të krimit komunist ku pjesëmarrësit në të, kanë një qëllim të përbashkët; Të bllokojnë me çdo mënyrë zbardhjen e krimeve të komunistëve në Shqipëri. Si çdo spartakiadë ka edhe protagonistet e saj të spikatur dhe kamionët e rekordet e sajë, një pjesë të bërë publike për herë të parë në këtë “spartakiadë”.

Protagonistët janë të gjithë persona në konflikt interesi me punën e Instituti të Tufës ose autorë të drejtpërdrejtë të krimeve komuniste ose familjarë të këtyre autorëve. Dihet që garën e nisi Braho nga parlamenti që fyeu e kërcënoi me pushim nga puna drejtorin e institutit Tufa dhe atij i takonte se ka edhe emrin Spartak. Si sebep nxorri një libër të Dr. Çelo Hoxha “Krimet e komunistëve gjatë Luftës” i botuar 5 vite më parë nga instituti, një studim historik i nivelit të lartë ku me prova e fakte nga vetë arkivat komuniste dhe krahasuar me ligjet e vetë shtetit komunist, vërtetohet kryerja e krimeve të luftës nga forcat partizane komuniste dhe përcaktohen me emra edhe përgjegjësit për këto krime.

Por megjithëse libri ka autor, spartakiada komuniste nuk merret drejtëpërdrejt me të, por po e përdor si “provë “ për sulmin politik ndaj Tufës dhe institutit të cilin e quajnë “fashistë dhe ballistë”, përcaktime denigruese politike e historike zyrtare, për kundërshtarët polikë gjatë diktaturës komuniste. Ky libër sigurisht që ju ka djegur shumë pasi u rrëzon mitin e rremë te LANÇ dhe heronjve të saj, autorë të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerizimit dhe gjenocidit. Rrëzimi i mitit të rremë të luftës çlirimtare dhe përcaktimi i saj me prova e fakte si luftë civile u rrëzon komunistëve justifikimin e tyre të vetëm të diktaturës, “të qenit në anën e drejtë të historisë”.

Një kriminel lufte nuk mund të jetë në anën e drejtë të historisë pavarësisht ngjyrimit apo motivit politik të krimeve të tij. Dhe këtë ata e dinë prandaj po reagojnë me kaq dëshpërim ndaj institutit dhe punës së tij.

Por Spartaku i Sigurimit të Shtetit nuk ishte i vetmi. Pas tij lukunia e mbrojtësve të krimit, disa profesionistë në këtë zanat, e të tjerë për herë të parë, u bënë pjesë e “spartakiadës” së fundit të krimeve te komunizmit. Fatos Tarifa, një ish diplomat komunist reagoi për shkak se i ati i tij, Sevo Tarifa, ishte në listën autorëve të krimeve komuniste të Çelo Hoxhës. I trembur për “tarifën” që do të paguajë me zbardhjen e të vërtetës për të atin, prej krimeve të të cilit ka arritur gjithçka në jetë, siç thotë vetë, është bërë edhe qytetar edhe diplomat, ai heq maskën e diplomatit dhe vendos atë të terroristit duke mos lënë sharje e kërcënime të gjuhës shqipe kundër Tufës, por argument, dokument apo provë për të shfajësuar të atin nuk gjen dot. Përfshirja e tij në debatin publik e përkeqësoi edhe më tepër pozitën e tij.

Historiani Kastriot Dervishi publikoi një dokument të arkivave komuniste ku vetë ata dëshmonin që heroi Sevo kishte “dezertuar një periudhë kohe nga lufta dhe madje i kishte vjedhur edhe llozin e pushkës komandantit të tij”, gjë që zhvlerësonte totalisht “heroizmin” e tij, të pretenduar edhe nga i biri, gjatë luftës.

Po kështu vazhduan me radhë “spartakët” e tjerë të krimit komunist. Shaqir Vukaj, si “malësor” u shfaq më i nevrikosuri e më kërcënuesi kundër Tufës, edhe ku si të tjerët kishte hallin e të atit, i cili Çelos i rezulton kriminel lufte. Nuk solli ndonjë provë e argument për të kundërtën por sigurisht nuk la gjë pa thënë në pozita e marksizëm-leninizmit kundër armikut të klasës Agron Tufa. Por nuk thotë kot populli që heshtja është flori. U mendua që Vukaj kishte hallin e të atit, por me sa duket puna kishte qënë më e thellë. Shaqa ishte edhe vete i asaj pune. Një dokument i sigurimit të shtetit i publikuar menjëherë pas reagimit të Vukajt për të atin e nxjerr vetë Shaqën dëshmitar të sigurimit në gjyqet kundër armiqve të komunizmit. Ja pra që Shaqa dhe te tjerët nuk kanë vetëm hallin e të afërmve te tyre …

Në këtë “spartakiadë” të krimit komunist nuk mund të rinte pa marrë pjesë edhe “kampioni” i tyre historik Pëllumb Xhufi. Dihet pozicioni dhe konflikti i interesit që Xhufi ka me zbardhjen e krimeve të komunizmit si dhëndër i familjes së diktatorit Hoxha dhe sidomos për faktin se nëna, vëllai dhe kunata e tij kanë qënë pjesë e Sigurimit të Shtetit. Ky është rast specifik. Këta të tjerët kanë baballarët autor të krimeve komuniste, ky ka nënën. Ky e ka marrë bashkë me qumështin urrejtjen për armikun e klasës, është tërësisht i pa shpresë. Me hallin që ka ky, le të thotë çfarë të dojë, nuk e besojnë më as të tijët.

Kryerja e krimeve dhe mbrojtja publike e tyre “do bythë” dhe, qoftë edhe vetëm për këtë arsye në këtë “spartakiadë “ të krimeve komuniste nuk mund te mungonte bejtexhiu më i famshëm komunist Arben Duka. Nuk besoj se e merrte kush seriozisht dhe nuk besoj se ndokush do të reagonte ndaj tij nëse nga dosjet e komunizmit që studjon instituti i Tufës dhe historianët e tjerë të mos dilte edhe “mëkati” i madh i Dukës, përfshirja e tij në një “sexgate” apo “pederasti “ sipas terminologjisë së Sigurimit të Shtetit kur ishte student për oficer në Shkollën e Bashkuar “Enver Hoxha”. Ky skandal qe mbajtur i fshehtë deri tani nga publiku dhe besoj se për publikimin e tij u bë sebep vetë Duka me pjesëmarrjen në “spartakiadë”. Kam menduar se dashurinë për Enver Hoxhën ky e kishte ideologjike por dalja e kësaj prove erotike duket se e justifikon edhe me tepër pathosin e tij për të. Paskan qënë jo vetëm në të njëjtën parti, por edhe në të njëjtën shoqatë.

Ka edhe të tjerë pjesëmarrës në këtë spartakiadë të krimit komunist por këta besoj se e plotësojnë tipologjinë e të gjithëve. Ajo që ka befasuar publikun është reagimi i tyre tani 5 vjet pas botimit të librit. Çfarë ka ndodhur? Pse janë shqetësuar, pse është thirrur “spartakiada”?!

Sigurisht që ka shumë arsye, por unë mendoj se ata ndjehen të rrezikuar seriozisht. Zbardhja dhe bërja publike e krimeve të komunizmit nxjerr pa dyshim edhe autorët e tyre. Krimet që ata kanë kryer janë të rënda dhe të pa parashkruara që do të thotë se autorët mund të arrestohen e të dënohen në çdo moment që ka prova. Nga kjo situatë mund të detyrohet të veprojë drejtësia, në mos kjo shqiptare ajo ndërkombëtare. Apo edhe më keq: zgjidhja mund të vijë nga e drejta zakonore, kanuni.

Ka një zhvillim në këtë drejtim që besoj se lidhet me të gjithë këtë situatë. Në Gjemani po përgatitet një padi penale për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid kundër ish drejtorit famëkeq të burgut të Qafe Barit Edmond Caja. Në mungesë të vullnetit të drejtësisë shqiptare, drejtësia gjermane mund të vendosë një precedent i cili kërcënon çdo autor të krimeve të komunizmit në Shqipëri gjë që ka ngjallë alarmin tek ata dhe të afërmit e tyre. Vetë Caja është bërë pjesë e “spartakiadës” së krimit duke pasur të njëjtën shënjestër me të tjerët, Institutin i cili është përfshirë në përgatitjen e kallëzimit ndaj tij në Gjermani duke mbledhur prova, fakte e dëshmi për krimet e tij. Në reagimet e tij, Caja e nxjerr disi kokën për hallin që e ka zënë. Ai akuzon Kastriot Dervishin, ish drejtorin e arkivave të Ministrisë së Brendshme pse ka parë e publikon dokumente sekrete, jo se ato nuk janë të vërteta. Pra halli i tyre me Tufën, Dervishin, Hoxhën etj është aksesi që këta kanë mbi dokumentet sekrete të arkivave komuniste, që janë njëherazi edhe prova për krimet e tyre. Ata nuk kontestojnë të vërtat e tyre por faktin pse këta i bëjnë publike ato. Prandaj në reagimet e tyre synojnë bllokimin e të vërtetës historike. Por ka edhe një fakt që nuk mund ta lë pa përmendur. Kjo “spartakiadë” e krimit komunist ka dëshmuar se mohimi mbi bazë ideologjike e krimeve të komunizmit është plasaritur disi.

Intelektualë dhe persona publikë pinjollë të familjeve të njohura të komunizmit, por që me sa duket nuk ndjehen në konflikt interesi me të vërtetat historike për krimet e komunisteve kanë reaguar në kah të Tufës dhe të tjerëve për rastin konkret. Mund të përmend këtu reagimin publik të prof. Artan Fuga në krah të Tufës apo një thirrje publike drejtuar mua të gazetarit të njohur Sokol Teriati që në pozitat e kryetarit të Shoqatës së të Përndjekurve Politike Antikomunistë të dilja në mbrojtje te tij.

Gjithsesi, kjo duket një betejë e gjatë e me sa duket edhe “spartakiada” e krimeve të komunizmit do të vazhdojë deri sa drejtësia shtetërore, humane apo hyjnore të fillojë të reagojë.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY