Basha për gazetën sllovene: “Politikanët e lidhur me krimin, duhet të dënohen,...

Basha për gazetën sllovene: “Politikanët e lidhur me krimin, duhet të dënohen, jo të shpërblehen”

68
0
Shares

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dhënë së fundmi një intervistë për gazetën sllovene Delo. Kjo është një nga gazetat më të medha në Slloveni, që e intervistoi Bashën pas vizitës së tij ne Ljubjane.

INTERVISTA E BASHES:

Shqipërinë mund ta shpëtojë vetëm një Demokraci Europiane

Lideri i opozitës shqiptare: “Politikanët që janë të lidhur me krimin e organizuar, duhet të dënohen, jo të shpërblehen”

Ljubljanë – Rrugët e Shqipërisë janë të mbushura me protestues që kanë vetëm një kërkesë: zgjedhje të parakohshme dhe hetim të krimit të organizuar. Lideri i opozitës shqiptare Lulzim Basha tha gjatë vizitës së tij në Slloveni, se Shqipërinë mund ta shpëtojë vetëm “demokracia si e vendeve europiane”.

Nga Aljaž Vrabec

Në Ljubljanë ishte me ftesë të Institutit Ndërkombëtar për Studimet e Lindjes së Mesme dhe Ballkanike (IFIMES) dhe gjatë vizitës së tij ka kryer shumë takime politike dhe me investitorë. “Kemi biseduar për Shqipërinë, për situatën e Ballkanit Perëndimor dhe për investimet sllovene në Shqipëri”- thotë Basha dhe shton: “Slloveninë e shohim si shembull si mund të shfrytëzohen potencialet tona, por edhe si mund të kapërcejmë problemet me të cilat është përballur më herët Sllovenia, duke ndjekur praktikat e mira”

Çfarë mesazhi po përcjellin njerëzit në rrugët e Shqipërisë?

Mesazhi është shumë i thjeshtë – E duam Shqipërinë si e gjithë Europa. Duam të kemi zgjedhje të lira, shtet të së drejtës dhe drejtësi të barabartë për të gjithë. Tridhjetë vite pas rrëzimit të komunizmit, njerëzit shohin faktin se në Shqipëri nuk ka një shtet të së drejtës por një shtet të kapur. Këtë radhë jo nga tirani ideologjike, por nga sundimi autokratik, që ka uzurpuar të gjitha pushtetet.

Ku është sot Shqipëria?

Në udhëkryq. Është e vërtetë se shumë kemi arritur tridhjetë vitet e fundit, por tani duhet të çlirohemi nga autokracia. Duhet të ndjekim rrugën drejt Bashkimit Europian, e cila është aspiratë e 95 % të shqiptarëve. Atje mund të arrijmë vetëm përmes rrugës europiane, jo me gënjeshtra, intriga dhe mospranim të rregullave të demokracisë. Duhet, së pari, të dënojmë politikanët që janë të lidhur me krimin e organizuar. Kjo duhet te marre fund njehere e pergjithmone. Për këtë duhet t’i çlirojmë duart drejtësisë që të bëjë punën e saj dhe së dyti përcaktime të qarta ligjore për të nxjerrë pergjithmonë nga politika personat e lidhur me krimin. Në Shqipëri kemi një rreth të ngushtë njerëzish, që kanë përqendruar në duart e tyre të gjithë vendimmarrjen politike dhe ekonomike dhe s’mendojnë aspak për shumicën e popullit në Shqipëri.

Po thoni fjalë goxha të mëdha, të cilat zakonisht politikanët opozitarë i harrojnë, sapo vijnë në pushtet…

Pikërisht, për këtë arsye, Shqipëria duhet të ndryshojë që nga themeli, që nga organizimi i saj juridik. Drejtësia nuk mund të mbetet më në dëshirat e qeverive, ligjin nuk duhet të jetë monopol i të fortëve dhe të pasurve, por shqiptarët duhet të kenë akses të barabartë në sistemin e drejtësisë. Prej më shumë se një viti vendi s’ka Gjykatë Kushtetuese. Në Shqipëri mbizotërojnë klane të krimit të organizuar, që i kanë shtrirë lidhjet e tyre që nga Amerika Latine, Amerika e Veriut, Azia e deri në zemër të Europës. Dhe në vend që të ndiqen, të arrestohen, të vihen para drejtësisë kriminelët, këta po fitojnë gjithmonë e më shumë ndikim politik, për shkak të lidhjeve me politikën duke i zgjeruar edhe më tej “bizneset” e tyre.

Në përgjithësi, kur dikush bën shumë premtime dhe premton shumë ndryshime, ndodh që problemet riciklohen

Prandaj synojmë, që në këtë ndryshim t’i përfshijmë të gjithë ata që kërkojnë të ndjekim ëndrrën europiane dhe që fuqia e vendimmarrjes t’i kalojë qytetarëve. Kjo do të bëhet duke inkurajuar gjithnjë e më shumë konkurencën, si dhe njerëzit me ide.

Krimi i organizuar nuk është i lehtë për t’u larguar, ai gjithnjë do të kërkojë lidhje të reja…

Përcaktues është vullneti politik. Për këtë shkak, më shumë se në luftën politike duhet dhe jemi të përqendruar tek percaktimi I rregullave, ligjeve, dhe ajo që është më e rëndësishmë ndëshkueshmërisë.

Gjatë gjithë kohës, formacioni ynë politik ka qenë i angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar. Në vitin 2015 i imponuam qeverisë miratimin e një ligji që ndalon zgjedhjen në funksione publike të personave të përfshirë në krime apo që lidhjet e të cilëve me krimin e organizuar, janë të provuara. Politikanët që janë të lidhur me krimin e organizuar, duhet të dënohen, jo të shpërblehen.

Po pse kriminelët kanë zbuluar parajsën e tyre në Shqipëri?

Krimi shkon gjithmonë atje ku institucionet publike janë të dobëta dhe ku politika është e gatshme të sakrifikojë të mirat publike për interesat personale. Aty ku drejtuesit nuk mendojnë për investime në arsim e shëndetësi, por mundohen të kenë kontroll total mbi shtetin, policinë dhe gjyqësorin. Prandaj, duhet të investohemi shumë në forcimin e institucioneve shteterore dhe inkurajimin e konkurencës politike.

Sa do të jenë të rëndësishme për Shqipërinë zgjedhjet për Parlamentin Europian në muajin maj?

Është e rëndësishme që BE t’i mbetet besnik Samitit të Selanikut mbi perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Por, gjithsesi, e rëndësishme është që të përqendrohemi tek vetja jonë, tek plotësimi i kritereve për anëtarësim, në mënyrë që të rinjtë tanë, me ide në ekonomi, kulturë e arsim, t’i realizojnë në vendin tonë e jo të detyrohen të emigrojnë në shumicë, siç ndodh aktualisht.

 

Para zgjedhjeve europiane, po shtohet frika se po forcohen të djathtat sovraniste në Parlamentin Evropian.

 

Partia Demokratike e Shqipërisë është themeluar nën aspiratën që Shqipëria të bëhet vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Europian. Tashmë jemi anëtarë të NATO-s. Po ashtu kemi marrë statusin kandidat për t’u futur në BE. Shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë prej 9 vitesh pa viza brenda hapësirës Shengen. Por, fatkeqësisht, me marrjen e pushtetit nga pala tjetër në 2013-ën, në Shqipëri procesi i integrimit ka ngecur dhe nuk po ndërmerren reformat e duhura.

Por trendi i të djathtës europiane mbetet përforcimi i nacionalizmit dhe jo integrimi i mëtejshëm…

Ndjek me preokupim zhvillime të tilla. Detyra jonë është të ndërtojmë klimën e besimit dhe të plotësojmë kushtet e kërkuara për anëtarësim në BE, anëtaresim që vendit tim do t’i sjellë shumë përfitime, si në lëvizjen e lirë të njerëzve, ashtu edhe të kapitalit, punës, ideve dhe heqjes së shumë pengesave e kufijve.

Une jam i bindur se në momentin që do të arrijmë që të ndërtojmë Europën në shtëpinë tonë, do të arrijmë të kemi mbështetjen e vendeve anëtare të BE për të ecur me shpejtësi në rrugën jo të lehtë të antarsimit

Ju po bashkëpunoni ngushtë me Donald Tramp, megjithëse ai e ka vlerësuar Bashkimin Europian si kërcënim për SHBA?

Gjithnjë kujdesemi për kontakte sa më të mira me SHBA-të, pasi me mbështetjen e Amerikës jemi bërë anëtar të NATO-s. Të mos harrojmë edhe ndihmën që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë në pavarësimin e Kosovës. Por bashkëpunimi me SHBA-të nuk përjashton në asnjë mënyrë dëshirën tonë që të jemi anëtarë me të drejta të barabarta në Bashkimin Evropian.

Si e komentoni valën e migrimeve masive?

Dëshira për një jetë më të mirë ka sjellë gjithmonë lëvizjen e njerëzve. Duhet të kuptojmë se valët migratore, në fakt, nuk mund të parandalohen nga asnjë pengesë teknike, prandaj Europa duhet të kujdeset që nga emigracioni të nxjerrin përfitime të dy palët, si ardhësit, edhe pritësit. Gjithsesi, duhet bërë kujdes që me këto valë migratore të mos kalojnë njerëz me ideologji të caktuara apo terroristë. Migrimet e pakontrolluara duhet të parandalohen, por pa u mbërthyer nga ksenofobia dhe racizmi.

Disa politikanë, kolegë tuaj, po kapen pas pengesave teknike dhe një diskursi ksenofob për të përfituar pikë politike.

Dritëshkurtësia në lidhje me problemet e migracionit të pakontrolluar ka sjellë edhe zgjidhje dritëshkurtër. Politikanët nuk po i identifikojnë arsyet e vërteta të migracionit, prandaj edhe strehohen tek një diskurs ksenofob, që nuk i shërben askujt.

Keni ndonjë mendim për idenë e bashkimit apo “Shqipërinë e madhe”?

Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Po ashtu, të njëjtën aspiratë kanë edhe Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Kësisoj, jam I bindur se të gjithë shqiptarët në këto pesë vende do të bëhen bashkë si anëtarë të BE-së.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY