Pas vetting-ut, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve do të ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese një tjetër ligj të paketës së reformës në drejtësi, atë për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kreu i këtij unioni, Gerd Hoxha thotë se në hartimin e draftit nuk janë marrë në konsideratë sugjerimet e bëra nga radhët e gjyqtarëve. Sipas tij ligji cënon në thelb pavarësinë e gjyqësorit, dhe bie ndesh me ndryshimet kushtetuese të miratuara në 22 korrik.
“Cënohet parimi i sigurisë juridike lidhur me ndërprerjen e mandateve, kryetari i Gjykatës së Lartë, Lushtetuta se lejon, në ligj ndërpritet. Cënohet e drejta e karrierës për gjyqtarët. Ka ndërprerje të pjesshme të mandateve për anëtaret e KLD-së, i lejohet procedimi disiplinor, por jo promovimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, kjo është fyese për anëtarët e KLD” u shpreh Gerd Hoxha, për TV Klan.
Kreu i Unionit të Gjyqtarëve thotë se ligji shkel edhe standardet e përcaktuara në opinionin final të Venecias.
Krahas shpalljes antikushtetues të ligjit, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve do t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese edhe pezullimin e tij.
Hoxha hedh poshtë edhe akuzat e maxhorancës se një pjesë e gjyqtarëve janë bërë palë me opozitën, për të bllokuar përmes ligjit të vetting-ut reformën në drejtësi. Ligji për Statusin e Gjyqtarëve dhe prokurorëve u miratua në Kuvend vetëm me votat e maxhorancës në seancën plenare të 6 tetorit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/