Nje motiv i madh per te qene ne krah te Agron Tufes

Nje motiv i madh per te qene ne krah te Agron Tufes

142
0
Shares

Nga Ilir Seci

Shkrimtari Agron Tufa vazhdimisht ka trazue ujnat e ndejtuna te batakut të politikes shqiptare të mbas nandëdhetës…Ujnat e moçalta të nji politike që edhe pse e qelbun me kohe e me vakt, u kutërbue ma shume nga prumjet e tubave te fekaleve politike tip “Bashkefajtore dhe bashkevuajtës”.

Agroni asht intelektual me kurajo.
Prodhim jashte serisë se inkubatorit komunist që klloçiste në seri “intelektualë masovikë” varesisht nga pesha qe ia caktonte klloçka Parti. Sipas kerkesave të kohes.

Agronin e kam njofte qysh para vitit 1990, koha kur Agroni nga Dibra vinte ne Shkoder me takue patriotet e vet dibrane dhe me pase nje bisede të dinjitetshme me dashamires të vertete letersie. Koha kur vinte te ILP në Shkodër që të pakten me i pa prej rrugës dritaret e sallave të leksioneve të fakultetit të Gjuhe-Letersise, se per me hy aty mbrenda dhe me u ule në ato salla as guxonte me andrrue. Ishte i prekun.

Nji damkë diktatoriale që ngjallte frike ma shume se kolera asokohe. Edhe sot kujtoj ndeje të asaj kohe me krijues aspirante, kur na nji grup letrarësh nga rrethet shisnim latat e studentit tue mbete pa darkë, vetem e vetem me pase pak leke per me porosite nga njo ponç portokalli te klubi i shkrimtareve dhe artisteve Shkoder dhe me fole per letersi. Mbramje ku secili mbi tavoline ne vend te mezeve nxirrte krijimet e veta. Dhe inkurajonim njani-tjetrin. Ne ato ndeje të tilla e pamë që Agroni ishte poet.

Per fat kohnat ndryshuen dhe Agron Tufës iu krijue mundesia me vazhdue studimet në fakultetin ku sot asht profesor. Agroni shkelqeu si student, shkelqeu si drejtues i gazetave që drejtoi asokohe. Me suksesin e vet provoi padrejtesine e sistemit…Padrejtesi qe ishte kryer pa pushim ndaj talenteve të tilla.
Mbaroi studimet në Tirane dhe shkoi e studioi edhe jashte vendit. Shkelqyeshem edhe atje. Ne njifare menyre duke e ekspozue edhe nderkombetarisht padrejtesine e kryeme ndaj tij dhe krejt talenteve qe u ishte mohue e drejta elementare e shkollimit.

Ne tane keto vite studimesh dhe suksesesh Agroni nuk harroi nga vinte dhe nuk u deh nga suksesi. Si intelektual u angazhue publikisht me ndreqe padrejtesine qe i ishte ba atij vetë ma së pari. Komforti si pedagog në Fakultet nuk e bani me refuzue punen në Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Angazhim prej intelektuali të mirefillte. E kishte ma te lehte me e shmange, si kanë ba dhe bajnë plot tjere nga shtresa e perndjekun qe shtinë veshet në lesh e harruen nga vinin e çka kishin hjekë…

Punes në Institut i hyni me kurajo, ndryshe nga sa ishte praktika e punes deri atehere kur gjjthshka shkonte mas mantrës “Bashkëfajtore dhe bashkevuajtes.” Agroni vendosi nji fund per ate praktike. Doli me emna…Denoncoi publikisht nji varg personash per inkrimimin me diktaturen, duke fillue nga Diana Çuli e deri te Spartak Braho. Sigurisht kjo kurajo do krijonte armiq. Armiq qe kercyen perpjete siç kercen Djalli nga Temjani. E pritshme kjo.

Djajtë e kuq reaguen dhe kercyen perpjete siç dine me kcye vetëm ata. Sepse Agron Tufa i nxori nga naftalina. Ballafaqimi me driten e te vertetes i terboi keto krijesa te nentokes, keto vampire te bodrumeve te Sigurimit te Shtetit. Per këtë arsye edhe u angazhuen në fushata vamipresh. Nji Spartakiadë e vertete sigurimsash u shpalos ne gazetat e kontrollueme nga Sigurimi. Sulm frontal me çdo mjet. Nga keta me grostesku ishte njifare Fatos Tarifa, tekstet e te cilit ishin mbulue nga pluhni i paragjykimeve dhe stereotipizimeve 47 vjeçare te Zones se Pare Operative nga vinte ai vete siç e theksonte ai vete plot krejni ne artikuj. Mllefi i Fatosit ishte i kjartë, i mesuem me vendose tarifat sipas qejfit ai u traumatizue nga ndryshimet e mbas vitit 1990, ndryshime qe nuk e lane Fatosin me u ba Pionier.

Deri atëherë vrisnin e prisnin simbas qejfit, kurse pas ndryshimeve u duhej me ba shume kujdes.
Asnjihere nuk duhet me harrue se po te ishte ne doren e Çulit, Brahos, Tarifës, etj, sistemi nuk do kishte ndryshue kurre, asnjihere. Kush i mban mend perbetimet haxhiqamiliste te Vullnetareve te Enverit ne shkurt 1991 e ka te qarte këtë. Per Diana Çulët, Spartak Brahot, Fatos Tarifat, etj, ai sistem do ishte edhe sot në kambë. Sepse ata e ndertuen sistemin, ishin sistemi vetë. Sot duke u mshehun mbas “mbrojtjes se luftes dhe të rënëve”, qartazi duen me mshefë inkriminimin e tyne.

Agron Tufa i ekspozoi siç ekspozohet ai grupi i njerëzve kur mbi ta leshohet prozhektori i dritës. Agroni i ekspozoi dhe tashma asht detyra e tane atyne qe duen nji Shqipni demokratike me u ba dalazotës të Agron Tufës dhe krejt atyne qe denoncojne te shkuemen diktatoriale. Ky asht imperativ – duhet ba ne rast se duem që vendi jone me ba përpara ndonjehere, dhe përpara ban vetëm po u ba nji vend i dekomunistizuem, ashtu si bani përpara Gjermania mbasi u ba nji vend i denazifikuem.

Ndryshe nuk ban. Po heshtëm, ateherë provojme se e kemi meritue diktaturen, disa sepse e kane dashte e disa sepse kane qenë konformiste, pak ndryshim ka tekembramja, në fund të fundit në nji perfundim mbërrihet…

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY