Në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një vizitë si i “Ftuar i Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, në Romë.
Meta mbajti fjalën përpara një audience të veçantë me ekspertë të shquar të mbrojtjes, të sigurisë dhe përfaqësues ushtarakë të vendeve anëtare të NATO-s në Romë.
Meta theksoi ndër të tjera se Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen për t’i shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë së rajonit tonë.
Meta: Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, veçanërisht në përmbushjen e rolit të saj të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti në rajon, si promotore e palodhur e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, si mbështetëse e vendosur e politikës së ‘Dyerve të Hapura’ të NATO-s dhe si partnere strategjike e Aleancës përmes një politike të jashtme koherente dhe të besueshme.
Më tej Meta shtoi se Shqipëria mbështet zgjerimin e Aleancës së NATO-s me vendet e tjera të rajoni.
Meta: Ndaj Shqipëria mbështet fuqishëm politikën e ‘Dyerve të Hapura’ për zgjerimin e Aleancës me vendet e rajonit.
Ne jemi të bindur se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte veprimi i duhur dhe i domosdoshëm me impakt rajonal dhe gjeostrategjik. Aleanca provoi fuqinë, forcën dhe vendosmërinë e saj duke sfiduar me sukses përpjekjet serioze që synonin dështimin e këtij procesi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/