Hetimi i Admir Muratajt ekspozon pastrimin e “thasëve me para” në prona...

Hetimi i Admir Muratajt ekspozon pastrimin e “thasëve me para” në prona të patundshme

116
0
Shares

I kërkuar në Greqi dhe Shqipëri, Admir Murataj akuzohet se organizoi grabitjen e mbi 7 milionë eurove në tre goditje ndaj bankave dhe investoi miliona në blerjen e pasurive të patundshme, para se të mbetej i vrarë gjatë grabitjes së katërt dhe më të madhe në Rinas.

I arratisur nga një burg grek në vitin 2013 dhe prej gjashtë vitesh në ilegalitet në Shqipëri, Admir Murataj akuzohet se realizoi tre grabitje bankash dhe investoi miliona lekë në pasuri të patundshme, para se të mbetej i vrarë në goditjen e tij të katërt dhe më të madhe të 9 prillit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzon 46-vjeçarin me origjinë nga Tropoja si “trurin” e një grupi të strukturuar kriminal, përgjegjës për grabitjen e armatosur të rreth 7 milionë eurove në ngjarjet e 13 shkurtit 2015 pranë stacionit të Trenit në Tiranë si dhe dy grabitjet e tjera të ndodhura në afërsi të Qafë Kasharit në dhjetor 2015 dhe shkurt të vitit 2017.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një hetimi pasuror të kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ngrejnë dyshime se si një ndër personat më të kërkuar në Shqipëri dhe në Greqi arriti të kryente grabitje të sofistikuara dhe të pastronte shuma të konsiderueshme parash, pa u diktuar nga institucionet e zbatimit të ligjit. Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda tregon gjithashtu detaje nga tre grabitjet e mëparshme të bankave, shumat e sakta të parave të zhdukura si dhe skemën thuajse të njëjtë të përdorur nga grabitësit, suksesi i të cilëve duket se qëndronte te “informacioni” mbi transfertat bankare.

Admir Murataj ishte grabitësi i vetëm i paarrestuar gjatë operacionit policor të vitit 2017, ku nëntë anëtarët e tjerë të bandës, mes të cilëve edhe vëllai i tij, përfunduan në prangat e policisë. Në mars 2019, Gjykata e Krimeve të Rënda i dënoi ata me 104 vjet burg në total për tre grabitjet e parave të bankave.

Më 4 mars 2019, prokurorët e Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi dhe Manjola Kajana nisën procedimin pasuror mbi bazën e ligjit “Antimafia” ndaj Admir Muratajt, vëllait të tij, Aleksandër Murataj dhe familjarëve të tjerë. Nga ky hetim u identifikuan një seri trojesh, apartamentesh dhe makinash, të cilat u sekuestruan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Admir Murataj akuzohet si organizatori kryesor i grabitjes së armatosur të ndodhur më 9 prill 2019 në barkun e avionit të “Austrian Airlines” në pistën e aeroportit të Rinasit. Ngjarja nxorri në dritë problemet e rënda të sigurisë në aeroport si dhe shkaktoi përplasje mes qeverisë dhe kompanisë koncesionare për përgjegjësitë.

Sipas një njoftimi të policisë, Murataj-i cili në pamjet e rrjedhura në media u shfaq me një maskë silikoni në kokë, mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Autorët e tjerë të grabitjes së të paktën 5 milionë eurove i shpëtuan ndjekjes policore dhe mbeten të paidentifikuar.

Grabitjet e “thasëve me para”

Procedimi penal i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për hetimin pasuror të familjes Murataj bazohet te hetimi i kryer për tre grabitjet e bankave, ndërkohë që këto të fundit po tentonin të transportonin valutë drejt aroportit të Rinasit përgjatë viteve 2015-2017. Procedimi penal ndaj Muratajt nuk përfshin grabitjen e parë brenda pistës së aeroportit të Rinasit, e ndodhur në fund të qershorit të vitit 2016 dhe ende pa autorë.

Të dhënat e siguruara nga hetimi i prokurorisë tregojnë se katër banka të nivelit të dytë në Shqipëri kanë humbur mbi 7 milionë euro së bashku nga tre grabitjet e mëparshme që mbajnë vulën e Admir Muratajt. Megjithatë, valuta fizike e grabitur përbëhej më së shumti nga poundi britanik, franka zvicerane si dhe dollarët kanadezë dhe australianë.

Grabitja e parë e realizuar nga anëtarët e grupit të Admir Muratajt ndodhi më 13 shkurt 2015, kur Union Bank vendosi të transferonte një shumë të konsiderueshme valute në drejtim të bankës “Raiffeisen” në Vjenë të Austrisë.

Por punonjësit e sigurisë u sulmuan ndërsa ndodheshin ende brenda tunelit të bankës në zonën e Stacionit të Trenit nga grabitësit e armatosur. Sipas hetimit të Prokurorisë, vlera e destinuar për transport ishte 900 mijë franga zvicerane, 800 mijë paund britanikë dhe 16 100 euro.

“Paratë ishin të paketuara në katër qese me peshë totale 49.80 kilogramë,” thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Me hapjen e qepenit të tunelit të bankës, punonjësit e sigurisë u gjendën nën sulmin e beftë të tre grabitësve të armatosur. “

Personi qëlloi një here të vetme. Së bashku me katër thasët, me mjetin e eskortës, ata u larguan. Mjeti u gjet më vonë i braktisur në rrugën “Sulejman Vathi” në Tiranë.

Grabitja e dytë, e ndodhur në 3 dhjetor 2015 shenjestroi transferimin drejt Rinasit të parave të bankës Credins. Sipas Prokurorisë, këtë herë vlera e parave të grabitura ishte më e madhe.

“Dërgesa përbëhej prej 1 800 000 paund britanik, 800 000 dollarë amerikanë, 200 000 dollarë kanadezë dhe 200 000 dollarë australianë…,” thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Gjatë udhëtimit në drejtim të Rinasit, poshtë Qafë Kasharit, në kryqëzimin ndërmjet rrugëve të fshatrave Bërxull, Domje dhe Laknas, mjetit të blinduar iu pre rruga nga një fuoristradë me ngjyrë ulliri, me fenelinë policie dhe xhama të zinj. Personat e zbritur nga mjeti, të maskuar, të armatosur dhe të veshur me uniformë policie qëlluan me armë dhe me ndihmën e një varreje, çanë xhamin e blindit dhe hapën derën. Personat e armatosur morën sasinë e parave të ndodhur në blind dhe u larguan. Makina me të cilën ata udhëtonin u gjet e djegur vetëm pak kohë më pas pranë Urës së Limuthit.

Grabitja e tretë e ndodhur më 9 shkurt 2017 ka të njëjtin skenar me të mëparshmen. Vetëm se këtë herë, valuta që po transferohej jashtë vendimit i përkiste Bankës Kombëtare Tregtare.

Transferta përbëhej nga 2.4 milionë euro, 200 mijë dollarë amerikane, 260 mijë paund si dhe 85 mijë franga zvicerane dhe nga 30 mijë dollarë australianë dhe kanadezë. Sipas Prokurorisë, paratë ishin të paketuara brenda tetë thasëve.

Eskorta e bankës u sulmua sërish në afërsi të Urës së Kasharit, pranë universitetit Epoka, ku një makinë Jeep me xhama të zinj u përplas me makinën e parë në radhë.

“Persona të armatosur, të veshur me uniforma policie dhe me maska zbritën dhe qëlluan me armë, goditën me varre xhamin e blindit dhe me një gur fresibël, hapën kasafortën e morën paratë. Ata u larguan me mjetet e tyre, të cilët u gjetën të djegur, ditën e ngjarjes, në fshatin Gjec-Fushë,” thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

“Pastrimi i parave”

Cen Murataj, vellai i Admir Muratajt, duke dale nga morgu pasi identifikoi trupin e vellait te tij, vrare pas grabitjes ne Rinas. Foto: LSA

Procedimi penal i datës 4 mars 2019 i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka identifikuar një seri pronash të rrethit të ngushtë familjar të Admir Muratajt të blera përgjatë viteve 2008-2016, të cilat Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka sekuestruar tashmë.

Ndërkohë, transaksione të tjera multimilionëshe dyshohet se janë kryer nga ish-bashkëshortja e Muratajt apo në emër të personave të tretë, edhe gjatë kohës kur ky i fundit ndodhej në kërkim.

Dokumenti i Prokurorisë tregon se janë sekuestruar tashmë një apartament me sipërfaqe 100 m2, një garazh si dhe një sipërfaqe trualli në Yzberisht të Tiranës, blerë nga Aleksandër Murataj me vlerë rreth 70 mijë dollarë.

Ndërsa në emër të Admir Muratajt është e regjistruar vila dy-katëshe në fshatin Prezë të Vorës si dhe një sipërfaqe trualli e blerë në vitin 2016.

“Aktualisht në këtë banesë nuk banon asnjeri dhe herë pas here shkon bashkëshortja e shtetasit Admir Murataj e cila bën pastrimin e kësaj ndërtese,” deklaron Prokuroria.

Prokuroria ka gjetur gjithashtu se pjesa më e madhe e pronave është blerë nga Albana Alidhima, divorci i së cilës me Admir Muratajn shifet me dyshim nga hetuesit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, në emër të saj janë sekuestruar një apartament 71 m2, i blerë për 3.6 milionë lekë në vitin 2013 në Sarandë, një apartament i dytë në Sarandë me vlerë 90 mijë euro si dhe një truall prej 608 m2 në Mjull Bathore, i blerë për 1.2 milionë lekë.

Megjithatë, Prokuroria dhe Policia dyshojnë se në emër të Alidhimës janë blerë prona të tjera të patundshme në Tiranë, të cilat dyshohet se janë regjistruar në emër të personave të tjerë.

“Në rrugë operative është mësuar se ish-bashkëshortja Albana Alidhima ka blerë një apartament në rrugën ‘Mihal Grameno” në Tiranë në vlerën 185 mijë euro si dhe posedon edhe pasuri të tjera që nuk janë regjistruar në emër të tyre,” thuhet në një raport të policisë, të dorëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

“Kjo shtetase ka lidhur disa kontrata për prenotim apartamentesh si dhe ka një vilë tre katëshe në zonën e ish repartit 3700,” shtohet në kërkesë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka gjurmuar gjithashtu transaksione bankare me vlerë mbi 90 mijë euro të kryera përgjatë viteve 2014-2016 si dhe ka sekuestruar 8 automjete dhe një motoçikletë në pronësi të vëllezërve të Admir Muratajt

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY