Palmer: Të korruptuarit të kenë frikë! Aplikojmë çdo mjet kundër korrupsionit, edhe...

Palmer: Të korruptuarit të kenë frikë! Aplikojmë çdo mjet kundër korrupsionit, edhe heqjen e vizave

71
0
Shares

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka realizuar një intervistë ekskluzive me zotin Matthew Palmer, gjatë së cilës zoti Palmer i është përgjigjur edhe pyetjes nëse do të vazhdojë penalizimi amerikan me heqje vizash në kuadër të mbështetjes së luftës ndaj korrupsionit dhe krimit.

Anila Hoxha: Z. Palmer, çfarë përfaqëson Reforma në Drejtësi për qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe çfarë ndihme ka në plan për hapat e mëtejshëm të Reformës në Drejtësi?

ZV.NS Matthew Palmer: Falemnderit për mundësinë dhe falemnderit për pyetjen. Reforma në Drejtësi për Shtetet e Bashkuara përfaqëson një rrugë përpara për popullin shqiptar drejt një të ardhmeje më të mirë, një të ardhmeje europiane, një të ardhme të paqes dhe begatisë, e një marrëdhënie llogaridhënieje midis popullit dhe qeverisë së tyre. Është zemra dhe shpirti i të gjitha përpjekjeve për reforma këtu. Është diçka në të cilën Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë përpjekje dhe energji, diçka që e shohim si qëndrore për aspiratat e Shqipërisë dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Anila Hoxha: A mendon qeveria e Shteteve të Bashkuara se situata e tensionuar politike ka lidhje me Reformën në Drejtësi?

Matthew Palmer: Në vend që t’i hyj analizës politike, mendoj që ajo që duhet nënvizuar është interesi që kanë të gjitha palët për të ndjekur reformat, për të ndjekur llogaridhënien, për të ndjekur transparencën, pavarësisht se cila parti është në pushtet në një kohë të caktuar. Cilado qoftë, do të dojë të drejtojë një vend që është i fortë, një vend që është i qëndrueshëm, një vend që është i begatë, një vend ku marrëdhënia midis popullit, qytetarëve dhe qeverisë së tyre, është e tillë që ka mbështetjen e publikut shqiptar, që kontribuon për një të ardhme pozitive për vendin.

Anila Hoxha: Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka qenë e qartë në deklaratat se ‘Reforma në Drejtësi nuk do të ndalet’. A ka shqetësime për përdorim politik të Reformës në Drejtësi?

ZV.NS Palmer: Mendoj se ka gjithmonë shqetësim se personat që përfshihen në praktika korruptive, persona që përfitojnë nga një sistem që është i shtrembër, do të punojnë kundër përpjekjeve për reforma, do të punojnë për të mbajtur, për të ruajtur një sistem nga i cili, me përkufizim, përfitojnë. Por, mendoj se me kalimin e kohës, ajo që do të shihni është përparimi në frontin e reformave, përparim në ndjekjen e vettingut në gjyqësor, përparim në Reformën Zgjedhore, përparim në luftën kundër korrupsionit publik dhe krimit të organizuar. E ndërsa njerëzit shohin përparim do të investojnë gjithnjë e më shumë në atë proces drejt synimeve të qeverisë së pastër, transparente dhe llogaridhënëse, e do t’u kërkojnë llogari udhëheqësve të tyre të zgjedhur.

Anila Hoxha: Fokusi dhe pritshmëritë e publikut janë përqëndruar te prokurorët antikorrupsion dhe gjykatat antikorrupsion. Çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara që ata të kenë sukses?

Matthew Palmer: Mendoj se ka nja dy gjëra që mund të bëjmë. Kemi kontribuuar shumë gjatë 20 viteve të fundit, duke investuar dhe trajnuar për profesionalizmin e zyrtarëve në sektorin gjyqësor në Shqipëri. Do të vazhdojmë ta bëjmë. Do të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitete, të forcojmë aftësitë që individët sjellin në institucione, e të forcojmë integritetin e vet institucioneve. Po ashtu do të punojmë për t’i bërë zyrtarët, sidomos zyrtarët e zgjedhur, përfaqësuesit e lartë të qeverisë të japin llogari; llogari ndaj popullit të tyre dhe llogari ndaj procesit të integrimit europian. Shqipëria aspiron anëtarësimin në BE. Ky është një proces i gjatë dhe i vështirë, që do të kërkojë reforma themelore. Disa prej tyre do të jenë të vështira, disa prej tyre do të jenë të dhimbshme politikisht. Por ne do të punojmë për të theksuar për popullin shqiptar se çfarë pritet, e do të punojmë me udhëheqësit e zgjedhur për t’u siguruar që do të japin rezultate për ato angazhime që marrin.

Anila Hoxha: Ka pretendime dhe akuza për standarde të dyfishta në procesin e vettingut, më i rëndësishmi i të gjithë Reformës në Drejtësi. A jeni dakord?

ZV.NS Palmer: Mendoj se ajo që ka rëndësi në procesin e vettingut – dhe jam dakord me ju që vettingu ka rëndësi qendrore në këtë proces – është që duhen njerëz në poste me autoritet dhe përgjegjësi që të jenë të pastër dhe që sillen në mënyrë transparente. Jemi të përkushtuar për të punuar për t’i forcuar këto institucione dhe për t’u siguruar që askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk i largohet llogaridhënies, e se pavarësisht çfarë burimesh përdorin dhe sa parà kanë, ligji do të aplikohet në mënyrë të barabartë, që ligji do të aplikohet drejt dhe të gjithë japin llogari.

Anila Hoxha: Shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve iu janë mohuar vizat amerikane. A ka në plan qeveria e Shteteve të Bashkuara që t’iu mohojë vizat deputetëve të opozitës që kanë braktisur mandatet?

ZV.NS Palmer: Nuk mund të flas mbi aspektet specifike të ndonjë rasti konkret vize, por ajo që mund të bëj është të theksoj angazhimin e SHBA-ve për të përdorur të gjitha mjetet që kemi për të mbështetur luftën kundër krimit të organizuar, për të mbështetur luftën kundër korrupsionit, për të mbështetur llogaridhënien, transparencën dhe qeverisjen e mirë. Kjo përfshin autoritete të caktuar vizash, sipas përkufizimeve në ligj.

Anila Hoxha: Sipas jush, kush e ka radhën?

ZV.NS Palmer: [Qesh] Nuk kam ndërmend të bëj parashikime për të ardhmen, por do të them se të gjithë zyrtarët publikë që janë përfshirë në praktika korruptive, që janë përfshirë në shkeljen e besimit që iu kanë dhënë qytetarët shqiptarë, të gjithë duhet të kenë frikë.

Anila Hoxha: Falemnderit.
ZV.NS Palmer: Falemnderit.

Top Channel

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY