Një ngjarje e rëndë është regjistruar rreth orës 15:30 të pasdite së sotme. Një autoblind që transportonte paratë e një banke të nivelit të dytë ka rënë pre e grabitjes në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas.
Grabitja është kryer nga disa persona ende të paidentifikuar, të armatosur dhe me maska.
Policia thotë se autorët “kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse dhe kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar”.
Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit. Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë.
Policia konfirmon se gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet furgon.
Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.
Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/