Vasili ironizon Ramën: Budallenjtë flasin sepse diçka duhet të thonë

Vasili ironizon Ramën: Budallenjtë flasin sepse diçka duhet të thonë

74
0
Shares

Pas letrës së hapur të kryeministrit Edi Rama, drejtuar drejtorit për Euroazinë në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj, ka reaguar nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Përmes një postimi në Facebook, Vasili ironizon kreun e qeverisë, duke shkruar: “Të mëncurit flasin, sepse kanë dicka për të thënë. Budallenjtë flasin, sepse dicka duhet të thonë”.

Statusi i plotë i Petrit Vasilit:

Lexova Elez Biberajn, qe foli se kishte diçka per te thene.

Lexova dhe Edi Ramen, qe foli, se diçka duhet te thoshte dhe mu kujtua shprehja e famshme:

“Te mëncurit flasin, sepse kanë dicka për të thënë.  Budallenjtë flasin, sepse dicka duhet të thonë !”

 

Letra e plotë e Ramës drejtuar Elez Biberajt: 

E kam lexuar jo pa keqardhje, fjalën Tuaj në ceremoninë e përvjetorit të 110-të të gazetës “Dielli”. Konsiderata personale për Ju, e lidhur me historinë e një marrëdhënieje të posaçme në distancë, krijuar tash e thuajse 30 vjet më parë, në momentet e lavdishme të Zërit shqiptar të Amerikës, ma imponon që t’Ju drejtohem publikisht.

E gjej për të ardhur keq gjuhën e përdorur prej Jush lidhur me qeverisjen time. Aspak jo pse Ju jeni kritik për të. Por sepse, në shtjellën Tuaj ka më shumë etiketime fyese e të pavërteta të vrazhda, se sa argumenta e fakte burimore.

Duke i’u referuar shembullit “të disa udhëheqësve të tjerë europiano-lindore”, Ju thoni ndër të tjera se, “Rama është bërë dukshëm më i korruptuar”! Nuk po merrem këtu me etiketimet e tjera. Fundja ato janë opinione dhe është e drejta Juaj të mendoni, se unë qenkam bërë “më autoritar, më arrogant dhe më jo transparent”.

Por desha t’Ju pyes zoti Elez, a e dini Ju se “i korruptuar” është akuzë ligjërisht e rëndë e jo opinion dhe a keni Ju ndonjë provë për ta mbështetur këtë akuzë?!

Natyrisht kjo është një pyetje retorike. Sepse deri më sot, askush nuk ka sjellë dot asnjë provë, për ta mbështetur etiketimin e rëndë “i korruptuar”, lëshuar rëndom në adresën time nga palë e individë të angazhuar publikisht, në fushata a në maskarada të shumta kundër meje. Por personi im ka lidhje me këtë etiketë, aq sa ç’ka lidhje kjo lloj gjuhe me gazetarinë e vërtetë!

Më tej, sipas Jush, unë paskam “ngushtuar hapësirën publike, minuar institucionet e pavarura, mbushur gjyqësorin me besnikë nën maskën e reformave”! Ama për çudinë më të madhe, tërë këto thagma i paska zbuluar vetëm opozita, disa media online pranë saj dhe disa të vetëdeklaruar analistë – të cilëve Ju i bashkoheni, duke përsëritur akuzat e tyre një për një dhe me të njëjtën vrazhdësi.

Unë në fakt zoti Elez, e pranoj dhe e pranoj me krenari, se kam minuar një sistem të tërë të kalbur e të korruptuar drejtësie! E kam bërë hapur dhe vendosmërisht, duke marrë përsipër çdo risk e kosto të mundshme politike dhe jo nën maskën e një reforme, po përmes pikërisht Reformës në Drejtësi. E cila është mbështetur dhe vazhdon të mbështetet pa asnjë ekuivok, qysh prej ditës së parë, nga çdo partner ndërkombëtar i Shqipërisë. Madje konsiderohet prej tyre një model për t’u shtrirë në të gjithë rajonin tonë.

A e dini Ju se partnerët tanë amerikanë dhe evropiane e mbikëqyrin këtë reformë në çdo hap edhe përmes një Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit?!

Padyshim edhe kjo është një pyetje retorike. Sepse s’ka se si Ju të mos e dini se deri më sot, ata nuk kanë konstatuar asnjë minim apo cënim institucionesh të pavarura dhe asnjë ndërhyrje nga ekzekutivi për të futur besnikë në gjyqësor. Përkundrazi, ata e konsiderojnë procesin e pastrimit të gjyqësorit jo vetëm të suksesshëm deri këtu, po një garanci për pavarësinë e për besueshmërinë e institucioneve që po ndërtojmë nga themelet, pas dekadash kalbëzimi e rrënimi të tyre.

Është befasuese që Ju të flisni për gjyqësor të mbushur me besnikë, sepse e vërteta është që kaq larg s’ka shkuar askush, as brenda vetë oborrit opozitar, përveç Dr.Berishës! Dhe jo se është ndonjë mëkat i paamnistueshëm, që dikush të përsërisë fjalët e zotit Sali për të shprehur një opinion të ngjashëm, po unë besoj se është e pajustifikueshme për një gazetar apo një drejtues tribune mediatike, që një akuzë kaq shembullore në pavërtetësinë e saj, t’ia përcjellë audiencës si fakt mbi qeverisjen e këtij vendi.

Ju thoni se unë paskam “refuzuar të dënoj rastet e shumta skandaloze për korrupsionin, përfshirë publikimin e përgjimeve” për blerje votash! Madje u paskam “ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë edhe përkundër të dhënave të qarta për korrupsion dhe bashkëpunim me grupe të krimit të organizuar dhe trafikëve të drogave”.

Pyetja retorike në këtë rast mund të keqkuptohej, prandaj edhe s’po e bëj! Por dua t’Ju kujtoj, se siç Ju nuk jeni as prokuror e as gjykatës, edhe pse në këtë rast keni marrë përsipër ta luani këtë rol, as unë nuk jam prokuror apo gjykatës dhe s’kam ndërmend ta marr përsipër një rol të tillë. Kështu që s’kam as se si dënoj njerëz për çfarëdoqoftë, as se si refuzoj të dënoj kënd. Këtë detyrë e ka drejtësia dhe duhet ta bëjë vetëm ajo. Prandaj edhe Ju s’mund të tregoni dot një rast të vetëm, kur unë apo qeveria ime të kemi ofruar qoftë edhe mbrojtje verbale nga drejtësia për këdoqoftë, se pandëshkueshmëri siç bënte rregullisht paraardhësi im dhe qeveria e tij, jo e jo.

Nga ana tjetër, e keni përmendur edhe Zërin e Amerikës, duke thënë se qenka sulmuar në mënyrë befasuese nga unë. Ju siguroj se ato çka Ju quani sulme befasuese, kanë qenë thjesht shprehjet e sinqerta të befasisë sime, për faktin e pazakonshëm se një tribunë e respektuar, me standarde të mira profesionale si VOA, ra nën nivelin e standardeve të veta në dy raste konkrete. VOA nuk respektoi për fat të keq, asnjë parim profesional në rastin e transmetimit të një përgjimi të nxjerrë nga një dosje hetimore, me një koment të vetin kriminalizues pa asnjë bazë faktike më shumë se sa vetë përgjimi (i cili siç e dini, nuk përbën provë në vetvete, në asnjë gjykatë të botës). Ndërsa në rastin tjetër VOA dizinformoi, duke bërë një mishmash e duke përfshirë persona pa lidhje në “aktakuzën” e vet dhe ende më keq, duke refuzuar publikimin e sqarimit të ministres së drejtësisë, e cila me fakte lehtësisht të verifikueshme mbi punësimet në sistemin tonë penitenciar e hodhi poshtë “aktakuzën”. Si një gazetar e drejtues me shumë përvojë në botën e medias, Ju duhet ta dini se gjysëm të vërtetat e servirura si zbulime, janë edhe gënjeshtrat më të mëdha publike.

Ju gaboni krejt kur thoni se sot shqiptarët “duhet të mbështeten tek mediat ndërkombëtare, përfshirë Zërin e Amerikës, për mbulimin e çështjeve të ndjeshme”. E vërteta është se në asnjë rast këto vitet e fundit, shqiptarët s’e kanë mësuar një çështje të ndjeshme nga mediat ndërkombëtare apo nga Zëri i Amerikës, përpara se sa ta kenë lexuar e dëgjuar të komentohet gjerësisht në mediat e vendit.

Ju i quani kërcënuese reagimet e mia ndaj “kazanit” (s’kam gjetur dot një fjalë më të përshtatshme në shqip, për të karakterizuar mallin fake news) edhe pse ato janë “mesazhe dashurie”, krahasuar me sharjet brutale e shantazhet nominale të gazetarëve jo shumë vite më parë – atëherë kur kryeministri i Shqipërisë e quante bash gazetën New York Times “një letër higjenike”! Asnjëherë si apo sa sot, nuk është sharë e baltosur në liri të plotë qeveria e personalisht kryeministri, pa i hyrë gjemb në këmbë askujt, as si person e as si organ mediatik i çfarëdo lloji. Kështu që pa asnjë merak për lirinë e shtypit në këtë vend zoti Elez, sepse kërcënuesit e vërtetë të saj nuk janë më në pushtet dhe me mua kadrinjve mediatikë mund t’u hasë sharra në gozhdë kur replikoj, po kurrë s’u has mishi në shkop a veshi në baltë.

Sa për sfidën e vazhdueshme që unë i paskam bërë “vetë parimit të shtypit të pavarur” duke krijuar median time televizive në internet ERTV, më duhet t’ju them se ishte një pasazh që më bëri për të qeshur.

Me shpresën se gjithë sa më lart do t’i prisni si gjithnjë i buzëqeshur, Ju lutem i nderuari mik të pranoni bashkë me konsideratën time të patrazuar, edhe urimet e mia më të sinqerta për shëndet e punë të mbarë. Edi

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY