I përfshirë në masakrën në ish bllok, si doli nga burgu Ervin...

I përfshirë në masakrën në ish bllok, si doli nga burgu Ervin Mata

163
0
Shares

Gjykata e Apelit Tiranë rrëzoi dje kërkesën e Prokurorisë për të caktuar “Arrest me burg” për Ervin Matën, duke konfirmuar masën “Detyrim paraqitjeje”, dhënë nga Shkalla e Parë disa javë më parë.

Mata është përfshirë në përplasjen me armë zjarri në ish-Bllok muaj më parë, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj dhe Eljon Hato. Në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, treshja gjykuese e Apelit me relator Artur Kalanë, e vlerësoi të drejtë vendimin e Shkallës së Parë, dhënë nga gjyqtari Artan Gjermeni.

Gjatë seancës së djeshme, ku Prokuroria kërkoi arrestimin e Matës, pasi masa e sigurisë dhënë nga Shkalla e Parë, sipas tyre nuk i përgjigjet rëndësisë dhe rrethanave të çështjes, 31-vjeçari nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati i tij, Alban Bengasi.

Ky i fundit kërkoi lënien në fuqi të vendimit dhe hetimin në gjendje të lirë. Kështu, për sa kohë klienti i tij është vetëdorëzuar do të jetë i gatshëm për Prokurorinë, ndërsa shtoi se nuk kishte lidhje me ngjarjen e rëndë të tetorit të vitit që lamë pas. Kujtojmë se në lidhje me këtë ngjarje, në pranga është vetëm Ervis Martinaj, ndërsa në kërkim vazhdon të jetë komandoja Mevjol Bilo, i cili dyshohet se është personi që ka qëlluar për vdekje Gaxhën dhe ka plagosur Martinajn dhe Haton.

NGJARJA

Ngjarja për të cilën është nën hetim Ervin Mata ndodhi më 4 tetor 2018, rreth orës 21:30 në ish-Bllok, ndërsa rreth 12 orë pas ngjarjes, Policia njoftoi se bëri arrestimin në flagrancë të shtetasve Ervis Martinaj, 36 vjeç, banues në Tiranë, dhe Elion Hato, 28 vjeç, banues në Shkodër. Ndërsa shpalli në kërkim shtetasit Ervin Mata, 31 vjeç, banues në Tiranë; Fabiol Allushaj, 42 vjeç, banues në Tiranë, të dy të vetëdorëzuar; dhe Mevjol Bilo, 41 vjeç, banues në Tiranë.

“Këta shtetas, mbrëmjen e së enjtes së 4 nëntorit, në rrugën ‘Ibrahim Rugova’ janë konfliktuar në ambientet e brendshme të lokalit ‘Monopol’, duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit, ku si pasojë e të shtënave mbeti i vrarë shtetasi Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj e Elio Hato”, bëri të ditur Prokuroria. Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Tiranës thuhet se rreth orës 20:37, pra 1 orë para ngjarjes, nga dyqan “Monopol” ka dalë shtetasi Ervin Mata, i cili ishte duke folur në telefon dhe sipas deklarimit të dhënë nga Redi Popesku, Ervini del jashtë për t’u takuar me të fejuarën e tij për të shkëmbyer një çelës shtëpie. Ajo e kishte parkuar automjetin e saj në rresht për dy. Në momentin që Ervini ka qenë duke bashkëbiseduar me të fejuarën, në rresht të tretë ka kaluar një automjet dhe personi apo personat që kanë qenë brenda tij kanë ngacmuar të fejuarën e Ervinit.

Ky automjet ka vazhduar qarkullimin drejt “KFC” dhe për një moment ndalon dhe kryen manovrën e ecjes mbrapa dhe pasi qëndron aty, afrohet shtetasi Ervin Mata, pamje të cilat janë regjistruar nga DVR e subjektit “KFC”. Rreth 10 sekonda më pas, te vendi ku automjeti kishte ndaluar dhe bisedonte me Ervin Matën afrohet edhe shtetasi Mevjol Bilo dhe bisedojnë me personin apo personat që ndodhen brenda në automjet, ku vërehet se Ervini e shtyn me dorë shtetasin Mevjol Bilo, me qëllimin për ta larguar. Ky person, i cili më vonë është identifikuar si Eldi Dizdari, nga Redi Popesku është përshkruar si një ish-mik i ngushtë i Matës.

Eldi Dizdari është shpallur në kërkim policor, në mënyrë që të merret dëshmia e tij për ngjarjen. Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë për zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje janë shtrirë përtej ngacmimit të të fejuarës së Matës, këngëtares Elvana Gjata. Nga hetimet për prishje të pazareve të drogës, te prishjet e marrëveshjeve në biznes janë duke u verifikuar nga Prokuroria, ndërsa gjatë kësaj kohe Mata do të qëndrojë në masën “Detyrim paraqitjeje”.

Përplasja me armë, në pranga vetëm Ervis Martinaj

Prej muajit tetor, Prokuroria e Tiranës është duke hetuar për zbardhjen e përplasjes me armë në ish-Bllok, ndërsa i vetmi i cili është në burg është Ervis Martinaj, për të cilin hetimet e akuzës shkuan më larg se vetëm përplasja më 4 tetor.

Fillimisht, Gjykata dha vetëm 30 ditë burg për të, por pas ekspertimit të telefonit të 36-vjeçarit u zbuluan mesazhe që e komprometonin në konfliktin me armë, si person i cili ka njoftuar miqtë e tij të shkonin me armë në vendin ku ndodhi ngjarja e rëndë. Por Prokuroria i shtoi edhe një tjetër akuzë, atë të “Pastrimit të veprës penale” ose veprimtarisë kriminale, kjo për shkak të transfertave dhe shumave që Martinaj disponon, ndërkohë që nuk arrin t’i justifikojë dot.

Në lidhje me ngjarjen pati shumë arrestime, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë lënë nga Gjykata në masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, sepse pas hetimeve paraprake ka rezultuar se nuk kanë qenë të implikuar drejtpërdrejt në konflikt.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY