EMRA/ Nga vëllai i Arian Çanit te motra e Frangajt, kush janë...

EMRA/ Nga vëllai i Arian Çanit te motra e Frangajt, kush janë të spastruarit në diplomaci

1203
0
Shares

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka marrë vendimin për të bërë disa ndryshime në sektorin që mbulon. Fillimisht foli për më shumë se 20 shkarkime dhe transferime të diplomatëve që, sipas tij, “nuk përmbushin as kushtet ligjore, as kushtet minimale profesionale për kryerjen e kësaj detyre.”

Reagimet për këtë spastrim në një prej sektorëve më të rëndësishëm dhe më delikat të shtetit ishin të shumta, ndërkohë që Cakaj bëri sot një tërheqje duke theksuar se nuk bëhet fjalë saktësisht për 20 shkarkime nga puna dhe se deklarata e tij ishte cituar gabim.

“E para citimi i deklaratës sime nuk ishte saktë për faktin që kam vendosur të shkarkoj 20 punonjës. Unë kam thënë se me një pjesë të punonjësve është bërë shkëputja e marrëdhënies së punës dhe një pjesë do bëhet transferimi. Por nuk janë bërë 20 shkarkime nga puna”, u shpreh Cakaj në Komisionin e Integrimit.

Politiko.al, nga burime të mirinformuara brenda Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, mëson se diplomatëve nuk u është bërë ende e ditur një listë zyrtare me shkarkimet dhe transferimet, ndonëse Cakaj tha në konferencë se edhe shpallja e vendeve vakante është gati. Fakti që lista nuk bëhet zyrtarisht publike ngre dyshimet se paralajmërimet e Cakajt po përdoren për të ushtruar presion kryesisht ndaj përfaqësuesve të medias në Shqipëri, familjarët e të cilëve janë pjesë e shërbimit të jashtëm.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se janë të paktën shtatë diplomatë që pritet të shkarkohen ose të transferohen në Tiranë nga kryeqendrat evropiane ku shërbejnë aktualisht.

Bëhet fjalë për:

-Xhuli Keko, e veja e shkrimtarit Teodor Keko – Diplomate në Ambasadën e Shqipërisë në Holandë.

-Majlinda Dodaj, motra e Aleksandër Frangajt, pronar i Tv Klan – Diplomate në Ambasadën e Shqipërisë në Vatikan.

-Pranvera Skana, ish-bashkëshortja e Henri Çilit, pronar i ‘UET’ – Diplomate në Ambasadën e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar.

-Gerarta Ballo, vajza e Artur Zhejit, gazetar dhe drejtues i emisionit ‘360 gradë’ – Diplomate në Ambasadën e Shqipërisë në Itali.

-Alket Çani, vëllai i Arjan Çanit, gazetar dhe drejtues i emisionit ‘Zonë e Lirë’ – Diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Francë.

-Inid Milo, vajza e Paskal Milos, ish-ministër i Jashtëm – Drejtuese e Drejtorisë së NATO-s pranë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Besjan Zogaj, djali i Preç Zogajt, shkrimtar dhe analist – Diplomat pranë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Një pjesë e këtyre diplomatëve shërbejnë për më shumë se një dekadë në përfaqësitë e Shqipërisë, ndërkohë që në korridoret e Ministrisë konsiderohen “viktimat” e para të Cakajt.

Politiko.al mëson se në krye të grupit që ka hartuar listën dhe që po mbahet e fshehtë ka qenë vetë Gent Cakaj dhe pjesë përbërëse e tij kanë qenë Gazmend Barbullushi, Sekretar i Përgjithshëm, dhe Dastid Koreshi, shef i Kabinetit.

Dyshimet për përdorim politik të vendimit për të bërë spastrime në diplomaci shtohen jo vetëm për faktin se emrat e të prekurve nuk po zyrtarizohen publikisht, por edhe për shkak të ndërhyrjeve që po vijnë nga eksponentë të lartë të mazhorancës socialiste. Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaroi sot se i duket pak numri me 20 të shkarkuar, pasi shërbimi i jashtëm është larg nivelit për të cilin kanë nevojë shqiptarët.

Ndërkohë, përveç presionit përballë të cilit mund të gjenden gazetarë dhe drejtues të medias në Shqipëri, shumë analistë dhe politikanë e konsiderojnë në të vërtetë lëvizjen e Cakajt si goditje të kryeministrit Edi Rama ndaj ‘grupit’ të ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Por kjo nuk mund të konfirmohet deri në momentin kur ministri ‘de jure’ të urdhërojë ministrin ‘de facto’ të bëjë publike listën. Ndërsa debati për ligjin e shërbimit të jashtëm mbetet i hapur… /Politiko.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY