Probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës, KPK shkarkon kryegjyqtarin

Probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës, KPK shkarkon kryegjyqtarin

163
0
Shares

KPK ka shkarkuar kreun e Gjykatës së Përmetit Pashk Gjaci, për shkak se i janë gjetur problem me pasurinë, si dhe me pastërtinë e figurës.

Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, Pashk Gjaci u përball të hënën për dy orë e gjysmë gjatë seancës dëgjimore me gjetjet e Komisonit të Pavarur të Kualifikimit të përbërë nga Olsi Komici kryesues, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Roland Ilia anëtar.

Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Mia Rosing. Relatorja Sanxhaktari evidentoi problematikat që komisioni kishte konstatuar në pamundësinë e gjyqtarit për dokumentimin ligjor të pasurive që zotëron dhe burimit të krijimit të tyre.

Gjithashtu probleme u konstatuan edhe në pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin e gjyqtarit Gjaci, i cili pranoi se provat që kishte dorëzuar nuk janë në formën e duhur ligjore ndërsa argumentoi se pasurinë e tij e kishte vënë si produkt i investimeve të suksesshme në prona të patundshme.

Gjaci ka punuar si avokat për një dekadë deri në vitin 2010 kur u emërua kryetar i gjykatës së Përmetit, ndërsa të ardhurat e tij të vetëdeklaruara vijnë nga puna si avokat, nga paga si gjyqtar, nga paga e bashkëshortes si dhe nga fitimet nga pronat e patundshme.

Pasuritë pa dokumente ligjore

Sipas raportit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit(ILDKPKI), të dorëzuar në KPK, Kryetari i Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë, ka burime të ligjshme, por ka kryer deklarim të rremë e fshehje pasurie. Ndërkohë ILDKPKI nuk e ka gjetur gjyqtarin në kushtet e konfliktit të interesit.

Sanxhaktari u shpreh se lidhur me një ndërtesë 21 m2 në Fan të Mirditës të blerë në vitin 1995, me vlerë të deklaruar 2800 lekë, nuk është pasqyruar burimi të ardhurave. Ndërkohë, nga verifikimi ka rezultuar se kjo ndërtesë është blerë për 12,800 lekë dhe se nga rivlerësimi i kryer në vitin 2011, është konkluduar se vlera e kësaj ndërtese 700 mijë lekë.

Ndërsa ndërtesa tjetër, po në Fan, me sipërfaqe 300 m2 dhe truall 320 m2 e privatizuar në vitin 1995 në vlerën e 163,800 lekëve, është rivlerësuar 9 milionë lekë në vitin 2011. Sanxhaktari u shpreh se janë konstatuar probleme në deklarimet e kësaj pasurie. Komisioni ka evidentuar si pronë të gjyqtarit edhe një sipërfaqe tokë 2406 m2 në lagjen nr.5 në Laç, me vlerë 1.7 milionë lekë. Sipas Sanxhaktarit, kjo pronë rezulton të jetë ndarë në vitin 2011. Si burim të krijimit të kësaj pasurie, gjyqtari Gjaci ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga puna si avokat në vitin 2009.

Komisioni ka konkluduar se gjyqtari Gjaci nuk ka paraqitur dokumentacion për burime të ligjshme të babait, që është deklaruar si kontribuues në 50% të kësaj pasurie. Sanxhaktari sqaroi se subjekti ka deklaruar se i ati ishte në pension dhe punonte njëkohësisht, por nuk ka mundur t’i vërtetojë me dokumente ligjore këto të ardhura.

Probleme me figurën

Sipas raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), ndaj gjyqtarit pash Gjaci është regjistruar një procedim penal për shpërdorim detyre nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, e cila ka vendosur të pushojë hetimin në vitin 2015. Sipas Sanxhaktarit, subjekti ka shpjeguar para komisionit se procedimi penal i nisur ndaj tij është pushuar me argumentin se fakti penal nuk qëndron. Ndërkohë, komisioni ka kryer hetim edhe për një vendim gjyqësor në Përmet që nuk ishte publikuar në faqen elektronike të Gjykatës së Përmetit, që më pas është gjetur i publikuar nga Gjykata e Gjirokastrës.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY