“OSBE të deklarohet për depolitizimin e plotë të zgjedhjeve”

“OSBE të deklarohet për depolitizimin e plotë të zgjedhjeve”

81
0
Shares

Partia ZGJIDHJA kërkon nga OSBE që të deklarohet për depolitizimin e plotë të zgjedhjeve. Sipas kësaj partie situata sot me djegien e mandateve të PD-LSI nuk është një sajesë, por është krizë e sistemit politik.

Deklarata e partisë ZGJIDHJA

Prezenca e OSBE-së u solidarizua dje me thirrjen e KQZ-së drejtuar partive politike për të dorëzuar emrat e komisionerëve për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. “Vonesat në propozimin e komisionerëve pengojnë trajnimin e tyre të rregullt dhe, si pasojë, vënë në rrezik zhvillimin e procesit zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare”-deklaronte OSBE-ja, për të cilën zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të ardhur në pushtet dhe partitë politike janë përgjegjëse për besueshmërinë e zgjedhjeve në sytë e zgjedhësve shqiptarë.

ZGJIDHJA e ka deklaruar se situata sot me djegien e mandateve të PD-LSI nuk është një sajesë, por është krizë e sistemit politik që është instaluar në Shqipëri në këto tri dekada tranzicion, duke krijuar në vend një regjim hibrid. Kjo është situata më e rëndë ku ka qenë Shqipëria. OSBE duhet ta ketë të qartë dhe ta shprehë publikisht se reforma zgjedhore që premtoi qeveria nuk korrigjon asgjë nga defektet e rënda të demokracisë. Prej 25 vitesh zgjedhjet në Shqipëri janë të blera, por OSBE, në çdo raport, thotë se ato ishin një hap përpara. Kërkesa kryesore dhe e panegociueshme për reformën zgjedhore është depolitizimi i administratës zgjedhore. Pa largimin e të emëruarve nga PS, PD dhe LSI nga KQZ-ja, çdo reformë është fake. OSBE-ja, që është në Shqipëri prej vitit 1991, e di shumë mirë se vjedhja e zgjedhjeve në këtë vend nuk është bërë me luftë mes partive, por me marrëveshje. Shembulli më i freskët ishin zgjedhjet parlamentare 2017 dhe rinumërimi i 64 kutive në Tiranë tregoi se ishin manipuluar rreth 90 për qind e votave dhe votat e partive ishin ndarë mes partive që kishin komisionerë. Për OSBE-në kjo nuk vlente për t’i shpallur të paligjshme zgjedhjet, sepse, sipas saj, këto nuk e ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve.

ZGJIDHJA i thotë OSBE-së se kjo është rruga antidemokratike dhe antipluraliste për të vrarë që në gjenezë partitë e reja, votat e të cilave janë vjedhur sistematikisht nga dy-tri partitë që administrojnë procesin zgjedhor. Pa plotësuar tri kushte siç janë depolitizimi i administratës zgjedhore, barazi në zgjedhje për të gjithë operatorët politikë dhe përfaqësimi i popullit në zgjedhje, përmes kandidatëve të zgjedhur prej tij jo nga kryetarët e partive, zgjedhjet në Shqipëri do të jenë vazhdimi i kompromiseve që ndërkombëtarët kanë bërë dhe bëjnë me autokratët e Tiranës.

ZGJIDHJA inkurajon OSBE-në, sa nuk është vonë, që të flakë tutje politikën e kompromiseve që ka bërë me partitë e vjetra në të shkuarën dhe të deklarohet hapur kundër një KQZ-je politike. Ajo duhet të ngulmojë për zbatimin e rekomandimeve që ka bërë vetë për reformën zgjedhore, për ta bërë atë gjithëpërfshirëse, që zgjedhjet në vend të përmbushin kriterin kushtetues: të lira dhe të barabarta.

#ZgjidhjaPerShqiperine

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY