DW: Opozita zhvilloi një nga protestat më masive, 25 mijë njerëz në...

DW: Opozita zhvilloi një nga protestat më masive, 25 mijë njerëz në shesh

93
0
Shares

Në Tiranë opozita zhvilloi të shtunën një nga protestat më masive të saj. Protesta filloi e qetë, por gjatë marshimit të protestuesve para parlamentit pati tensione dhe u përdor edhe gazi lotsjellës.

Opozita dhe mbështetësit e saj zhvilluan në Tiranë protestën e tyre të pestë, në serinë e protestave anti qeveritare, për të cilën kishin paralajmëruar se do të ishte më masivja dhe do të shënonte largimin e kryeministrit Rama. Masiviteti është tipari më i dukshëm që e dallon protestën e djeshme nga katër të mëparshmet, të zhvilluara brenda  një muaji.

Sipas burimeve zyrtare, në protestë morën pjesë rreth 25.000 vetë, burime të PS folën për deri 9 mijë vetë. Ndërsa sipas Partisë Demokratike, protestuesit erdhën në Tiranë nga të gjitha rrethet e vendit duke arritur në pjesëmarrjen e mbi 50 mijë vetëve. Sipas vlerësimit të korrespondentes së DW në Tiranë, protesta e sotme është më masivja. Mediat në Tiranë japin për këtë të dhëna kundërthënëse.

Motivet e protestuesve: Papunësia, emigrimi i rinisë, gjendja e vështirë ekonomike

Ajo u karakterizua nga të njëjtat akuza ndaj qeverisë Rama dhe të njëjtat kërkesa: opozita akuzon kryeministrin Rama se ka fituar mandatin e tij të dytë në zgjedhjet parlamentare 2017 me korrupsion, blerje votash dhe lidhje me krimin e organizuar. Protestuesit kërkojnë largimin e tij, rrëzimin e qeverisë dhe një qeveri kalimtare që do ta ҫojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Motivet kryesore të protestuesve mbeten papunësia, emigrimi i rinisë, gjendja e vështirë ekonomike. “Jam mekanik por jam që prej 6 vitesh pa punë. Shkoj punoj në Itali 3 muaj dhe kthehem prapë, se nuk kam dokumente dhe duhet të respektoj rregullat e lëvizjes pa viza. Por nuk ia dal të mbaj familjen, jetojmë në varfëri ” thotë për DW, një protestues nga Lezha.

Një motiv tjetër  janë pensionet shumë të ulta. “Kam marrë pjesë në të gjitha protestat  e të djathtës. Për mua ky sistem nuk funksionon. Rinia po ikën, fëmijët e mi nuk jetojnë këtu, pensionet janë shumë të ulta, na ndihmojnë fëmijët, përndryshe do jetonim në mjerim”  thotë për DW, Brunilda Sakiqi nga Tirana. Ndryshe nga protestat e mëparshme, protesta e sotme u zhvillua në formë marshimi duke kaluar nga kryeministria, Ministria e Brendshme dhe Parlamenti.

Protest Opposition Albanien Tirana (DW/A. Ruci)

Protesta  fillon paqësisht, vijon dhunshëm

Policia e shtetit i është përgjigjur marshimit masiv të protestuesve me rritjen e masave të sigurisë. Rreth 1600 policë janë angazhuar për ruajtjen e rendit dhe sigurimin e institucioneve shtetërore nga akte të mundshme dhune, nisur nga precedentë dhune në protestat e mëparshme. Kryemnistria u rrethua me rrjeta teli dhe mbrojtje metalike në dyert e saj kryesore. Për tre orë rrjesht protesta u zhvillua pa incidente dhune, me tek-tuk shpërthimin e shashkave dhe tymit para kryeministrisë. Por kur marshimi i protestuesve arriti para Parlamentit, protesta degjeneroi në dhunë. Protestuesit tentuan të thyejnë kordonin e policëve, gjë që solli përleshje me forcat e policisë, përdorimin e gurëve dhe sendeve të forta kundër forcave të rendit. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të zmbrapsur sulmin ndaj parlamentit. Nga gurët dhe sendet e forta u plagosën disa policë dhe janë lënduar protestues nga gazi lotsjellës. Të dyja palët po marrin ndihmë mjekësore në spitalet e Tiranës.

BE dhe SHBA- thirrje të papërfillura

BE dhe SHBA përsëritën apelin e tyre këmbëngulës drejtuar liderve të opozitës që protesta të jetë paqësore dhe pa dhunë. Por edhe në protestën e sotme duket se ky apel nuk u dëgjua nga të gjithë protestuesit. Gjithashtu nuk ka ende asnjë sinjal për t’iu përgjigjur apelit të tyre lidhur me emergjencën e dialogut mes palëve. Opozita ka deklaruar, se do të vijojë protestat e saj deri në largimin e kryeministrit Rama. Por ky i fundit nuk pranon të pranojë atë që ai e quan ” marrje pushteti në tavolinë” duke argunmentuar se „do të plotësojë mandatin qeverisës” që i kanë dhënë votuesit deri në 2021, kur janë zgjedhjet parlamentare të radhës.

Mesazh BE dhe faktorit ndërkombëtar – No stability without democracy!

Opozita deklaroi përsëri se do të vijojë protestat e saj deri në largimin e kryeministrit Rama dhe rrëzimin e qeverisë së tij. BE i shikon protestat e opozitës si tregues i mungesës së stabilitetit në Shqipëri dhe deklaron se situata  nuk ndikon pozitivisht në vlerësimin e Brukselit për mundësinë e hapjes së  negociatave të anëtarësimit me BE, në qershor të këtij viti.  BE ka bërë thirrjre për dialog emergjent mes qeverisë dhe opozitës, gjë që deri tani nuk ka ndodhur. Por lideri i PD, forcës politike që drejton protestat, në fjalën e tij në mbyllje të protestës u tha “miqve perëndimorë” se „No stability, without democracy”, – nuk ka stabilitet pa demokraci; “No stability without equality before the law! – nuk ka stabilitet pa barazi para ligjit.

BE dhe SHBA i konsiderojnë „legjitime” Parlamentin dhe qeverinë e dalë nga zgjedhjet parlamentare  2017 e i sjellin në vëmendje opozitës pranimin e rezultatit të tyre dhe nuk përligjin kontestimin pas dy vite e gjysmë. Në mënyrë unanime ato kanë dënuar heqjen dorë “en block” te deputetëve të opozitës nga mandatet e tyre parlamentare duke e cilësuar atë „ një veprim destruktiv që minon demokracinë dhe rrugën e Shqipërisë drejt BE”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY