VIDEO/Basha për deputetët e rinj: U shitën dhe u blenë si bagëti

VIDEO/Basha për deputetët e rinj: U shitën dhe u blenë si bagëti

83
0
Shares

Lideri demokrat  Lulzim Basha i ndodhur mes studentëve dhe pedagogëve në Durrës iu drejtua dhe deputetëve të cilët pranuan mandatet dhe u bënë pjesë e parlamentit.

Shikoni si i trajton deputetët, si bagëti që shiten e blihen si në pazar të Milotit. A ka shenjë më të qartë të degradimit të këtij pushteti, sesa shit-blerja, e të ashtuquajturve deputetëve të opozitës së re si të ishin bagëti”,- u shpreh Basha.

Nga ana tjetër, Basha kërkoi pjesëmarrjen e studentëve në protestë teksa rikujtoi që protesta e tyre më herët solli pranverën.

“Protesta e studentëve solli më herën pranverën dhe i parapriu këtij zgjimi kombëtar dhe bashkimit të shqiptarëve që kanë marrë tashmë vendimin. Zot në shtëpinë e Shqiptarëve nuk do jenë më kriminelët, por do jenë vetë shqiptarët. Rama u kap Në flagrancë duke vjedhur vota, ndërsa Vangjush Dako e ka vendin në burg. Dako u pasurua në kurriz të qytetarëve.”- tha Basha.

FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË TAKIMIN ME TË RINJ, STUDENTË E PEDAGOGË NË DURRËS

Të rinj e të reja, studente dhe studentë!

Ju falenderoj jo vetëm për mikpritjen, por edhe për entuziazmin, shpresën dhe besimin që përçoni sot nga Durrësi. Ju falenderoj në emrin tim, ju falenderoj në emër të gjithë shqiptarëve, sepse ata kanë nevojë. Njerëzit kanë nevojë për shpresë, njerëzit kanë nevojë të besojnë se e nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja që po lëmë pas dhe ku ka garanci më të bukur se rinia, se studentët, se të rinjtë nga Durrësi dhe në të gjithë Shqipërinë.

Mirënjohje e veçantë edhe për pedagogët e Universitetit të Durrësit, që na janë bashkuar sot në këtë takim, të cilët kanë qënë në krahun tuaj si rrallëherë, edhe në universitetet e tjera ka qënë kjo, por në Universitetin e Durrësit kanë qënë në krahun tuaj prej ditës së parë, në protestën e drejtë të studentëve, e cila e solli më herët pranverën. E solli në fakt në mes të dimrit dhe i parapriu këtij zgjimi kombëtar, i parapriu bashkimit të shqiptarëve, të cilët tashmë e kanë marrë vendimin: Zot në shtëpitë e durrsakëve, Zot në shtëpitë e shqiptarëve nuk do të jenë më as kriminelët, as hajdutët, as oligarkët, as perversët, as servilët, as dinakët, as hipokritët, hileqarët, të cilët kanë marrë peng tash gjashtë vite shtetin dhe qeverisjen, kanë marrë peng ekonominë.

Njësoj, si në çdo qark tjetër, Edi Rama ka ardhur në pushtet me krimin. Nuk është thjesht shitblerje votash, Edi Rama është kapur në flagrancë duke vjedhur votat me krimin e organizuar, duke mbushur kutitë me krimin e organizuar dhe duke kërcënuar e shantazhuar qytetarët me krimin e organizuar. Ne e denim këtë, qytetarët e dinin këtë, por tashmë janë mediat ndërkombëtare që kanë botuar fashikujt e dosjes hetimore “339”, me protagonist Vangjush Dakon, Gjushin I cili ka prodhuar për këtë qytet vetëm fatkeqësi, duke u pasuruar në kurriz të qytetarëve të Durrësit, duke shkatërruar një pasuri mijëra vjeçare kombëtare siç po bëhet gati edhe njëherë tek Veliera dhe ku kam besim të madh se qytetarët e Durrësit me rininë në ballë, do të çohen, do të ngrihen, do të protestojnë  dhe do ta ndalojnë me çdo kusht mjet këtë vendim kriminal.

Vangjush Dako e ka vendin në burg, jo se them unë, por se ajo dosje që i ka kushtuar karrigen edhe Fatmir Xhafës e kushedi se sa të tjerëve, është prova ligjore sesi ky njeri, bashkëpunëtori më i afërt i Edi Ramës, banka e Edi Ramës, bankomati i Edi Ramës, dhe kryefushatisti i Edi Ramës, fushatë I thënçin se fushatën e bërte me Niçen me shokë, ky njeri është zbuluar para syve të shqiptarëve dhe gjithë botës nga përgjimet zyrtare të prokurorisë shqiptare, si njeriu që i vuri kazmën votës së Durrsakëve.

Dhe aty është themeli i së keqes miqtë e mi! Prandaj, Universiteti I Durrësit rrethohet nga plehra që digjen, prandaj paratë që duhet të shkojnë për të vendosur gardhin I investon për të blerë kolltuqe të shtrenjta, perde dhe makina luksi. Sepse Gjush Dako, nuk është peng i fjalës së dhënë para qytetarëve, nuk është peng i fjalës së dhënë para studentëve. Njësoj si Edi Rama ata të dy janë pengje të krimit me të cilin kanë ardhur në pushtet.

Një qeveri e ardhur në pushtet me votat e krimit e ka lidhur fatin me kriminelët dhe nuk e ka lidhur fatin me qytetarët dhe kjo është arsyeja se pse që prej ditës së parë, kjo qeveri dhe ky kryebashkiak, çdo ditë kanë marrë masa kundër qytetarëve. Kanë rritur taksat, kur premtuan uljen e tyre.

E kanë bërë naftën dhe benzinën shqiptare më të shtrenjtën në Europë, kur premtuan jo uljen e çmimit për kategori të ndryshme; biznesin, fermerët, qytetarët.

E kanë palosur sistemin shendetësor, e kanë futur në krizën më të thellë në 28 vite tranzicion, sepse paratë që do të shkonin për pacientët, për përmirësimin e infrastrukturës spitalore, për mjekët, për infermierët, i vjedhin tre apo katër oligarkë me konçensione dhe PPP-të e famshme të shëndetësisë.

Nuk ka shembull më kriminal se sa ajo që ka bërë me universitetin. Ligji për arsimin e lartë, nisi si një ligj korruptiv jo për të ndihmuar studentët, për t’ju ndihmuar ju, jo për të ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, por për t’i shërbuer një grushti klientësh dhe për të centralizuar të gjithë vendimarrjen në duart e Edi Ramës dhe kukullës së tij në Ministrinë e Arsimit, pavarësisht sesi e quajnë, për të centralizuar gjithçka në duart e të parit të qeverisë, i cili sot ka të gjitha pushtetet.

Shikoni si e trajton parlamentin, si banjo publike. Shikoni si i trajton deputetët si bagëti që shiten dhe blihen si në Pazar të Milotit. A ka shenjë më të qartë të degradimit të një pushteti, se sa shitblerja e të ashtuquajturve deputetë të opozitës së re sikur të ishin bagëti?!

Ky sistem ka marrë fund dhe shqiptarët e treguan refuzimin e sistemit, me protestën më të madhe të 28 viteve në Shqipërinë më të tkurrur nga emigracionin, që është e vetmja vepër e Edi Ramës: largimi masiv I shqiptarëve. Por edhe ne e dëgjuam zërin tuaj, zërin e studentëve, zërin e qytetarëve, dhe vendosëm t’i japim fund fasadës së parlamentit, fasadës dhe kartolinës, ku, po, kishte qeveri, por janë dhe këta të opozitës, të cilëve kurrë nuk u dëgjohej asgjë.

Çuam amendamente për të ulur çmimin e naftës, e hodhën poshtë.

Çuam amendamente për të ulur çmimin e energjisë e hodhën poshtë.

Çuam amendamente për të rritur pensionet, i votuan kundër. Çuam paketën tonë për studentët, e votuan kundër. Çuam vettingun për politikanët, e votuan kundër.

Kurrë nuk u shfaqen në interpelanca për të dhënë llogari, jo para nesh por para votuesve, para qytetarëve. Sabotuan komisionet hetimore, sepse e dinin se do të dilnin lakuriq para shqiptarëve, të bërë njish me bosët e drogës. E pra, këtu erdhi momenti për të marrë një vendim të madh dhe vendimi ynë është I qartë: deputetët e Durrësit, të Partisë Demokratike nuk mund të rrinë në krah të Rrahman Rrahjes e JurgisÇyrbjes, por janë në krah të rinisë durrsake dhe qytetarëve të Durrësit.

Me këtë akt kurajoz, më në fund propaganda e Edi Ramës “se të gjithë janë njësoj”, vdiq. Ngordhi!Nuk jemi të gjithë njësoj. Nuk kemi qënë kurrë njësoj.

Ai solli kriminelët, ne I nxorëm I jashtë.

Ai e kanabizoi Shqipërinë dhe, ndërkohë që ne e denonconim, qeshte. Por doli e vërtetë.

Mbi atë kanabizim u ngrit industria e drogës që shkatërroi ekonominë shqiptare, që shkatërroi kursin e këmbimit, rriti çmimin e prodhimeve dhe shërbimeve shqiptare, uli fluksin e turistëve dhe futi ekonominë në kolaps, në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista që nuk gjeneron punësim, nuk gjeneron shpresë për të nesërmen.

E pra, kemi qënë të qartë në vendimet tona që prej ditës së parë, po kurrë s’kemi qënë më të qartë sesa kur I dhamë fund fasadës dhe bashkë me të, parlamentit të krimit dhe të hajdutërisë.

Këto janë faktet, këto janë të vërtetat dhe kushdo të gjejë sebep dhe arsye për t’u rreshtuar në krah të këtij gjysmagjeli parlament, në fakt, renditet kundër interest të qytetarëve, kundër interesave të Shqipërisë, kundër interesave të rinisë, renditet në krah të krimit të organizuar dhe në krah të hajdutërisë.

Provokimet që po bën me këta të mjerët që I peshkon andej e këtej, do të marrin përgjigjen e merituar nga qytetarët dhe opozita, duke filluar me të shtunën me 16 mars në protestën e mdhe që do të zhvillohet në Tiranë, ku ju ftoj të jeni të gjithë sëbashku për t’i treguar mbarë botës se koha kur vendin e sundonte një njeri me 5 kriminelë e 5 oligarkë, ka marrë fund.

Shqiptarët kanë vendosur ta marrin fatin e tyre në duart e tyre dhe nuk ka për të patur kthim pas, deri në fitoren e sovranit, deri në fitoren e qytetarëve, deri në fitoren e kauzës së drejtë të demokracisë dhe të lirisë, deri në fitoren e rinisë dhe të studentëve shqiptarë.

Të dashur të rinj e të reja, beteja që kemi nisur nuk është e lehtë. Largimi I Edi Ramës është vetëm fillimi I kësaj beteje. Ne duhet të largojmë bashkë me Edi Ramën të gjitha ata që u bënë pjesë e drejtëpërdrejtë e zhvatjes së Shqipërisë me PPP-të dhe koncensionetkorruptive. Ne do t’i çojmë para drejtësisë dhe paratë që u kanë vjedhur prindërve tuaj, do t’ua kthejmë qytetarëve shqiptarë, t’ia kthejmë shëndetësisë, t’ia kthejmë sipërmarrjes, t’ia kthejmë fermerëve, t’ia kthejmë pensionistëve, t’ia kthejmë studentëve dhe universiteteve shqiptare.

Ne duhet sëbashku të sigurojmë njëherë e mirë që vendi të ketë institucionet dhe rregullat kushtetuese dhe zgjedhore që kurrë më një njeri I vetëm, bashkë me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh, të mos marrë më peng të ardhmen tuaj. Mos t’ju zhysë në dëshpërim, mos t’ju vrasë apo të ju grabisë ëndrrat, mos t’ju fusë në kafaz ambiciet, mos t’ju fusë në depression prindërit, mos t’i detyrojë shqiptarët të ikin nga shtëpitë e tyre.Dhe që të ndodhë kjo na duhet ndihma juaj.

Në emër të Partisë Demokratike, në emër të opozitës, unë kërkoj sot ndihmën tuaj, të rinisë shqiptare, studentëve shqiptarë, që, përmes një dialogu dhe një konsulte kombëtare, të bëjmë një pakt kombëtar, jo vetëm për largimin e Edi Ramës, por për shembjen me themel të këtij regjimi dhe bandave të këtij regjimi, në mënyrë që, ashtu si në të gjithë Europën, zëri juaj të dëgjohet pa qënë nevoja të ngriheni në protestë për gjithçka. Të keni mundësi që, përmes mekanizmave ligjorë dhe kushtetues, përmes rregullave se si administrohet tuniversiteti, që zëri juaj të dëgjohet dhe vendimet mos të merren kurrë pa ju dëgjuar dhe respektuar ju dhe kërkesat legjitime.

Në Europë praktika është e qartë, studentët janë pjesë e vendimmarrjes në çdo universitet, pjesë reale e vendimmarrjes. Por që të ndodhë kjo në radhë të parë duhet të modernizojmë dhe demokratizojmë universitetet. Nuk mjafton thjesht më shumë buxhet për universitet. Si do të shpenzohen këto para, do të shpenzohen për kolltuqe, për mermer apo do të shpenzohen për laboratorë, për dixhitalizim, për konvikte dhe kushte për konviktorët, për subvencionin e qerasë që ka shkuar në nivele të papërballueshme, në 100- deri në 150 mijë lekë qera për ata që jetojnë në qytetin e Durrësit, apo jo? Nivele të papërballueshme edhe për pagën mesatare e jo më për paga minimale dhe për njerëzit që vijnë nga familje në nevojë ekonomike.

Pra, jo thjesht për çështje buxheti, por çështje administrimi, modernizmi të universiteteve në mënyrë, që zëri juaj të dëgjohet, duhet të garantohet vota në Këshillat Studentore, vota në bordet e Administrimit Universitar, ku zëri i studentëve dhe pedagogëve të jetë me votë më i fuqishëm se i administratorëve të qeverisë, pvarësisht se qeveria ka e duhet të vazhdojë të ketë detyrimin ta mbështesë me buxhet, me paratë e buxhetit çdo universitet publik, gjë që do të dyfishohet nën qeverisjen e Partisë Demokratike sipas planit që ne kemi bërë publik tashmë.

Miqtë e mi askush nuk e ka thënë më bukur se ju: Nuk jemi të varfër por jemi të vjedhur. Pengesa e vetme është qeveria e ardhur me krimin dhe që punon për krimin, e dalë nga krimi për interesat e krimit dhe të oligarkëve. Kjo është thirrja për 16 marsin. Kjo është thirrja për betejën që vazhdon e do të vazhdojë deri në fitoren e kauzës tonë, deri në fitoren e demokracisë, lirisë dhe Shqipërisë si gjithë Europa!

Keni një armik. Pa eufori por me vendosmëri duhet ta vazhdojmë këtë betejë ditë për ditë. Opozitën do ta keni në krah, të zhveshur nga çdo pushtet, mandat dhe privilegj në krahun tuaj dhe ju në krahun tonë, në bashkimin më të madh të shqiptarëve për të sjellë ndryshmin. Dhe ky ndryshim nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm rrotacion karrigesh, por duhet të jetë ndryshimi që do ta ndjeni ju, ta ndjeni cilësinë e mësimdhënies, ta ndjeni me mundësinë për t’u punësuar pasi të mbaroni shkollën, për maturantët ta ndjejnë mundësinë për të zgjedhur një degë dhe për të vazhduar atë pavarësisht prej statusit ekonomik apo social të familjes tuaj; mundësi, liri dhe vlera.

Kështu shkohet drejt Europës, me mundësi, me liri dhe me vlera. Jo mo monopole, jo me dhunë, jo me hilera dhe me gënjeshtra.

Pra, në përfundim më lejoni t’ju them se kjo është beteja më europiane që ne zhvillojmë të gjithë së bashku.Në Shqipëri rruga e Europës ka një pengesë, ai është Edi Rama dhe pakti i tij me krimin.

Ne do ta hapim rrugën drejt Europës, të gjithë së bashku.

Në Europë kur qeveria kapet duke vjedhur, ikën qeveria, nuk ikën populli refugjat.

Në Europë kur qeveria kapet duke vjedhur ata që kanë bërë vjedhjen shkojnë drejt drejtësisë.

Ne duam Europën këtu në Shqipëri, prandaj do ta largojmë këtë qevri, do t’ia kthejmë popullit vendimmarrjen dhe së bashku me ju do të bëjmë realitet kushtet, lirinë dhe mundësinë për Shqipërinë si gjithë Europa.

Faleminderit edhe një herë nga zemra për këtë pritje të jashtëzakonshme!

Dhe ju ftoj edhe një herë të gjithëve bashkë që më 16 mars, të shtunën më 16 mars të jemi të gjithë bashkë me një takim me historinë, na thërret ëndrra jonë, ëndrra juaj për Shqipërinë si gjithë Europa!

Shqipëria si gjithë Europa ju thërret ju, rininë shqiptare, më 16 mars në Tiranë!

Ju jeni energjia, ju jeni shpresa, ju jeni e ardhmja!

Faleminderit nga zemra!          

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY