Presidenti Meta: E ardhmja e Ballkanit nuk është ndryshimi i kufijve

Presidenti Meta: E ardhmja e Ballkanit nuk është ndryshimi i kufijve

91
0
Shares

Gazetari Ian Pelham Turner: President, dua ta nis me një thënie të vitit 2010 për ju, që ju cilësonte si ‘personaliteti më pozitiv në politikën e jashtme’. Si do ta cilësonit këtë vlerësim dhe a e keni ju ndjesinë se të qenit gjithmonë pozitiv në politikë është shumë e rëndësishme?

Presidentit Meta: Padyshim që vullneti pozitiv dhe energjia pozitive janë të domosdoshme për t’i lëvizur ngjarjet dhe zhvillimet në një perspektivë të qëndrueshme dhe të shëndetshme, larg frymës së konfliktualitetit, si në politikën e brendshme, aq më tepër në politikën rajonale dhe në politikën e jashtme.

Dhe unë besoj se fuqia kryesore e Shqipërisë ka qenë pikërisht duke shprehur këtë pozitivitet në politikën e jashtme, sidomos në raport me fqinjët dhe në gjithë bashkëpunimin rajonal, duke qenë gjithmonë një shtyllë e fortë e stabilitetit rajonal dhe e integrimit europian. Unë kam qenë gjithmonë i përkushtuar për afirmimin e këtij vizioni të Shqipërisë dhe për implementimin e tij konkret në të gjitha detyrat dhe funksionet që kam pasur, përfshirë edhe vitin 2010 kur unë kam qenë Ministër i Jashtëm dhe Zv.Kryeministër.

Gazetari: Ju njiheni dhe si një reformator i madh, keni punuar në sistemin makro-ekonomik, keni ndërtuar sistem më të mirë infrastrukturor, keni pasur suksese në strategjinë e privatizimeve në ekonomi. Sipas jush, kush është fusha më e suksesshme në të cilën keni punuar gjatë karrierës suaj?

Presidentit Meta: Ju përmendet disa nga fushat kryesore, ku në veçanti gjatë periudhës që unë kam qenë Kryeministër janë shënuar disa progrese të dukshme, sidomos në raport me të kaluarën, përfshirë këtu edhe rritjen ekonomike mjaft të lartë në atë kohë, gati 8%.Por ka edhe mjaft elementë të tjerë, përveç këtyre që ju përmendët, sikurse është reforma shumë e rëndësishme në administratën publike bazuar në ligjin për statusin e nëpunësit civil. Tepër zhvillime pozitive në fushën e sundimit të ligjit, por më pozitivja për mua ka qenë përgatitja e Shqipërisë për procesin e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian në atë periudhë.

Gazetari: E di që keni dëshira të mëdha dhe unë besoj se filozofia juaj është të krijoni stabilitet me vendet e tjera të rajonit. A mund të na e shpjegoni se si ndiheni në lidhje me këtë filozofi tuajën?

Presidentit Meta: Kjo është filozofia mbi të cilën është ndërtuar Bashkimi Europian, e bashkëpunimit, e bashkëjetesës për të garantuar një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pavarësisht nga kombësia, pavarësisht nga përkatësia fetare apo përkatësive të tjera. Dhe unë besoj se për Ballkanin kjo ka qenë dhe mbetet tepër vitale.

Integrimi europian ka qenë dhe mbetet ende fuqia më inkurajuese për transformimin e këtij rajoni gjithmonë bazuar në bashkëjetesë dhe duke i kthyer shpinën nacionalizmit të sëmurë dhe provokativ, i cili ka shkaktuar drama të jashtëzakonshme, jo vetëm për rajonin tonë, por edhe për kontinentin.

Në këtë drejtim filozofia kryesore është pikërisht kjo, se në Ballkan vetëm bashkëjetesa mund të funksionojë për arsye sepse çdo komb në Ballkan është shumicë në një shtet, është pakicë në një apo në disa shtetet të tjera. Dhe e vetmja zgjidhje është pikërisht, të gjithë vendet të respektojnë sipas standardeve europiane të drejtat e pakicave.

E ardhmja e Ballkanit nuk është ndryshimi i kufijve, por është heqja e kufijve si në vetë Bashkimin Europian. Kjo është filozofia kryesore që më ka motivuar mua të punoj mjaft ngushtë me të gjithë fqinjët dhe me vendet e rajonit tonë, me të cilat në të kaluarën për arsye të ditura kemi qenë në një marrëdhënie jo miqësore.

Gazetari: Të kthehemi te tema e të qenit pozitiv. Çfarë dëshiron të shohësh për vendin tënd në 2019-n dhe çfarë dëshironi të shikoni si të ardhmen e vendit tuaj?

Presidentit Meta:Gjatë këtij viti unë do të doja shumë që ne të çelnim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Do të ishte një arritje pozitive për Shqipërinë dhe këtë ta arrinim bashkë me fqinjën tonë, Maqedoninë, që arriti një sukses të madh duke zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, duke qenë e gatshme tashmë për t’u anëtarësuar edhe në NATO.

Së dyti do të dëshiroja shumë që të kemi edhe një finalizim të suksesshëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo do të ishte vendimtare për forcimin e paqes, stabilitetit dhe të bashkëjetesës në rajonin tonë, por edhe për të garantuar perspektivën evropiane të dy vendeve, si të Serbisë edhe të Kosovës njëkohësisht.

Gazetari: Ne mbulojmë gjerësisht Diasporën në Europë dhe në Angli veçanërisht. A mund të jepni një mesazh për shqiptarët që jetojnë në vendin tonë?

Presidentit Meta: Shqiptarët në Britaninë e Madhe janë një komunitet mjaft i rëndësishëm për ne dhe janë të kudogjendur. Unë sa herë kam pasur rastin të vizitoj Britaninë e Madhe, jo vetëm në Londër, por edhe në qytete modeste apo më periferike, gjithnjë kam takuar shumë bashkatdhetarë. Mendoj që ata janë njerëz jashtëzakonisht punëtorë, të cilët kontribuojnë shumë edhe për familjen e tyre këtu dhe për ekonominë tonë kombëtare, ndaj të cilëve duhet të tregojmë edhe më shumë vëmendje dhe kujdes në të ardhmen.

Dhe shpresojmë që një ditë shumë prej tyre të rikthehen në vendin tonë, të investojnë njohuritë dhe gjithçka ata kanë arritur atje për zhvillimin e Shqipërisë. Ashtu sikurse jam i sigurt se duhet të bashkëpunojmë edhe më ngushtë me Britaninë e Madhe për të goditur në mënyrë më të fortë dhe më efikase disa elementë kriminalë, të cilët janë një pakicë e papërfillshme dhe që shpesh për fat të keq zënë faqet e para të mediave britanike, duke cenuar imazhin e shqiptarëve në përgjithësi në Britaninë e Madhe apo edhe në vende të tjera të Europës, i cili është imazhi i njerëzve të cilët bëjnë çdo sakrificë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Por njëkohësisht të cilët kanë një dashuri shumë të fortë për atdheun e tyre.

Gazetari: Në 53 vite karrierë, ju jeni Presidenti i parë që kam intervistuar. Kam intervistuar Kryeministra, por asnjë Presidenti më parë. Si është të jesh President i Shqipërisë?

Presidentit Meta: Për mua është një nder i veçantë që jam President i vendit tim. Në këtë detyrë mund të kishte edhe shumë figura, personalitete të nderuara, të respektuara, të afta që Shqipëria ka, ndaj dhe ndihem i privilegjuar që jam në këtë pozicion, në këtë detyrë dhe duke qenë në këtë detyrë si simbol i unitetit të popullit, si kryetar i shtetit padyshim që përgjegjësia e interesave shtetërore, kombëtare dhe interesi publik prevalon mbi çdo lloj interesi tjetër, që një politikan ka kur është në një politikë më aktive apo kur është pjesë e një partie të caktuar, apo e një shumice a pakice politike.

Kështu që kjo detyrë të jep një lartësi tjetër, jo për t’u shkëputur nga qytetarët dhe nga njerëzit, por përkundrazi për t’i përfaqësuar ata dhe interesat e tyre në një nivel kombëtar dhe po kështu edhe afatgjatë.

Gazetari: Faleminderit për kohën tuaj zoti President!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY