Unë ndjehem keq që jam në këtë Parlament sot! – Fjalimi i...

Unë ndjehem keq që jam në këtë Parlament sot! – Fjalimi i fortë i Jorida Tabakut në Kuvend

687
0
Shares

Kur Partia Demokratike kërkoi pas zgjedhjeve, të diskutojë Raportin e OSBE-ODHIR, më bëri përshtypje z.Majko.

Tha: “Në një zonë më çuan dhe më thanë, duhet të shkojmë të takojmë njerëzit, por ne nuk kishim asnjë të fortë aty. Dhe pikërish në atë zonë humbëm dhe dolëm gropë”.

Kjo ishte shprehja që shpjegonte më së miri procesin elektoral, i parë nga Partia Socialiste, nga një koleg me eksperiencë, që besoj e ndau si shqetësim me ne, ndoshta na e dha edhe si sygjerim.

Duhet patjetër të takojmë të fortë, përndryshe ku nuk takojmë të fortë, ne humbim, tha.

Në zgjedhjet e shtatorit të 2016-ës, unë për herë të parë dilja nga Tirana, kisha pasur mundësi që të punoja me një zonë të vjetër në Tiranë, me njësinë numër 8, me njerëz qytetarë, ishin përpjekur të punonim për të zgjidhur hallet e tyre. Në shtator së bashku me z. Luçiano Boçi shkuam në Muhër dhe në Selishtë.

Ishte periudha kur fshatarët, fermerët merrnin prodhimin, kur ndoshta një pjesë e madhe e tyre prisnin gjithë vitin për të marrë fitimet.
Fatkeqësisht, çdo njeri që takonim na thoshte: “Nuk e kam mbjellur tokën, është e pamundur që të mbjellim tokë, sepse ngjitur në fshatin tjetër, të gjithë arat janë mbjellur me kanabis. Nuk ka vlerë që unë të hedh as për ujitje, nuk ka vlerë që unë të hedh as për fara, nuk ka vlerë që unë të investoj për asgjë, sepse është i vdekur prodhimi im”.

Ditën e zgjedhjeve e pamë se si njerëzit votonin, e pamë edhe rezultatin e zgjedhjeve. Nuk kishte nevojë të na e thoshte Zëri i Amerikës, atë që të gjithë e kemi përjetuar në zonat tona.

Nuk kishte nevojë që ta dëgjonim dje, se “Tuj hangër me Kryetarin e Bashkisë”, mund të marrësh favore.

Nuk kishte nevojë ta dëgjonim ne dje se blerja e votave, lëvizja e votuesve, fotografimi i votës, përdorimi i burimeve publike, dhe i gjithë shteti i vënë në dispozicion nga inspektorët e tatimeve, tek ato të ndërtimit, të gjithë, vetëm për blerjen e votës.

Në këtë parlament kemi ardhur si PD dhe kemi bërë amandamente. Kemi kërkuar të ndryshohet buxheti, kemi qenë konstruktivë, kemi sjellë vendime, propozime, por unë besoj që ka mbaruar koha.

Sot, është koha të diskutojmë me qytetarët.
Sot është koha që me qytetarët, të dalim dhe të protestojmë dhe të gjitha këto pesë vite kemi ngritur si shqetësim t’ia përplasim qeverisë.

Demokracia në këtë vend ka rënë.
Që kur erdhën kriminelët në Parlament.
Demokracia ra, kur u vodhën zgjedhjet.
Demokracia ra, kur kryetarët bashkise kriminelë, drejtonin qytetet të tëra, drejtonin resurse publike, jepnin tendera.
Demokracia ra, kur persona me të dhëna kriminale që drejtojnë organizata kriminale, hyjnë e dalin nga QKR-ja, sikur janë në shtëpi të tyre.
Ku hapin e mbyllin biznese, ku marrin leje ndërtimi, por në fakt sot demokracia ka vdekur.

Unë ndjehem keq që jam në këtë Parlament sot.
Unë ndjehem keq, sepse megjithëse vota e demokratëve është materializuar tek unë dhe tek kolegët e mi, sot mijëra demokratë janë të papërfaqësuar jo se nuk deshëm ne, jo se demokratët nuk erdhën masivisht të votonin, por sepse vullneti i tyre u shtremberua.
Sot demokratët dhe të gjithë shqiptarët nuk janë të përfaqësuar këtu.
Më vjen keq që e them, por as unë nuk jam e përfaqësuar këtu.

Sot ne mund të kishim ardhur dhe të diskutonim se si resurset publike janë përdorur për fushata zgjedhore.
A e dini se nga 2017 deri më sot, 9145 kontrata të përkohshme pune 16 VKM kanë dalë, sepse po ndryshohet administrata, sepse po bëhet gati të vjedhë zgjedhjet e rradhës.
A e dini se, buxheti i shtetit ka paguar në 6 vite, 140 milionë Euro vetëm për ata që keni hequr nga puna.
Çdo gjë në funksion të procesit zgjedhor.
E ku ka vend të diskutojmë për buxhetin?

Raportin e FMN-në e kam lexuar, e kam analizuar, kam nxjerrë çdo vërejtje.
A ndjen PD kënaqësi që të gjitha vërejtjet tona kanë dalë këtu?
Që PPP-të e kanë çuar borxhin në 83%?
Që sot rreziku më i madh fiskal është nga PPP-të?
A ndjejmë ne kënaqësi kur sot Shqipëria është në një rrezik të jashtëzakonshëm.
Kjo qeveri vetëm ka nënkontraktuar, ka nënkontraktuar të ardhmen e buxhetit të shtetit, çdo qeveri që vjen nesër, ne këtu që do të marrim nesër pushtetit, e kemi buxhetin totalisht të zënë nga këto që ka bërë kjo qeveri.
Borxhi publik në 83% është në nivelin më të lartë të mundshëm, që sipas FMN-së, vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël, nuk solli asnjë përfitim, vetëm rriti amullinë e sistemit fiskal.
A e keni parasysh që PD, para dy vitesh tha, borxhi është i manipuluar, sepse shifrat e detyrimeve të prapambetura dhe të TVSH-së nuk janë të rrezikuara.
E thotë FMN tani.
A ndjejmë ne kënaqësi që kemi thënë të vërteta?
Kam folur pa fund, për suficitin, deficitin, mund të flasim për investimet publike, por a ka vlerë kur procesi demokratik ka vdekur.
A ka vlerë kur tani njerëzit që masivisht i takojmë, na tregojnë se rritja e çmimit të energjisë elektrike me 24%, e taksës së qarkullimit për karburantin, rritja e tatimit për të ardhurat personale deri në 23%, sot i ka varfëruar shqiptarët.
Sot shqiptarët nuk paguajnë dot energjinë.
Nuk paguajnë dot ujin.
Sot shqiptarët mbyllin bizneset e vogla vetëm prej taksave të larta.
Fatkeqësisht shqiptarët nuk presin në qershor hapjen e negociatave.
Sot fatkeqësisht procesi i integrimit europian është në rrezik, jo prej opozitës, siç ka qenë para 2013-ës.
Procesi i integrimit europian është në rrezik sepse nuk ka proces integrimi me të inkriminuar.
Nuk ka proces integrimi me mungesë vullneti politik.
Nuk ka proces integrimi kur qeveria është e gjitha e kapur prej fyti prej PPP-ve, prej oligarkëve prej kontratave miliona euro që sot lidhen me propozimet e pakërkuara dhe që janë barra më e rëndë për qytetarët shqiptarë.
Mund të flas pa fund edhe për propozimin që ka arhdur për aktin normativ, do të themi shifra, qeveria do të thotë vlera të tjera. Ka vlerë, jo?
Sot ka vlerë që më datën 16 shkurt bashkë të gjithë shqiptarët të dalim e të protestojmë.
Ta ngremë zërin edhe kundër probleme të ditës, edhe kundër vjedhjes së votës.
Edhe kundër inkriminimit, dhe faktit që sot të rinjtë nuk punësohen dot, sepse vëndin ia ka zënë njëri, pa konkurencë që vjen direkt nga burgu, i cili sot nuk e lejon rininë shqiptare që të integrohet në Europë.
I cili sot është pengesa më e madhe, jo vetëm për procesin e integrimit, por është pengesa më e madhe edhe për zhvillimin e vendit.
Le t’i themi JO bashkë, kësaj që po ndodh në Shqipëri.
Le ta bëjmë këtë për fëmijët tanë!
Le ta bëjmë këtë për të ardhmen e shqiptarëve!
Le ta bëjmë këtë për procesin e integrimit!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY