“Rrezikon të vrasë veten”/ Si u lirua nga burgu Astrit Avdyli …për...

“Rrezikon të vrasë veten”/ Si u lirua nga burgu Astrit Avdyli …për tu vënë në shërbim të Gjushit

451
0
Shares

Një tjetër pjesë e investigimit të VOA-s dhe BIRN është dhe një nga kapot e grupit Avdylaj, i cili u lirua nga burgu, ku ishte për vrasje para se të mbaronte dënimin. Astrit Avdyli u lirua 3 vite para se të mbaronte dënimin pasi u ekzaminua me “depresion dhe tentativa vetëvrasëse”.

Vota, dreka dhe trafik influence
Përpara se të shfaqte interes për kryebashkiakun Dako dhe procesin zgjedhor në qarkun e Durrësit, Astrit Avdyli, 45-vjeçari nga Shijaku që akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si kreu i grupit të organizuar në trafikun e drogës, kishte probleme të tjera.

I dënuar me 16 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, Avdyli ndërmori një betejë ligjore 10-vjeçare për lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se Astrit Avdyli u lirua pas 13 vitesh burg, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta.

Për dy vjet e gjysmë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, derisa në tetor 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat.

“Veprimtaria kriminale ishte me qendër dhe pikë grumbullimi në qytetin e Shijakut, me referentë kryesorë vëllezërit Avdyli…strumbullarë të furnizimit me drogëra të forta, kryesisht heroinë dhe kokainë në të gjithë territorin kombëtar,” thuhet në kërkesën e prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara. Por ekskluziviteti i gjithëpranuar në trafikun e drogës nuk ishte i vetmi aktivitet i kryer nga Avdulajt.

Përgjimet e siguruara nga BIRN, të cilat janë pjesë e dosjes ende nën hetim 339/1, tregojnë se Altin Avdyli, i njohur si Niçja, ka pasur komunikime të vazhdueshme telefonike me kryebashkiakun Vangjush Dako nga janari 2017 deri në shkurt të vitit 2018. Përgjimet tregojnë gjithashtu se dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli kanë drekuar të paktën dy herë me Dakon në fillim të vitit 2017.

Lidhja e kryebashkiakut me Avdylajt kulmoi megjithatë në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ku një bisedë e publikuar tashmë nga media, tregon përfshirjen e grupit të Shijakut në procesin zgjedhor.

Mbrëmjen e 24 qershorit, Altin Avdyli është përgjuar teksa komunikon me një person të panjohur, i cili i premton 6 vota dhe i kërkon që “t’i thotë Vangjushit që t’u japë ndonjë lek që të votojnë”.

Dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 qershor 2017, Dako është përgjuar sërish teksa flet në telefon me Altin Avdylin dhe kërkon të takohet me të vëllanë, Astritin. Sipas transkriptit të zbardhur, Dako thotë “doja ta takojsha, ta falenderojsha, ta pyesja një çikë…”.

Një prokuror në dijeni të hetimit, që foli me BIRN në kushtet e anonimatit tha se kreu i dyshuar i bandës, Astrit Avdyli komunikonte me kryebashkiakun Dako jo me telefonin e tij, por përmes personave të tjerë. Prokurori i tha BIRN se rrjedhja në media e lajmit se kryebashkiaku Dako ishte përgjuar në nëntor 2017 e dëmtoi hetimin. Por komunikimet u ndërprenë vetëm përkohësisht.

“Mund të them që janë me dhjetëra telefonata të përgjuara,” tha prokurori. “Kryesisht flisnin për takime të ndërsjella, për të drekuar apo darkuar. Komunikonin edhe për probleme të tjera, kërkonin zgjidhje të problemeve të përditshme,” shtoi ai.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY