Zëri i Amerikës i përgjigjet ministres së Drejtësisë: Konfirmuat skandalin e punësimeve...

Zëri i Amerikës i përgjigjet ministres së Drejtësisë: Konfirmuat skandalin e punësimeve politike

443
0
Shares

Zëri i Amerikës i është përgjigjur deklaratave të sotme të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Kjo e fundit doli për të rrëzuar pretendimet e Zërit të Amerikës, duke renditur një sërë faktesh, që sipas saj tregonin se kronika e VOA nuk ishte e vërtetë.

Në një tjetër kronikë të sotme, Zëri i Amerikës shprehet se i qëndron plotësisht materialeve të publikuar, ndërsa shkruan se edhe vetë ministrja Gjonaj konfirmoi pikërisht denoncimin e bërë nga VOA.

Kronika e plotë e Zërit të Amerikës:

Ministrja e Drejtësisë në Shqipëri Etilda Gjonaj përmes një prononcimi për mediat të martën në Tiranë, vuri në dyshim dhe kërkoi përgënjeshtrimin e kronikës së botuar një ditë më parë nga Zëri i Amerikës lidhur me ndikimet e politikës për emërimet në administratë.

Zëri i Amerikës i qëndron raportimit të tij, i cili është i bazuar mbi faktet që burojnë nga një dosje hetimore me përgjime të një ish zyrtari të lartë të shtetit, aktualisht nën hetime për korrupsion.

Në komunikimet e tij me funksionarë shtetërorë dhe deputetë, ish-drejtori i burgjeve, u përgjigjet kërkesave dhe interesimit të tyre për të marrë në punë persona të caktuar, apo për të sistemuar të tjerë në vende të tjera pune.

Zëri i Amerikës, ka konfirmuar kryerjen e bisedave edhe me zyrtarët që dalin në përgjime. Ndonëse në përgjigjet e tyre ata e justifikojnë arsyen e marrjes në telefon të drejtorit të burgjeve, kushdo mund t’i shohë e t’i lexojë përgjimet dhe të nxjerrë konkluzionet përkatëse nga konteksti i tyre, nëse bëhet fjalë për një proces etik, profesional dhe të rregullt të marrjes në punë, apo nëse ato janë vetëm një provë e asaj që besohet gjerësisht se në Shqipëri ngritja e një administrate profesioniste është ende një sfidë e vështirë, për shkak edhe të ndërhyrjeve të tepruara të politikës.

Në vetë daljen e saj, zonja Gjonaj konfirmon ato që janë thënë në bisedat e përgjuara, se Kryeministri e kishte bllokuar përkohësisht listën. Fakti, që siç u shpreh zonja Gjonaj, Kryeministri ka bllokuar ‘jo listën e konkurrimeve, por listën e ndërhyrjeve’, provon pikërisht problemin që ngre raporti i Zërit të Amerikës, ekzistencën e ndërhyrjeve të shumta.

Siç vihet në dukje në kronikë, në mars të vitit 2018, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, në raportin që i dorëzoi Kuvendit, një e treta e punësimeve në administratë bëhen me urdhër titullari dhe jashtë procedurave të ligjit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY