E PLOTË/Meta i rendit arsyet Ramës: Pse nuk e dekretova si ministër

E PLOTË/Meta i rendit arsyet Ramës: Pse nuk e dekretova si ministër

120
0
Shares

Presidenti Ilir Meta ka argumentuar vendimin e tij për të mos e dekretuar Gent Cakajn si ministër të Jashtëm.

Për të qënë i sakte dhe brenda rregullave, Meta ka listuar arsyet duke i bërë të ditur Kryeministrit Rama disa prej gjërave që nuk ecin me këtë propozim.

Sipas Metës,  Cakaj është pa përvojë për një detyrë kaq të rëndësishme sa është politika e jashtme e vendit. Meta ka marrë në konsideratë disa prej qëndrimeve të Cakajt që lidhen me çështjen e ndryshimit të kufijve  në rajonin e Ballkanit, të cilat i ka cilësuar si të papranueshme.

Presidenti ka deklaruar më tej se Cakaj ka shfaqur papërgjegjëshmëri gjatë ushtrimit të detyrës së tij si zëvendësministër.

ARGUMENTAT E PLOTË

Zoti Kryeministër,

U njoha me propozimin tuaj nr. 6174 prot., datë 31.12.2018, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr. 16 prot., dt 04.01.2019, për emërimin e z. Gent Cakaj, në detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Presidenti i Republikës, menjëherë pas marrjes së propozimin tuaj, filloi verifikimin e hollësishëm dhe të domosdoshëm të z. Gent Cakaj me qëllim krijimin e besimit përpara vendimit për emërimin e tij në këtë detyrë të rëndësishme.

Pozicioni i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme është një nga postet më të rëndësishme në kabinetin qeveritar, aq më tepër tani kur vendi është pjesë e Trojkës së OSBE-së dhe në më pak se një vit përgatitet të marrë kryesimin e saj, një hap historik dhe një përgjegjësi që kapërcen kufijtë e Shqipërisë dhe rajonit tonë.

Ndërkohë, ditët, javët dhe muajt e ardhshëm janë vendimtarë sepse Shqipëria është përpara vendimit jetik për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian në qershor 2019.

Përparimi i Dialogut Kosovë – Serbi me qëllim forcimin e perspektivës evropiane të të dy shteteve është një nga zhvillimet më të rëndësishme të rajonit tonë gjithashtu.

Në mungesë të kohës për të eksperimentuar e provuar kapacitetet dhe aftësitë e ministrit të propozuar përballë sfidave aktuale madhore për vendin dhe interesat kombëtare të tij, gjykoj se në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet një individ i sprovuar dhe efikas, me njohje të plotë të përgjegjësive shtetërore, kombëtare dhe administrative, i vetëdijshëm për impaktin e madh dhe vendimtar që do të ketë në politikën e jashtme, veçanërisht në muajt e ardhshëm, por edhe gjatë kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria që është një përgjegjësi historike për vendit tonë.

Profili i z. Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi.

Zoti Kryeministër,

Gjatë ushtrimit të detyrës së tij si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme.

Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme (citoj nga intervista e Zv/ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, për emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, dt. 01 nëntor 2019:

“…Tani te korrigjimi i kufijve semantikisht kjo nuk është thjeshtë një operacion linguistik për ta relativizuar çështjen e këmbimit territorial, por situata ka evoluar tutje.

Evoluimi i parë është, sepse po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”…).

Këto deklarata të rrezikshme të z. Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian.

Përkrahja, sponsorizimi apo dhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon.

Zoti Kryeministër,

Nga informacioni i administruar mbi verifikimin e sigurisë dhe pastërtisë së figurës, Presidenti i Republikës ju bën me dije se:

  1. Z.Gent Cakaj ka treguar mungesë të theksuar të përgjegjshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës së Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke neglizhuar zbatimin e ligjit dhe akteve nënligjore që garantojnë qarkullimin e sigurt të informacionit të klasifikuar sekret shtetëror.

Konkretisht z. Gent Cakaj me VKM nr.342, datë 07.06.2018 është emëruar në detyrën e Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ushtrimi i së cilës kërkon domosdoshmërisht pajisjen me çertifikatën e sigurisë personale, me qëllim që personi të njihet, administrojë apo përpunojë informacion të klasifikuar.

 

Nga ky moment subjektit në fjalë, në zbatim të ligjit nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar, VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, VKM nr. 836, datë 14.10.2015 “Për miratimin e rregullores për punën me informacionin e klasifikuar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian” dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre, të nxjerra nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj i lind detyrimi ligjor që të aplikojë dhe të pajiset me Certifikatat përkatëse të Sigurisë.

Nga informacioni zyrtar i administruar nga MEPJ, nga DSIK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese rezulton se z. Gent Cakaj, për një periudhë të vazhdueshme prej 7 muajsh ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.

Sipas konfirmimit shkresor të MEPJ dhe DSIK, z. Gent Cakaj ka plotësuar formularin e aplikimit vetëm më datë 03 janar 2019 (3 ditë pas firmosjes së propozimit për dekretim si Ministër të MEPJ).

  1. Cakaj, me mosplotësimin e formularit të aplikimit dhe mospajisjen me Certifikatat përkatëse të Sigurisë për periudhën 7 qershor 2018 deri në 3 janar 2019, jo vetëm që ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor.

Gjithashtu me mosplotësimin e formularit të sigurisë në kohën e kërkuar, ai ka penguar verifikimin e sigurisë për këtë periudhë, pasi sipas nenit 12 të Rregullores së Sigurimit të Personelit, miratuar me VKM nr.188, datë 04.03.2015, ku parashikohet se verifikimi i sigurisë fillon vetëm pasi individi aplikues ka pranuar dhe ka dhënë pëlqimin me shkrim, pavarësisht se funksioni dhe detyra që ai ka ushtruar e kishte të domosdoshme dhe të detyrueshme nevojën për njohje me informacion të klasifikuar.

Shmangia prej tij i zbatimit të këtyre detyrimeve ligjore, së pari është shkelje për të cilën çdo funksionar duhet të mbajë përgjegjësitë që i takojnë, por njëkohësisht kjo sjellje tregon për mungesë të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksionit publik si Zv.Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe është një tregues tepër i qartë për rrezikun që mbart kjo kandidaturë, për të ushtruar detyrën shumë të rëndësishme të propozuar për emërim të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

  1. Procesi i certifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj i kryer nga DSIK brenda një dite (04 01.2019), duket hapur që është një proces i kryer në kushtet e urgjencës, dhe në kundërshtim me procedurën dhe kërkesat e ligji nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar dhe VKM nr.188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”.

Në formën se si është kryer, procesi i verifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klafisikuar (DSIK).

Sipas shkresës nr. 09/1 prot, datë 8.01.2019 të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj, ka plotësuar aplikimin për certifikatë sigurie pranë kësaj Ministrie vetëm më datë 03.01.2019, edhe pse përmbushja e këtij detyrimi fillon nga marrja e detyrës si Zëvendës Ministër i MEPJ.

Aplikimi i z. Gent Cakaj është përcjellë nga MEPJ brenda ditës në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar me shkresë nr. 35 prot., datë 03.01.2019. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka lëshuar certifikatat e sigurimit të personelit për z. Gent Cakaj 1 (një) ditë më vonë dhe me shkresë nr. 18 prot, datë 04.01.2019, ja ka përcjellë këto akte Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Nga informacioni i DSIK, përcjellë Presidentit të Republikës me shkresë nr.87 prot, dt. 07.01.2019, konfirmohet se: “Z. Genc Shkëlzen Cakaj, lindur në Prishtinë më 06.07.1990, është i pajisur me CSP të nivelit “Tepër Sekret”, për njohjen e informacionit të klasifikuar “Sekret Shtetëror”; “Cosmic Top Secret” për njohje të informacionit të klasifikuar të NATO-s dhe “EU Secret/Sekret UE”, për njohjen e informacionit të klasifikuar të BE-së. Këto CSP janë lëshuar më datë 04.01.2019 dhe janë të vlefshme deri më datë 03.01.2024.”

Pra rezulton se, procesi i verifikimit, i kryer në këtë rast nga (DSIK) si Autoriteti i Sigurimit Kombëtar në Shqipëri është realizuar brenda 1 (një dite) që referuar fakteve, dhe të dhënave të Gent Cakaj, tregon qartë se nuk është kryer një proces i mirëfilltë verifikimi sipas kushteve, detyrimeve, kritereve dhe procedurës së parashikuar në Rregulloren e Sigurimit të Personelit, miratuar me VKM nr. 188, datë 04.03.2015.

  1. Gent Cakaj, mban dy shtetësi, ai është shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe shtetas i Republikës së Shqipërisë. Ai ka kryer studime jashtë territorit të dy vendeve (Shqipëri-Kosovë), respektivisht në shtetet Hungari dhe Belgjikë, vende këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë.

Referuar këtyre të dhënave, si dhe atyre që kërkohen dhe pasqyrohen të detyrueshme për deklarim në pyetësorin e sigurisë në aplikim, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka për detyrë që në bazë të ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””, të ndryshuar, dhe pikës 13, 14 të VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”, të kryejë një verifikim të thelluar të të gjithë informacionit të grumbulluar, jo vetëm në institucionet respektive të Republikës së Shqipërisë.

Në zbatim të nenit 21 të Rregullores së Sigurisë miratuar me VKM nr.188/2015, në rastin konkret ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në organizatat partnere të Republikës së Kosovës. Konkretisht në këtë nen citohet se: “Përpara se të lëshohet CSP për një person i cili mban dy shtetësi, DSIK-ja bashkëpunon me autoritetet homologe për kryerjen e verifikimeve përkatëse”. Gjithashtu në detyrën si Zv.Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, dhe si kandidaturë e propozuar nga Kryeministri për pozicionin e ministrit të MEPJ, ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në Belgjikë dhe Hungari, vende këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë z. Gent Cakaj.

Ndërkohë, nga informacioni i administruar rezulton se i gjithë procesi për verifikimin dhe vlerësimin e sigurisë për të përcaktuar nëse z. Gent Cakaj, është një individ besnik, i besueshëm dhe i sigurt që vërteton nga pikëpamja e sigurisë se ai i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar, është realizuar në më pak se 24 orë.

Ky veprim tregon qartë se procesi i verifikimit, nuk është kryer i plotë, nuk është objektiv, por i ndërmarrë vetëm për përmbushjen proceduriale (jo përmbajtësore) të informacioneve shtesë që do të mund të kërkonte Presidenti i Republikës në funksion të verifikimit kushtetues për shkak të procesit të emërimit të këtij shtetasi në detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Zoti Kryeministër,

Për sa u parashtrua më sipër:

Kandidatura e z. Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në këto kushte, Presidenti i Republikës, në përmbushje të detyrimeve kushtetuese si Kreu i Shtetit, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe rolit të tij specifik kushtetues në politikën e jashtme të shtetit shqiptar, refuzon propozimin tuaj nr. 6174 prot., datë 31.12.2018, për emërimin e z. Gent Cakaj, në detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Sinqerisht,

Ilir META

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY