Mosdekretimi i Cakajt, ish-ministri i Jashtëm: 5 arsyet pse jam kundër

Mosdekretimi i Cakajt, ish-ministri i Jashtëm: 5 arsyet pse jam kundër

144
0
Shares

Ish-ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto ka dhënë 5 arsye të tij se pse ministri i ri i propozuar nga kryeministri Edi Rama nuk mund të dekretohet.

Haxhinasto e nis me moshën e tij e ndalet tek deklarata e Cakajt për shkëmbim territoresh të Kosovës me Serbinë, për të cilën ish-ministri pohon se një përzgjedhje e tillë është e papranueshme.

REAGIMI I PLOTË

Meditim për dekretimin e një ministri

Duket qartë që emri i cili ka shkaktuar më shumë diskutim nga lista e gjatë e emrave për ndryshimet në qeveri mbetet ai i propozuar për ministër të jashtëm. Si një pozicion delikat i përfaqësimit të Republikës së Shqipërisë, si dhe i formulimit dhe zbatimit të politikës së saj të jashtme, nuk përbën një “teprim”, as ndërhyrje në kompetencat kushtetuese të kryeministrit, vlerësimi pak më i thellë i kësaj kandidature, duke marrë shkas dhe nga çka është diskutuar në media këto ditë. Për të qenë më i përmbledhur, po perpiqem ta strukturoj vleresimin tim, por jo sipas rëndësisë prioritare të çështjeve.

Së pari, mosha e personit. Për mua nuk përbën asnjë problem një ministër i jashtëm në këtë moshë, duke patur në mendje edhe raste të tjera, kur shumë politikanë shqiptarë kanë marrë përgjegjësira edhe më të mëdha në ekzekutiv se ai i ministrit të jashtëm, pikërisht si kryeministra të vendit. Por ka një ndryshim thelbësor, se kryeministrat “e rinj” të Shqipërisë u bënë të tillë pas një karriere politike shumë intensive, si deputetë dhe drejtues politikë. Dhe në informacionin e bërë publik, personi në fjalë nuk ka asnjë experiencë të tillë të ngjashme.

Së dyti, qytetaria kosovare. Në shumë aspekte, një zhvillim pozitiv, një shenjë konkrete se shqiptarët e dy aneve të kufirit po integrohen; se kapacitetet njerëzore mund t’i shërbejnë kombit në tërësi, pavarësisht qytetarisë apo shtetësisë mbi pasaportë. Këtë fakt do ta kisha theksuar edhe më shumë si një zhvillim pozitiv, po të kishin ndodhur angazhime të shqiptarëve të kësaj ane të kufirit, në anën matanë, qoftë edhe në pozicione më modeste zëvendës-ministrash, gjë që në dijeninë time nuk ka ndodhur. Ndërkohë, mendoj se shteti i ri i Kosoves, edhe për vetë faktin e rinisë së tij 10 vjeçare, ka më shumë nevojë për njerëz të tij të talentuar, (siç nuk kam dyshim që mund të jetë personi në fjalë), sesa Republika e Shqipërisë. Shtuar kësaj, edhe nevoja për talente diplomatike në kohen kur kemi sfida të jashtëzakonshme për diplomacine e re kosovare, si njohjet ndërkombëtare, antarësimi në organizata rajonale e ndërkombëtare, liberalizimi i vizave, e shumë të tjera sfida madhore. Pra, mos do qe më mire që këto kapacitete t’i shërbenin Kosovës? Besoj se po.

Së treti, përgjegjësia politike. Dikush mund të nxitonte të shprehej se përgjegjësia politike në një përzgjedhje të kësaj rëndësie i përket kryeministrit. Jam i bindjes se ministri i jashtëm e ankoron përgjegjësinë e tij si kryediplomat, si person përgjegjës politik për gjithë veprimtarinë e shërbimit të jashtëm, edhe tek pesha dhe përgjegjësia politike e publike që mban në politikën kombëtare. Një peshë dhe cilesi të tillë, kandidatura në fjalë nuk e përmban. Aq me tepër që portofoli që i është propozuar, mban edhe atë të çështjeve Evropiane, një sfidë tjetër e madhe për vendin. 

Së katerti, thelbi i politike-bërjes. Shpesh thonë që politika e jashtme është pjesa më konservatore e politikave të një shteti, në kuptimin që ajo ngrihet mbi themele të konsoliduara, historike, dhe traditë, që orientohet në rrethanat e situatat e reja edhe duke mbajtur një sy apo pikë reference, pikërisht tek kjo traditë. Kthesat e forta në politikën e jashtme të një vendi janë ngjarje të rralla. Pergjithësisht, keto ngjarje krijojne “kërcitje” mes risive të momentit, dhe traditës por edhe kontributeve që një vend ka dhënë historikisht në politikën e tij të jashtme. Konkretisht, Republika e Shqipërisë ka dhënë një kontribut jo modest për situatën ku gjendet sot rajoni, për paqen e tij, nivelin e sigurisë dhe të bashkëpunimit mes vendeve të tij. Ky kontribut disavjeçar, i ka dhënë Republikës së Shqipërisë jo pak kredite ndërkombëtare, jo pak vlerësime nga aleatët tanë strategjikë SHBA, apo partnerët evropianë të BE. Ky kontribut, ka qenë i vlefshëm kryesisht se është ngritur mbi një sistem vlerash Euro-Atlantike të përqafuara nga shteti shqiptar, si bashkejetesa mes kombeve, toleranca dhe respekti për minoritetet, integrimet kombëtare, rajonale dhe ato në një kuader më të gjere, Integrimi Euro-Atlantik. Në këtë kuptim, qëndrimet e shprehuara publikisht për shkëmbime territoresh apo korrigjime kufinjsh nga personi i propozuar si minister i jashtëm, kam bindjen se cënojne rëndë të gjithe traditën tonë moderne në politikë e jashtme, kontributin jo-modest të Republikës së Shqipërisë për paqen e stabilitetin e rajonit, si dhe kompromentojnë perspektiven e integrimit të saj por edhe të rajonit në Evrope. Prandaj, një përzgjedhje e tillë, në gjykimin tim, është e papranueshme.

Së fundmi, procesi i emërimit dhe dekretimit në detyrë të ministrit. Në një sistem normal politik, siç dëshirojmë ta kemi ketë tonin, elementi i kontrollit dhe balancës është thelbësor për demokracinë. Ky element funksionon edhe në përzgjedhjen e ekzekutivit, gjë që është jo vetëm përgjegjësi e kryeministrit, por, në zbatim të frymës së Kushtetutës, duhet të jetë një aksion konsultues, në mos konsensual, mes institucioneve kryesore: Kuvendit – Presidentit dhe Ekzekutivit. Në kushtet kur Parlamenti ynë nuk e ka të parashikuar hallkën filtruese të kandidaturave përpara dekretimit (në formën e dëgjesave, siç e aplikon Kongresi Amerikan), hallkat e mbetura janë: dekretimi ose jo nga Presidenti i Republikës, miratimi ose jo me votë nga Kuvendi i dekretit të Presidentit (mazhoranca e ka të lehtë ta votojë me shumicë të thjeshtë), kontestimi në Gjykate Kushtetuese (jo-ekzistente). Në keto kushte, duket se i vetmi filter kontrollues mbetet institucioni i Presidentit, edhe në dritën e përgjegjësive specifike direkte që ai ka për politikën e jashtme. Prandaj, mendoj se duhet durim dhe respekt për çdo minutë kohë që ky institucion kërkon për marrjen e një vendimi kaq kompleks dhe të rëndësishëm, siç është dekretimi i ministrit të jashtëm.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY