Ish-ministri Manjani u përmend nga Monika Kryemadhi si një kandidat i mundshëm për zgjedhjet vendore të vitit 2019 për Tiranën.
Vetë Manjani ka vendosur të reagojë duke dhënë kështu deklaratën e parë lidhur me këtë cështje.
Ish-ministri thotë se nuk ka marrë asnjëherë propozim zyrtar dhe do të mbështesë kandidatët jo politikë. Ai thotë se Tirana por dhe cdo qytet tjetër, është marrë peng nga kandidatë me axhendë politike.
Sqarim i Ish-ministrit:
Për të gjithë miqtë e mi këtu në FB si dhe gazetarët që kërkojnë nga unë një koment, mbi “kandidimin” për Bashkinë e Tiranës.
————————————————
Nuk kam marrë asnjëherë asnjë propozim zyrtar nga asnjë forum i asnjerës parti për të qenë kandidat.
Unë vetë nuk e kam menduar për asnjë çast këtë gjë. Në kuptimin që nuk më ka interesuar ndonjëherë kjo gjë.
Ka patur njerëz dashamirës të mi, politikanë, gazetarë dhe të tjerë që e kanë shprehur këtë gjë si dëshirë e tyre. Në këtë grup bën pjesë edhe kryetarja e LSI Zonja Monika Kryemadhi.
E përsëris ka qenë një dëshirë e tyre dhe jo një propozim zyrtar e aq më pak pranim nga ana ime.
Kjo është e vërteta.
————————————————
Publikisht jam shprehur disa herë se do të mbështes me shumë zell idenë e kandidatëve jo politikë për bashkinë e Tiranës.
Tirana që prej vitit 2000 ka qenë peng i kryetarëve me axhendë politike. Kjo “pengmarrje” në thelb ka dëmtuar qytetin, i cili u mbush me ndërtime kuturu ose u la pa financim e pa kontroll për shkak të debatit politik.
Për vite me radhë qyteti mbeti pa një plan rregullues, për shkak të këtij debati. Ndërtimet kuturu, gjej tokë e hap themele me studime pjesore u bënë nën justifikimin “qeveria sna jep kompetenca”… nën këtë okelio qyteti mori drejtimin e zhvillimit kaotik që shohim sot.
Për fat të keq edhe Tirana aktuale është pjesë e axhendës politike personale të kryetarit aktual. Ai si paraardhësit e tij, po e përdor bashkinë jo për punët e qytetit, siç propagandon, por për të forcuar kultin e tij si person. Kult i cili sugjeron gjerësisht se Ai është “paardhës i Edi Ramës”.
Në këto kushte, sugjerimi im ka qenë dhe mbetet që opozita të mbeshteste një kandidat tërësisht jo politik. Një inxhinier, menaxher, gazetar apo një profesionist të lirë që qytetaria e pranon me shumë qejf.
E përsëris: Tirana ka nevojë për kryetar Bashkie që të punojë për qytetin jo për partinë.
Dikush nga krahët politikë duhet ta hedhë hapin e depolitizimit të bashkisë Tiranë. Do tē dëshiroja që të ishte opozita e sotme e para që ta bënte këtë gjë.
Në këtë kontekst e kam parë dhe trajtuar edhe dëshirën dashamirëse të atyre që mendojnë se une mund të jem një kandidat.
Dua sdua unë, pavarësisht se mbetem kritik me partitë, formalisht jam ende anëtar i forumeve dhe kam mbajtur fuksione politike të larta. Pra emri im lidhet me politikë, pavarësisht se mendimet që shpreh janë krejt miat.
Kritikën ndaj Erion Velisë nuk e kam si rival, por si qytetar i zhgënjyer që dikur e ka votuar me shumë qejf.
Ndaj sot nuk kam se çfarë ti shtoj më shumë kësaj ideje që e kam stërthënë.
————————————————
Aktualisht është më alarmante fakti që nuk do mund të bëhen zgjedhje sesa kush konkurron në to.
Dje kam shkruar se zgjedhjet e ardhëshme zgjedhësit do jenë pa karta identiteti, në lista votimi që sdihet se ku dhe të kanosur nga të fortët.
Këto janë fakte dhe jo supozime. Janë detyra ligjore që qeveria nuk i ka kryer dhe do ta ketë të vështirë për ti kryer.
Kjo është çështja kryesore që duhet të na shqetësojë!
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/