Hetimet për protestën, reagon Prokuroria e Tiranës…

Hetimet për protestën, reagon Prokuroria e Tiranës…

126
0
Shares

Pas protestës së sotme para Kuvendit, ku banorë të Unazës së Re kundërshtuan prishjen e banesave të tyre, pa u kompensuar, Prokuroria e Tiranës ka reaguar përmes një deklarate për hetimet e saj. Organi i akuzës bënë me dije se janë kryer veprimet e para proceduriale.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë me juridiksion të Përgjithshëm, me datën 22. 11. 2018 ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 9146, për veprat penale të:

1. “Plagosja e rëndë me dashje”, e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 88/1 i K. Penal.

2.“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 278/1 i K. Penal (i ndryshuar).

3.“Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, e kryer me dhunë dhe në bashkëpunim, e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 236/2 i K. Penal.

4.“Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 262 i K. Penal.

5.“Prishja e qetësisë publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar dhe e dënueshme nga nenet 274-25 të K. Penal.

Pas regjistrimit të procedimit penal është krijuar grupi hetimor në përbërje të të cilit janë prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore. Në drejtimin e prokurorëve janë kryer veprimet e para proceduriale, që kanë të bëjnë me këqyrjen e vendit të ngjarjes, fiksimin e provave materiale, pyetjen e të dëmtuarve, në Spitalin e Traumës në Tiranë, identifikimin nëpërmjet pamjeve filmike, si dhe në bashkëpunim me punonjësit e policisë, të personave që kanë kryer veprime konkrete, me qëllim kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë së tyre.

Nga veprimet e kryera deri tani rezulton se janë dëmtuar 15 punonjës policie, mes tyre dhe shtetësja I. M., me dëmtime të rënda të shëndetit, punonjëse policie e repartit special “Shqiponja”. Po ashtu në Spitalin e traumës janë paraqitur për ndihmë mjekësore dhe tre qytetarë, pjesëmarrës në protestë.

Veprimet në lidhje me këtë çështje penale vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprave të kryera, si dhe arrestimin e personave përgjegjës dhe dërgimin e tyre para Drejtësisë.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, siguron publikun, se në zbatim të detyrës tonë kushtetuese ka pasur dhe do të ketë përkushtim maksimal për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes, si dhe kërkon bashkëpunimin e tyre në përmbushje të rregullt të kësaj detyre.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY