KPK, procedura te shpejta per kandidaten e Gjykates Kushtetuese, emri

KPK, procedura te shpejta per kandidaten e Gjykates Kushtetuese, emri

171
0
Shares

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shqyrtoi të premten në senacë dëgjimore dosjen e këshilltares ligjore të Gjykatës Kushtetuese Arta Vorpsit. Vorpsi është kandidate për në Gjykatën Kushtetuese dhe është përfshirë me short në listën e subjekteve prioritare. Ajo është e para kandidate për në Gjykatën Kushtetuese që futet në proces rivlerësimi.

Treshja që gjykoi Vorpsin kryesohej nga Lulzim Hamitaj, relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtare Valbona Sanxhaktari. Hetimi për Vorpsin sipas relatores ishte bazuar në të treja kriteret e rivlerësimit: “Pasurinë, figurën dhe profesionalizmin”.

Relatorja tha se Vorpsi kishte qenë bashkëpunuese. Tre institucionet ndihmëse Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dhanë raporte pozitive për subjektin.

Relatorja tha se KPK kishte kryer hetimin e saj të pavarur, duke u ndalur kryesisht te hetimi administrativ mbi pasuritë. Ajo tha se ishin gjetur pasaktësi, por bëri me dije se ato nuk ndikonin në procesin e rivlerësimit. KPK tha se në deklaratën veting nuk ishin pasqyruar kursime nga të ardhurat, por tha se Vorpsi kishte sqaruar se nuk kishte të tilla dhe se të ardhurat e deklaruara në vite kishin shërbyer për të mbuluar shpenzimet e jetesës.

Sipas relacionit Vorpsi zotëron vetëm një apartament dhe një makinë. Apartamenti ishte blerë nga bashkëshorti dhe kishte si burim shitjen e pronave të familjes. Makina ishte blerë nga shitja e një makine të mëparshme.

Relatorja theksoi se nga hetimi nuk kishin rezultuar probleme me pastërtinë e figurës dhe e cilësoi Vorpsin të përshtatshme.

Relatorja tha po ashtu se nga hetimi i dosjeve për të cilat kishte dhënë mendim Vorpsi ajo rezultonte e aftë. Sipas relacionit të lexuar Vorpsi kishte dhënë opinion për 95 çështje kushtetuese dhe se mendimi i saj kishte qenë ndikues në marrjen e vendimeve nga kjo gjykatë. Relatorja veçoi angazhimin akademik të subjektit, ndërsa theksoi se kandidatja për në Gjykatë Kushtetuese kishte marrë doktoraturën në Vjenë.

Vorpsi tha se ishte kënaqur me rezultatet e hetimit: “Falenderoj KPK dhe veçanërisht relatoren. Gjetjet janë të sakta dhe nuk kam asgjë për të shtuar”, tha ajo.  Asnjë nga tre anëtarët e KPK-së nuk kishte pyetje. Po ashtu edhe vëzhguesja ndërkombëtare nuk kishte pyetje.  Vorpsi iu dha në fund sërish fjala dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.  Vendimi jepet të hënën në datë 12 nëntor.

Marrë nga BIRN

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY