‘Dorëheqja e Xhafajt si vetëvrasja e Mehmet Shehut’, gazetari bën pyetjen që...

‘Dorëheqja e Xhafajt si vetëvrasja e Mehmet Shehut’, gazetari bën pyetjen që kërkon patjetër përgjigje

279
0
Shares

Në një koment të gazetarit të njohur Mentor Kikia ka një tjetër mendim lidhur me dorëheqjen e ministrit Xhafaj.

Gazetari Mentori Kikia, thotë se dorëheqja e ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është njësoj si vetëvrasja e Mehmet Shehut. Në një status në rrjetin social Facebook, Kikia shprehet se dorëheqja nuk ishte e vullnetshme dhe se ish-Ministri është detyruar të dorëhiqej, pavarësisht çfarë pohoi ai vetë.

Edi Rama donte që ikja e Xhafajt të përbënte sa më pak lajm, shkruan gazetari teksa shton se një ditë perfekte për këtë strategji, ishte e shtuna pasi deri të hënën “çudia” do të kishte kaluar.

Kikia vazhdon duke thënë se ai nuk mund të ikë sikur të kishte qenë një punëtor bashkie. As duke thënë se e bëra për moral, pasi morali e kërkonte ca më herët herët këtë punë.

”Ai e ka për detyrë të shpjegojë se çfarë ndodhi në atë “shtëpi”, që atë e nxorrën jashtë. Dhe duhet ta bëjë ai, përderisa ka marrë përsipër ta quajë dorëheqje. Kjo është përgjegjësi morale dhe politike bashkë”, shkruan gazetari.

Shkrimi i plotë i gazetarit Mentor Kikia

Dorëheqja e Fatmir Xhafajt si vetëvrasja e Mehmet Shehut

Mentor Kikia

Dorëheqja e ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj më ngjason me vetëvrasjen e Mehmet Shehut. E para, se ajo nuk ishte e vullnetshme. Pra, Xhafaj është detyruar të dorëhiqej, pavarësisht çfarë pohoi ai vetë. Dhe mbi të gjitha, mënyra se si u njoftua. Në fakt nuk u njoftua dorëheqja, të cilën duhej ta bënte vetë i zoti, por u njoftua pranimi i saj, nga kryeministri. Në pikë të mëngjesit të së shtunës, kryeministri shkruajti në Tëitter se “e pranoi dorëheqjen e Fatmir Xhafajt”. Largimi i njeriut që ishte epiqendër e cikloneve politike për një vit të tërë, e për të cilin kryeministri i kishte bërë gjithçka për ta mbrojtur, u njoftua vetëm me dy rreshta tekst.

Unë kam qenë 11 vjeç kur Mehmet Shehu “dha dorëheqjen”. Në orën 6 të mëngjesit, im atë ndizte radion kur ikte në punë dhe atë ditë unë dëgjova folësin të thoshte: “Mbrëmë, si pasojë e një krize nervore, shoku Mehmet Shehu, vrau veten. Vazhdojmë me të tjera lajme”. Kryeministër për 30 vjet dhe bashkëndërtues i regjimit diktatorial, largimi i tij nga kjo botë u njoftua me një lajm vetëm 20 sekonda. Edi Rama donte që ikja e Xhafajt të përbënte sa më pak lajm, të linte sa më pak gjurmë. Një ditë përfekte për këtë strategji, e shtuna. Deri të hënën “çudia” do të kishte kaluar.

Pastaj në Lushnje ai u dha një porosi të rinjve që hynë në partinë e tij: Tani ju s’mund të jeni më të lirë, për të bërë ç’të doni. Këtu ka rregulla. P.sh: Nuk mund të laheni lakuriq në lumë. As të gjuani me llastiqe xhamat e shtëpisë sonë. Kush gjuan me gurë, përjashtohet nga shtëpia!

Këto fjalë, natyrisht nuk u drejtoheshin adoleshentëve të urtë lushnjarë, por një “mistreci” të thinjur, që sapo ishte nxjerrë me shkelma nga shtëpia në Tiranë.

Por kë kishte gjuajtur me gurë Fatmir Xhafaj?

Kjo është pyetja që do patjetër një përgjigje. Dhe e presim përgjigjen së pari nga vetë Z.Xhafaj. Ai nuk mund të ikë sikur të kishte qenë një punëtor bashkie. As duke thënë se e bëra për moral, pasi morali e kërkonte ca më herët herët këtë punë. Ai e ka për detyrë të shpjegojë se çfarë ndodhi në atë “shtëpi”, që atë e nxorrën jashtë. Dhe duhet ta bëjë ai, përderisa ka marrë përsipër ta quajë dorëheqje. Kjo është përgjegjësi morale dhe politike bashkë. Ashtu siç e bëri Nikos Kotzias në Greqi. Kryeministri Tsipras e mbylli në sirtar letrën e tij prej 9 faqesh të dorëheqjes, por vetë ministri doli para popullit të tij dhe shpjegoi pse iku, çfarë ndodhi në mbledhjen e qeverisë, përse e akuzuan dhe cila ishte e vërterta, sipas tij.

Në kushtet kur askush nuk flet, por presin që vrasja e një derdimeni që do të çlironte Gjirokastrën nga shqiptarët, të zbehë interesin e publikut për këtë zhvillim, atëherë të gjithë kemi të drejtë të aludojmë për gjithçka.

Edhe pse me aludime nuk shkohet asnjëherë tek e vërteta. Ashtu siç nuk është shkuar ende tek e vërteta e (vetë)vrasjes së Mehmet Shehut, edhe pas 37 vjetësh. Megjithatë një gjë është e sigurtë. Rama dhe Xhafaj nuk janë përplasur mes tyre për punë krushqish, si Enveri me Mehmetin.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY