Zbulohet skema, ja si u ngrit laboratori i heroinës në Has, ideatorët...

Zbulohet skema, ja si u ngrit laboratori i heroinës në Has, ideatorët dhe roli i të akuzuarve

176
0
Shares

Dosja voluminoze e Krimeve të Rënda për 4 grupet kriminale të trafikut të drogës, përmban detaje të hollësishme për një prej laboratorëve më të mëdhenj të drogës të zbuluar në Shqipëri.

Shtëpia e familjes Shuti u gjet si vend i përshtatshëm nga Admir Hoxha, një biznesmen nga Tirana, pronar i një hoteli luksoz në Rinas. Ai është edhe ideatori i ngritjes së laboratorit.

Hetimet e Prokurorisë, sipas dosjes së siguruar nga TV Klan, zbulojnë se biznesmeni i shpallur në kërkim, kishte kontaktuar dy shtetas turq dhe një kosovar, edhe ata të shpallur në kërkim, për të sjellë në Shqipëri lëndën e parë për prodhimin e kokainës dhe heroinës dhe për të prodhuar drogat e forta.

Admir Hoxha i ka takuar në hotelin e tij në Rinas turqit Iskander Saleh dhe Nedjet Cesuroglu, që mbante edhe emrin Lavdërim Limani, si dhe me shtetasin nga Kosova, Xhemal Sala, me të cilët ka bashkërenduar punën për laboratorin. Lënda e parë vinte nga Turqia dhe Kolumbia.

Sipas prokurorisë, është po Admir Hoxha që siguron shitjen e drogës. Grupi që do ta blinte është ai i Shijakut. Lidhja mes tij dhe këtij grupi kryhet nëpërmjet Saimir Gjepalit dhe Hekuran Hoxhës.

Nga përgjimet rezulton se biznesmeni ka komunikim të shpeshtë me dy personat, anëtarë të grupit të Shijakut që trafikonte kokainë, heroinë e kanabis brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ishte po grupi i Shijakut që merrej më pas me shpërndarjen në tre grupe të tjera, në Lezhë, Fier e Sarandë.

Destinacioni i drogës edhe për këta grupe ishte tregu i brendshëm dhe vende si Anglia, Gjermania, Norvegjia, Holandë dhe Itali.

Grupi i Lezhës e trafikonte drogën nëpërmjet plazhit të Shëngjinit. Ai, sipas hetimeve të prokurorisë, bashkëpunonte me grupin e Barajve në Shkodër, të cilët kishin aktivitet në trafikun e drogës në Holandë dhe Belgjikë.

Grupi i Fierit e transportonte drogën nga plazhi i Semanit. Ndërsa edhe grupi i Sarandës rezulton të ishte më aktiv, pasi trafikonte sasi të mëdha jashtë vendit.

Policia e ka shpallur në kërkim biznesmenin Admir Hoxha, por mësohet se ai ka humbur gjurmët prej më shumë se një jave, së bashku dy shtetasit turq dhe kosovarin Sala.

Edhe shtetas të tjerë kosovarë janë të përfshirë në trafik dhe bëjnë pjesë në listën e 17 personave të shpallur në kërkim. Operacioni “VOL-VO4” çoi në pranga 27 persona, përfshirë dy ish-deputetë socialistë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY