Drejtori i Burgut të Durrësit, Astrit Kote, mohoi dje në Gjykatë që të ketë shkelur ligjin në lidhje me lirimin e Lulzim Berishës.
Ai ia faturoi përgjegjësinë juristit të këtij institucioni, ndërsa ka argumentuar para trupit gjykues se nuk është ai personi që merret me përllogaritjet dhe pjesën e dënimeve të të burgosurve, raporton Panorama. Kote u arrestua për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”, pas hetimit të nisur në lidhje me lirimin e të dënuarit.
I arrestuari Kote replikoi dje me gjyqtarin e çështjes dhe përfaqësuesen e organit të akuzës, duke pretenduar se ai është i pafajshëm dhe se ai nuk ka asnjë lidhje me dinamikën e vuajtjes së dënimit të Lulzim Berishës.
“Mos më shikoni me keqardhje, pasi nuk kam shkelur asnjë ligj dhe jam i pafajshëm. Mund të më thoni, ku dhe pse e kam shkelur ligjin?! Kjo është një procedurë e juristit ligjor. Çdo dinamikë kontrollohet formalisht nga drejtori dhe për këtë ka raporte me zyrën juridike. Unë ricikloj dhe miratoj veprimtarinë e juristit. Personalisht nuk merrem me pjesën e dënimit të të burgosurve. Dua të di ku kam bërë falsifikim dhe ku kam shkelur unë detyrën? Unë nuk kam shkelur asnjë ligj. Nuk e ndiej veten fajtor dhe nuk dua të më shohin me keqardhje. Nuk ka asnjë provë reale që më implikon mua në këtë çështje”, deklaroi ish-drejtori i Burgut të Durrësit gjatë seancës së rivlerësimit të masës së sigurisë.
Pavarësisht pretendimit të të arrestuarit, përfaqësuesja e Akuzës, Rediola Halili, u shpreh para trupit gjykues se drejtori i Burgut të Durrësit dhe juristi i këtij institucioni kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë falsifikuar dokumentet në rastin e përllogaritjes së ditëve të burgut për Lulzim Berishën, i cili fitoi liri me kusht pak kohë më parë në Gjykatën e Apelit.
Sipas Prokurorisë, Berisha duhet të kryente edhe 2.7 vite burg para se të përfitonte lirimin me kusht.
Dyshohet se lirimi i të dënuarit është bërë nëpërmjet aplikimit të gabuar të amnistive të viteve të fundit, duke i konsideruar ato si dënim të kryer. Por, ndërkaq, në vendimin e lirimit me kusht për më pak se 1/3- at e dënimit të mbetur, nuk duhej të llogariteshin zbritjet e dënimit, faljet apo amnistitë, por vetëm koha fizike e dënimit të vuajtur.
Në seancën e djeshme, prokurorja Rediola Halili kërkoi të mos ndryshohej masa e sigurisë “arrest në burg”, të cilën Gjykata e kishte vendosur tre-katër ditë më parë në mungesë të të dyshuarit.
Në rivlerësimin e masës së sigurisë, pasi ka dëgjuar palët, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Petraq Curri, vendosi të lërë në fuqi masën “arrest në burg” ndaj Kotes, duke i lënë të hapur rrugën për ankimim në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë është shpallur në kërkim dhe po punohet për arrestimin e juristit të Burgut, Tedi Labi.
Shkarkimi dhe arrestimi
Nga hetimet e Prokurorisë së Durrësit, rezulton se Drejtori i Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (burgut) dhe juristi i këtij institucioni, kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit të burgim të të dënuarit Lulëzim Berisha.
Në bazë të shqyrtimit të dosjeve përkatëse të burgut Durrës, Prokuroria ka arritur në konkluzionin se të dënuarit Lulëzim Berisha duhej të kryente edhe të paktën 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga parashikimet ligjore për lirimin me kusht.
Prokuroria e Durrësit ka krijuar dyshime të arsyeshme se zyrtarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprave penale te Shpërdorimi i detyres dhe Falsifikimi i dokumentave të parashikuara nga nenet 186/3 dhe 248 të K.Penal.
Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit po vijon hetimin lidhur me të tjerë persona të përfshirë në këtë çështje. Pak para arrestimit, drejtori i burgut u shkarkua nga ministri Ylli Manjani.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/