Aldi Lleshaj, 20-vjeçari që u arrestua për grabitjen dhe plagosjen e efektivit të Policisë së Lezhës, ka shprehur pendesë për atë çfarë ka ndodhur, duke thënë se nuk kishte si qëllim ta vriste policin, por ishte trembur, raporton Panorama
“Nuk doja ta vrisja policin, por qëllova pasi u tremba dhe doja të largohesha”, është shprehur Lleshaj para oficerëve të Policisë.
I riu, që u neutralizua nga forcat RENEA duke u plagosur në këmbë, pasi refuzoi të dorëzohej, është shprehur i penduar për ngjarjen, duke thënë se kishte si qëllim vetëm që të grabiste makinën.
Sipas burimeve nga Policia e Lezhës, 20-vjeçari Aldi Lleshaj është një person problematik dhe me precedentë të mëparshëm penalë.
Në momentet e arrestimit ai ka shfaqur edhe çrregullime, duke u thënë efektivëve të Policisë se është mbret dhe i pavdekshëm, prandaj nuk do mund ta vrisnin dot.
Ndryshe nga çka u deklarua dy ditë më parë, grabitja, sipas Policisë, nuk ka ndodhur në autostradë pranë Milotit, por në qendër të qytetit të Laçit, raporton Panorama
Aldi Lleshaj i ka dalë para drejtuesit të automjetit, shtetasit me iniciale M.K., teksa po lëvizte në bulevardin kryesor dhe nën kërcënimin e armës i ka marrë makinën luksoze, duke u larguar më pas me shpejtësi në drejtim të autostradës.
Policia u vu menjëherë në ndjekje të makinës së grabitur, por postbllokut të Policisë që i kishte zënë pritë për ta ndaluar 20-vjeçari iu përgjigj me të shtëna pistolete. Për pasoje mbeti i plagosur efektivi i Policisë së Kurbinit, Nikolin Gjergji, ndërkohë vetëm 1 orë më vonë forcat RENEA, të cilët u përfshinë në operacionin për kapjen e 20-vjeçarit, e plagosen këtë të fundit në këmbë.
Ai po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërkohë që në të njëjtën kohë do të përballet dhe me akuzat e ngritura ndaj tij.
Nga ana tjetër, drejtuesi mjetit, i cili ishte peshkatar në Patok, ka dëshmuar para grupit hetimor se nuk e njihte 20-vjeçarin Aldi Lleshaj dhe sipas tij, në momentin e ngjarjes ka pasur një sasi fare të vogël parash me vete.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/