‘Po fshihen gjurmët e Ballës në komisariat’, MB reagon: Hetimin e drejton...

‘Po fshihen gjurmët e Ballës në komisariat’, MB reagon: Hetimin e drejton prokuroria, jo policia

110
0
Shares

Sot Partia Demokratike denoncoi punonjës të policisë dhe SHKB-së të cilët me urdhër të Taulant Ballës i kanë kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, të marrë masa për të zhdukur provat e pranisë së tij në Policinë e Fushë Krujës në 21 Korrik.

Menjëherë, pas kësaj deklarate, ka reaguar dhe minisria e brendshme, e cila ka vijuar me akuza ndaj Partisë Demokratike.

Sipas ministrisë së brendshme, e ka prokuroria për detyrë të merret me kamerat dhe hetimin, dhe jo policia e shtetit, duke ia lenë të gjithë rolin dhe përgjegjësinë prokurorisë.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Brendshme në emër të Fatmir Xhafajt

Lidhur me deklaratën e deputetit të PD-së, Ministria e Brendshme sqaron se:

PD-ja po vijon të sulmojë me fakte të deformuara dhe të hedhë baltë pafund mbi Policinë e Shtetit.

Për çdo kërcënim të pretenduar, Policia e Shtetit ka kryer veprimet proceduriale në mënyrë profesionale dhe ka referuar dosjen për ndjekje të mëtejshme në Prokurori.

E ka bërë këtë me denoncuesen Xhisiela Maloku, edhe pse ajo u tërhoq nga kallëzimi, që prej datës 23 korrik 2018, e ka bërë këtë edhe me denoncimin e ish-oficerit që braktisi detyrën, Emiljano Nuhu, që prej 30 korrikut 2018.

Çdo veprim i Policisë së Shtetit dhe i SHÇBA-së, që është investuar që nga momenti i parë i bërjes publike të pretendimeve, janë transparente dhe të referuara në Prokurori. Hetimet po drejtohen nga ky institucion dhe janë deleguar një sërë veprimesh, që ndihmojnë për zbardhjen shpejt të ngjarjes, zbardhjen e plotë të rrethanave, sqarimin e çdo pikëpyetjeje të publikut dhe ajo që është më e rëndësishmja, të përballen personat e implikuar me përgjegjësitë penale.

Në respekt të publikut, SHÇBA-ja sqaron se janë marrë në pyetje jo vetëm punonjësit e Policisë në Krujë, Fushë Krujë, Durrës, Berat e Tiranë, por edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për faktet.

Referuar deklarimeve të zyrtarit të radhës së PD-së, është realisht e provuar dhe me dokumente se pretendimi për kërcënim i ish-oficerit Nuhu është duke u hetuar që nga momenti i parë i denoncimit. Dhe këtë hetim nuk po e drejton Policia, por Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjithashtu, i rikujtojmë juristit Alibeaj, se në momentin kur çështja referohet në Prokurori është vetëm ky institucion, Zot i saj, dhe Policia e Shtetit është vetëm në funksion të hetimit. Të gjitha deklaratat dhe akuzat me sfond të qartë politik janë vetëm përpjekje për të intimiduar agjencitë ligj zbatuese dhe vonuar apo penguar zbardhjen e së vërtetës.

Koha kur Ministra, firmosnin urdhra drejtuar Prokurorisë dhe bëheshin Zot të çështjes, për të mbuluar paudhësitë e qeverisjes së kohës, nuk ekziston. I kujtojmë z. Alibeaj, me gjithë sikletin që mund të ketë patur, se publiku e ka ende të freskët skandalin ligjor të ish-ministrit të Drejtësisë në Prokurorinë e Tiranës, për një dosje që shqetësonte pushtetin e kohës.

Në mbyllje, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat mbeten të hapura, transparente dhe nxisin fort Prokurorinë për të zbardhur shpejt të vërtetat dhe rrethanat për gjithë akuzat e ngritura.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY