Telekom Albania, serbët në Tiranë për të kërkuar blerjen nga qeveria shqiptare

Telekom Albania, serbët në Tiranë për të kërkuar blerjen nga qeveria shqiptare

112
0
Shares

“Telekom Serbia” ka kërkuar zyrtarisht autorizimin e qeverisë shqiptare për të blerë “Telekom Albanian”. Top Channel ka mësuar se drejtuesit e “Telekom Serbia” kanë takuar këtë të mërkurë zyrtarët e lartë të Ministrisë së Infrastrukturës duke kërkuar nga qeveria pëlqimin për blerjen e “Telekom”-it.

Burime të besueshme nga qeveria i thanë Top Channel se përfaqësuesve të “Telekom Serbia” u është thënë se pavarësisht se shteti s’ka rol në një transaksion të mundshëm mes dy kompanive private, futja e tyre në tregun shqiptar në një sektor strategjik si telekomunikacioni, nuk është e mirëseardhur.

Sipas këtyre burimeve drejtuesit e ministrisë së infrastrukturës i kanë komunikuar “Telekomit Serb” se hyrja e tyre në Shqipëri do të ishte krejt e papërshtatshme edhe për biznesin e tyre, pasi mund te sjellë reagime të padëshirueshme të natyrës politike.

“Qeveria shqiptare preferon një tjetër profil investitorësh në këtë sektor të rëndësishëm strategjik me sensibilitet të lartë publik, duke qenë plotësisht e gatshme të mirëpresë investimet serbe në të gjitha fushat e ekonomisë”.

Vetë qeveria pretendon se nuk mund të ndalojë dot blerjen e “Telekom Albania” nga “Telekomi Serb”, nëse dy kompanitë do të arrinin marrëveshjen. Sipas saj, shteti shqiptar aktualisht nuk ka asnjë të drejtë pronësie mbi “Telekom Albania” dhe nuk ka asnjë rol në transaksionet financiare mes dy kompanive private.

I vetmi rol rregullator i institucioneve shqiptare është përmes Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare që bën transferimin e licencave në rast ndryshimi pronësie ashtu sikurse edhe Autoriteti i Konkurrencës që kontrollon kushtet e veprimit në treg mbi parimet dhe rregullat e konkurrencës.

Por burime nga qeveria thonë se ka shumë pak gjasa që këto dy mekanizma të kenë hapësira ligjore për të ndërhyrë në një transaksion privat mes dy operatorësh që kanë eksperiencë dhe vite operimi në këtë fushë.

Ndërkohë sipas mediave serbe “Telekom Serbia” ka bërë ofertën më të lartë për blerjen e “Telekom Albanias”, duke ofruar 60 milionë euro. Kjo shifër e bën “Telekomin Serb” favoritin kryesor për të vlerë “Telekom Albania”, një situatë që nuk do ta kishte parashikuar askush.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY