Me të njëjtën sasi parash, këtë vit del me më pak “trasta” në duar nga dyqanet e fruta-perimeve.
Çdokush mund ta ketë vënë re se shpenzimet për të konsumuar perimet e stinës janë rritur ngjeshëm gjatë këtij sezoni veror, e në fund të muajit, secili mund t’i drejtojë vetes në mënyrë të pavullnetshme pyetjen:
“Po si ikin lekët, çfarë kemi blerë? Edhe pse pritshmëritë ishin që në pikun e sezonit veror, ashtu sikurse ndodh çdo vit, çmimet e produkteve bujqësore të stinës të binin në minimum për shkak të rritjes së prodhimit në raport me kushtet klimaterike dhe si vend bujqësor që jemi, këtë vit duket se një pjesë e mirë e tyre kanë qëndruar në vlera të larta, ndoshta të përafërta me çmimet jashtë sezoni.
Këtë fakt e konfirmojnë edhe shifrat zyrtare të institucioneve kompetente, por edhe një vëzhgim në dyqanet e lagjeve, atje ku blen edhe konsumatori fundor. Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave lidhur me inflacionin, vihet re se çmimet e zarzavateve përfshirë patatet për muajin korrik 2018 krahasuar me muajin korrik 2017 janë rritur me 18.3%. Ajo që vihet re është se rritja e lartë vjetore çmimeve të këtij grupi produktesh ka filluar që në muajin prill, ndërsa muaji qershor ka shënuar vlerën më të madhe me 22.6% rritje. Ndërsa sa i përket grupit “fruta” rritja ka qenë minimaliste krahasuar me një vit më parë, me rreth 2.7% gjatë muajit korrik.
Çfarë blen konsumatori final?
Një qytetar që bën blerjet e përditshme në dyqanet e lagjeve apo tregjet me pakicë të fruta-perimeve, e vë re fare lehtë ndryshimin që kanë pësuar çmimet e këtyre produkteve gjatë muajve korrik dhe gusht. Dhe në këtë rast, krahasimi nuk bëhet me muajt e mëpërparshëm si maj apo qershor, pasi si gjithnjë në këto periudha çmimet janë të larta dhe bien gradualisht në kulmin e sezonit veror, kur edhe prodhimi i fermerëve është i mjaftueshëm, po ashtu edhe furnizimi në tregje. Megjithatë këtë vit, duket se rënia nga muaji në muaj nuk ka qenë normale dhe një sërë produktesh, kryesisht të grupit të perimeve dhe frutave janë tregtuar me çmime të “kripura”.
Nga një vëzhgim nëpër dyqanet e tregtimit të këtyre produkteve, vihet re se çmimet e domateve variojnë nga 160-180 lekë/kg; bamjet 80-100 lekë/kg; patatet 50-60 lekë kg; pjeprat 110- 120 lekë/kg, shalqinj 30-35 lekë/kg; patëllxhanë 70-80 lekë/kg; kungulleshka 60-70 lekë/kg; speca 70-80 lekë/kg. Sa i përket edhe frutave, duket se edhe pse janë sezonale, çmimet kanë qëndruar relativisht të larta. Të tilla si nektarina me 130-140 lekë/kg, rrushi 140-150 lekë/kg; dardha 150-160 0 lekë/kg, molla 120-130 lekë kg; kumbulla e zezë 70-80 lekë/kg. Shitësit e dyqaneve e argumentojnë nivelin e lartë të çmimeve, kryesisht të zarzavateve me mungesë të prodhimit cilësor. “Prodhimi që vjen nga Myzeqeja, i domates, meqë po këmbëngul më së shumti tek ky produkt, është jocilësor. Klientët tanë nuk e preferojnë. Kjo është dora e dytë. Dhe ne detyrohemi t’i blejmë disa produkte nga fshatarët në periferi të Tiranës, me cilësi më të mirë dhe çmim më të lartë. Fitimi ynë është shumë i ulët”, shprehet shitësi i një dyqani fruta-perimesh.
Zgjedhjet alternative
Çmimet e larta të perimeve dhe frutave në dyqanet e licencuara apo në tregje, i kanë detyruar qytetarët të bëjnë një zgjedhje alternative, në mënyrë që të kursejnë sadopak. Shitësit ambulantë janë zgjidhja “ideale” në këtë rast. Duke qenë se qëllimi tyre nuk është i mirëfilltë tregtie, por shesin ato prodhime që kanë, për të siguruar të ardhura ditore, çmimet që ofrojnë ambulantët janë shumë më të leverdishme se ato që gjenden në treg, për shkak se nuk kanë edhe kosto qiraje. Nga një vëzhgim i bërë në disa zona, duket se ambulantët, të ardhur kryesisht nga periferia e kryeqytetit, ofrojnë fruta dhe perime të sezonit, të paktën me 20-30 lekë më pak. Edhe nga pikëpamja e cilësisë, shumë nga qytetarët preferojnë produktet e fshatit dhe klientela e tyre ka ardhur në rritje.
Tkurret eksporti i fruta-perimeve
Në gjysmën e parë të vitit, nga e gjithë harta e produkteve bujqësore që eksportohen jashtë vendit, zëri i bujqësisë ka shënuar rënie, ndërsa blegtoria, agroindustria dhe peshkimi kanë pasur ecuri pozitive. Megjithëse rënia duket se është e lehtë me vetëm 1.9 për qind, konkretisht në vlerë monetare nga 6,5 miliardë lekë eksporte në 6.4 miliardë, janë disa produkte që kanë pësuar tkurrje në eksport, si pasojë ndoshta e kërkesës në rënie apo prodhimit më të ulët. Duket se një sërë produktesh për të cilat vitet e fundit kërkesa ka qenë në rritje, këtë vit ka pasur reduktim të eksporteve. Në sasi, për periudhën janar-qershor 2018 janë eksportuar 93.3 mijë tonë produkte bujqësore nga 105 mijë tonë të eksportuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konkretisht rënie kanë pasur produkte të ndryshme si domate, qepë, hudhra, lakër, lulelakër, karrota, rrepa, panxhar, perime leguminoze, zarzavate të tjera, agrumet, pjepra, shalqinj, papaja, si dhe një pjesë e konsiderueshme e frutave, si kajsitë, qershitë, pjeshkët. Por duket se tkurrja më e madhe e eksporteve është vënë re tek perimet e ngrira me -86.4%, agrumet -66.7%, njëkohësisht rënie të lartë kanë edhe frutat e thata si dhe bimët si xhenxhefil, trumzë apo shafran.
Rrapaj: Faktorët që kanë ndikuar në çmimet e larta
Çfarë ka ndodhur me çmimet e fruta-perimeve gjatë këtij sezoni veror dhe pse kanë qëndruar në nivele të larta? Presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, rendit për revistën “SCAN”, disa nga faktorët që kanë ndikuar negativisht në treg dhe në ekonomitë familjare, duke përjashtuar këtu mungesën e prodhimit.
Z.Rrapaj çfarë ka ndodhur me çmimet e produkteve bujqësore gjatë këtij sezoni veror, ku shifrat institucionale dhe vetë çmimet në treg, tregojnë nivel më të lartë se një vit më parë? A kemi rënie të prodhimit të fermerëve?
Prodhimi nuk ka rënë, por një pjesë e kompanive që kanë qenë të profilizuara për të furnizuar Tiranën, u janë drejtuar më shumë eksportit, duke lënë një boshllëk në Tiranë. Fenomeni i rritjes së çmimeve nuk është në mbarë vendin, mund të veçoj Tiranën dhe zonat turistike, kryesisht ato bregdetare.
Cilat janë disa nga arsyet?
Arsyeja për Tiranën ka të bëjë me kostot e prodhimit, që janë të larta këtë vit. Arsyja e parë është çmimi i inputeve që është shumë i lartë. Arsyeja e dytë ka të bëjë me farat e përdorura, me rendimentin e ulët të disa varieteteve dhe arsyeja e tretë ka të bëjë me eksportin. Vitin e kaluar janë marrë shumë kompani me eksport, ndërsa këtë vit një pjesë e kompanive kanë hequr dorë nga eksporti si rezultat i kostove të larta të perimeve.
A ka ndonjë problem lidhur me furnizimin e tregut?
Një faktor tjetër ka të bëjë me formën e organizimit të furnizimit të tregut. Shpesh tregu furnizohet me kompani informale, të cilat shfrytëzojnë momentet e mungesës së produktit dhe rrisin çmimet dy apo tre herë, sepse nuk kanë kontroll. Kjo vërehet edhe në Tiranë edhe në zonat turistike. Fakti që këto kompani u janë drejtuar destinacionit të zonave turistike, që çmimet kanë qenë të larta këtë vit, ka bërë që Tirana të mbetet më pak e furnizuar me perime. Disa kompani që importonin kanë hequr dorë. Këtë vit edhe importi ka rënë, në mënyrë që të balancohej çmimi, kërkesa me ofertën. Megjithatë kjo është një periudhë kalimtare dhe nuk është një periudhë stabël, që do të vazhdojë gjatë. Me mbylljen e sezonit turistik ikën një nga faktorët dhe tregu do shkojë në nivelet e veta normale. Pra është mungesë e rrjeteve të furnizimit të tregut, sidomos Tiranës që është treg i madh. Megjithatë po luhet me çështjen e luhatjeve të çmimeve. Kostot po vijnë duke u rritur.
Mbështetja e bujqësisë me subvencione a ka ndonjë ndikim në këtë çështje?
Vitin e kaluar nga 15 milionë euro subvencion për këto fusha, u dhanë vetëm 1.2 milionë euro, për arsye politike, zgjedhjet, etj. U dha vetëm 10 për qind e subvencionit. Kjo e jep efektin tani. Nga ana tjetër, Fondet e projektit IPARD nuk u hapën. Kështu që nga kjo pikëpamje, kjo ka prodhuar situatën e tanishme. Çështja qëndron në faktin që këto fenomene do të ndodhin sa herë që ndodhin defektet që përmendëm më lartë./Scan Tv
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/