PD publikon padine ndaj Arta Markut, si fillim duhet te pezullohet

PD publikon padine ndaj Arta Markut, si fillim duhet te pezullohet

106
0
Shares

Opozita padit kryeprokuroren Arta Marku për largim të paligjshëm të prokurorëve që hetojnë ish-​ Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, me qëllim  mbylljen e  hetimit ndaj tij.

Ne emër të opozitës, kallëzimin e depozituan në prokurorinë e Tiranës, kryetarët e grupeve parlamentare PD- LSI, Spaho dhe Vasili.

Në kallëzim thuhet se “Arta Marku ka ndërmarrë veprime aktive që kanë shkaktuar pasoja të rënda për funksionimin e organit të prokurorisë”.

Opozita i cilëson lëvizjet e paligjshme të prokurorëve të urdhëruara politikisht.

Opozita e padititi kryeprokuroren për shpërdorim detyre, pasi ajo vendosi të shpërbëjë tërësisht grupin e prokurorëve të çështjes penale ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. “Arta Marku ka ndërhyrë në mënyrë aktive për dështimin e hetimeve ndaj tij”-shprehet opozita në kallëzimin penal.

“Fillimisht, largoi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke komanduar si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, znj. Elisabeta Imeraj, Më pas, transferoi edhe prokurorin tjetër të çështjes, z. Besim Hajdarmataj nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Pogradecit. Lëvizja dhe transferimi i prokurorëve që udhëheqin çështjen penale të  Saimir Tahirit, është një veprim aktiv dhe i kundërligjshëm, që bëhet me qëllimin e plotë të dështimit të hetimeve dhe përbën pa asnjë dyshim pengim të drejtësisë. Kjo lëvizje vjen në një kohë ku afati ligjor i hetimeve është drejtë përfundimit dhe prokurorët do të duhet të dalin me konkluzionin përfundimtar mbi këtë hetim”– thuhet në kallëzimin e depozituar në Prokurorinë e Tiranës.

Në Kallëzimin Penal theksohet gjithashtu, se akte të tilla të paligjshme nga Arta Marku, provojnë tërësisht se qëllimi i saj në detyrë është shërbimi politik ndaj Edi Ramës, dhe dështimi apo pengimi i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të kësaj Qeverie apo organizatave kriminale të lidhura me të.

Duke qenë se Arta Marku drejton prokurorinë dhe kallëzimi është bërë tek vartësit e saj në Prokurorinë e Tiranës, opozita ka kërkuar njëkohësisht edhe marrjen e masës së përkohshme të prezullimit nga detyra deri në përfundimin e hetimit.

Kallezimi i plote:

K A L L Ë Z I M   P E N A L

KALLZUES:GRUPI PARLAMENTAR I PD

Përfaqësuar nga Kryetari i Grupit, z. Edmond Spaho

GRUPI PARLAMENTAR I LSI

Përfaqësuar nga Kryetari i Grupit, z. Petrit Vasili

ME OBJEKT: ​​Kallëzim i veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.

KUNDER:Arta Marku, me detyrë Prokuror që ushtron përkohësisht funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm

DREJTUAR:PROKURORISË PRANËGJYKATËS SË SHKALLËS SËPARË TIRANË

E nderuar Znj. Prokurore,

Bazuar në nenet 280 dhe 283 të K.Pr.Penale, si dhe nenit 248 të Kodit Penal, parashtrojmë këtë kallzim penal për veprat penale të sipërcituar, duke parashtruar rrethanat e fakteve konkrete ku bazohet kallëzimi, provat me të cilat vërtetohen këto fakte si dhe dispozitat ligjore penale të cënuara.

I.     LIGJI I APLIKUESHEM

1.1. Kodi i Procedurës Penale, në nenet 280, 283 dhe dispozitat tranzitore e tij parashikon se:

Neni 280

Marrja dijeni për veprën penale

Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.

Neni 283

Kallëzimi nga ana e shtetasve

Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Në rastet e caktuara me ligj kallëzimi është i detyrueshëm.

Dispozita tranzitore

4. Deri në krijimin e Prokurorisë së Posaçme, çështjet në hetim për veprat penale apo subjektet e parashikuara në nenin 75/a, të Kodit të ndryshuar me këtë ligj, do të hetohen përkatësisht nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, sipas kompetencës të përcaktuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.

1.2. Nga ana tjetër Kodi Penal në dispozitat e tij parashikon se:

Neni 248

Shpërdorimi i detyrës

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

II. RRETHANAT E FAKTIT

Arta Marku, me funksion prokuror që ushtron përkohësisht funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të detyrës, ka ndërmarrë veprime aktive që kanë shkaktuar pasoja të rënda për funksionimin e organit të prokurorisë. Lëvizjet kaotike dhe me urdhër politik të prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, pa asnjë plan tëmirëfilltë organizimi dhe që kanë sjell dështimin e tëgjitha çështjeve me ndjeshmëri të lartë publike, janëveprime të kundërligjshme, që prekin drejtëpërdrejtëinteresin e shtetit dhe të shtetasve.

Është fakt se gjatë gjithë kësaj periudhe të drejtimit tëorganit të prokurorisë nga Arta Marku:

Asnjë zyrtar i lartë publik nuk është proceduar penalisht;
Asnjë organizatë kriminale dhe asnjë nga eksponentët e njohur të krimit të organizuar nuk është arrestuar apo proceduar penalisht;
Kanë ndodhur veprime të paprecedenta, siç është grabitja e postës sekrete të Prokurorisë së Durrësit, apo grabitja e dosjeve hetimore nga po e njëjta prokurori; etj.

Më datë 20.09.2018, me një akt të qartë të urdhëruar politikisht, Arta Marku ka vendosur të shpërbëjëtërësisht grupin e prokurorëve të çështjes penale ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, duke ndërhyrë në mënyrë aktive për dështimin e hetimeve ndaj tij.

Fillimisht, largoi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke komanduar si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, znj. znj. Elisabeta Imeraj, e cila ishte e angazhuar si një nga prokurorët kyç të çështjes penale ndaj Saimir Tahirit.

Më pas, transferoi edhe prokurorin tjetër të çështjes, z. Besmi Hajdarmataj, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Pogradecit.

Në këtë mënyrë, nëpërmjet këtyre dy lëvizjeve të paramenduara, Arta Marku i ka dhënë një goditje tëpaprecedentë grupit hetimor që ka ndjekur deri mëtani hetimin penal ndaj ish Ministrit të Brendshëm, tëakuzuar për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike dhe mbështetje ndaj organizatës kriminale tëHabilajve.

Lëvizja dhe transferimi i prokurorëve që udhëheqinçështjen penale të  Saimir Tahirit, është një veprim aktiv dhe i kundërligjshëm, që bëhet me qëllimin e plotë të dështimit të hetimeve, pushimit të procedimit penal ndaj tij, dhe përbën pa asnjë dyshim pengim të drejtësisë. Kjo lëvizje vjen në një kohë ku afati ligjor i hetimeve është drejtë përfundimit dhe prokurorët do të duhet të dalin me konkluzionin përfundimtar mbi këtë hetim. Mirëpo, çështja penale aktualisht është pamundësuar të ndiqet nga grupi hetimor i caktuar për hetimin e saj, për shkak të trasferimeve dhekomandimeve të prokurorëve të çështjes në Prokurori të tjera.

Nga ana tjetër, lëvizja e prokurorëve të Prokurorisë për Krime të Rënda, ka shkaktuar një akt tjetër të paprecedentë, në një tjetër çështje të ndjeshme për opinionin publik, gjykimi ndaj bandës kriminale të drejtuar nga Emiljano Shullazi. Procesi gjyqësor ndaj tij është i bllokuar që prej 3 muajve, për shkak se prokuroria ka dështuar të përfaqësojë akuzën dhe shtetin në gjykim. Edhe kjo situatë është krijuar për shkak të veprimeve aktive të Arta Markut, e cila ka lëvizur nga detyra prokurorët e kësaj çështje dhe se trupa tjetër e prokurorëve të Prokurorisë për Krime tëRënda nuk ka pranuar që kjo çështje penale, që ështënë fazë gjykimi, të rishortohet.

Akte të tilla të paligjshme nga Arta Marku, provojnëtërësisht se qëllimi i saj në detyrë, është shërbimi politik ndaj Edi Ramës, dhe dështimi apo pengimi i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të kësaj Qeverie apo organizatave kriminale të lidhura me të. Mirëpo, këto veprime janë një atentat ndaj shtetit të së drejtës nëShqipërisë dhe dhunim flagrant i misionit të organit të prokurorisë në një shtet demokratik.

III. ANALIZA LIGJORE E FAKTEVE

Më datë 18 Dhjetor 2017, Arta Marku u zgjodh Prokuror që ushtron përkohësisht funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me votim të njëanshëm, të vetëm 69 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Zgjedhja e Arta Markut në detyrën drejtuese tëorganit të prokurorisë, nuk u bë sipas rregullave tëparashikuara në Kushtetutë, por u bazua në pikën 2 tënenit 109 të ligjit nr. 97/2016, ku parashikohet se: “Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji.”.

Pika 3 e kësaj dispozite, parashikon se: “Kompetencat kalimtare të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë parashikohen në dispozitat kalimtare të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.”. Për pasojë, ndryshe nga institucionet e tjera kushtetuese ekzistuese, Prokurori që ushtron funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se nuk ështëzgjedhur sipas Kushtetutës, nuk mund të ushtrojë tëgjitha funksionet e një Prokurori të Përgjithshëm, por ushtron vetëm ato kompetenca të kufizuara që i janëngarkuar ligji, që shërbeu si bazë ligjore për zgjedhjen e saj, gjatë periudhës tranzitore të ushtrimit të detyrës.

Ligji nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ka parashikuar qartë rrethin e kompetencave që ushtron prokurori që ushtron përkohësisht funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm. Pika 2, e nenit 160, parashikon se: “2. Deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm do të vazhdojë të ushtrojë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj: a) emëron magjistratët kandidatë të diplomuar në vitin 2016, në përputhje me pjesën III, kreu II, të këtij ligji, të paktën dy muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji; b) merr vendim për caktimin në pozicione të kandidatëve magjistratë të diplomuar në vitin 2016, sipas pjesës III, kreu III, të këtij ligji, brenda tre muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji; c) pezullon prokurorët, sipas procedurës dhe kritereve të parashikuara në ligj; ç) mbikëqyr trajnimin e prokurorëve, sipas këtij ligji dhe ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë; d) kryen vlerësimin e punës, siç parashikohet në dispozitën kalimtare të këtij ligji, duke përfshirë edhe ndihmën në rivlerësimin kalimtar të prokurorëve, në bazë të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”; dh) vërteton mbarimin e emërimit në rast dorëheqjeje dhe arritjes së moshës së pensionit.”.

Nga kjo dispozitë kuptohet qartë, që prokurori qëushtron përkohësisht funksionet e Prokurorit tëPërgjithshëm, nuk ka kompetencë të vendos transferimin pa pëlqim të një prokurori nga njëProkurori në një tjetër. Aq më tepër, një transferim i tillë, nuk mund të kryehet jashtë rregullave tëparashikuara nga nenet 44 e vijues të ligjit nr. 96/2016. Në cdo rast, neni 163 i ligjit ka sanksionuar qartë se: “1. Prokurori në detyrë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë ose të Apelit qëndron në pozicionin e tij deri në momentin e krijimit të Prokurorisë së Posaçme”. Kjo dispozitëtranzitore përjashton çdo mundësi për transferimin apo lëvizjen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda tëprokurorëve të emëruar në këtë Prokurori, veçanërisht për rastet kur kjo bëhet pa pëlqimin e prokurorit.

Në shkelje flagrante të kompetencave të veta, Arta Marku, më datë 20.09.2018, njoftoi se ka vendosur transferimin e 3 prokurorëve të Prokurorisë për Krime të Rënda. Konkretisht, Prokurori i Përgjithshëm urdhëroi caktimin e përkohshëm të prokurorëve: 1) Olsian Çela nga Prokuroria për Krime të Rënda caktohet në Prokurorinë e Beratit; 2) Sonila Muhametaj nga Prokuroria për Krime të Rënda caktohet në Prokurorinë  e Pukës; dhe 3) Besim Hajdarmataj nga Prokuroria për Krime të Rënda caktohet në Prokurorinë e Pogradecit. Një akt i tillë i Arta Markut, nuk ka asnjë bazë ligjore, dhe është ndërmarrë në kundërshtim me dispozitat urdhëruese ligjore dhe në tejkalim flagrant tëkompetencave që i njeh ligji.

Duke vlerësuar se ndërmarrja e veprimeve të tilla me dashje direkte dhe në shkelje kaq flagrante të Kushtetutës e të ligjit dhe me veprime kaq të hapura urdhrash politikë, Arta Marku ka ndërmarrë veprime në dëm jo vetëm të prokurorëve të emëruar në detyrë në mënyrë të ligjshme, por edhe në dëm të vet interesave të ligjshme të shtetit. Për pasojë, e kallëzuara nga ana jonë, ka konsumuar tërësisht elementët e veprës penale të “Shpërdorimit tëdetyrës”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Duke vepruar jashtë kompetëncave që i njeh ligji, Arta Marku ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, dhe që cenon interesat e ligjshme të shtetasve dhe shtetit, me qëllimin kriminal të pengimit tëdrejtësisë. Për pasojë, Arta Marku, ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Objekt i kësaj vepre penale janë marrëdhëniet juridike të vendosura me ligj, të cilat sigurojnë veprimtarinë e rregullt e normale të aparatit shtetëror, institucioneve publike, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të shtetasve dhe të shtetit. Në këtë rast, nëpërmjet urdhërimit të transferimit të 3 prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që cenon ecurinë edhe të dosjeve hetimore kundër krimit të organizuar, Arta Marku, ka injoruar detyrimet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji nr. 96/2016, duke mos përmbushur në mënyrë të rregullt detyrën e tyre.

Nëpërmjet një akti të tillë, Arta Marku, pengon drejtësinë dhe me veprime aktive ka dëmtuar interesat e shtetit, për shkak se trasferimi i z. Hajdarmataj, cenon grupin hetimor që po heton një çështje me ndjeshmëri të lartë publike, siç është cështja penale në ngarkim të ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organziuar, si dhe ndërshkueshmëria në rradhët e zyrtarëve të lartë, është edhe një prioritet i shtetit shqiptar, në kuadër të procesit të integrimit europian.

Nga ana objektive vepra penale është kryer nëpërmjet veprimeve aktive të kundërligjshme, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, dhe që ka sjell si pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme të shtetasve dhe të shtetasve. Subjekti i veprës penale, është subjekt i posacëm, dhe konkretisht prokurore, e cila me veprimet e saj, ka miratuar një urdhër të paligjshëm, që pengon vijimin normal të hetimeve penale në ngarkim të ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Nga ana subjektive vepra penale është kryer me dashje direkte dhe me qëllimin e posaçën ndikimin e paligjshëm në dosjen hetimore në ngarkim të Saimir Tahirit.

Referuar gravitetit të shpërdorimit të detyres të kryer nga ana e të kallëzuarës, me dashje direkte dhe me veprime aktive kriminale, duke dhunuar Kushtetutën dhe mospërfillur ligjin, referuar densitetit dhe vazhdimësisë së veprimtarisë kriminale të saj, të cilat dëmtojnë vet interesat e ligjshme të shtetit, paraprakisht kërkojmë që, menjëherë pas regjistrimit të këtij kallëzimi penal ndaj personit të kallëzuar, për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të saj, dhe pasojave të rënda që sjellin akte të tilla, kërkojmë të merret masa e sigurimit personal ndaluese, e “Pezullimit të Ushtrimit të detyrës publike”, të parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale. Në këtë rast, pezullimi nga detyra, është parakusht edhe për një hetim të pavarur dhe të paanshëm, duke qenë se e kallëzuara është në funksionin e drejtuesit më të lartë të organit të prokurorisë.

Znj. Prokurore,

Me anë të këtij kallëzimi që ju paraqesim, marrim përsipër të bëhemi përcues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi të cilët besojnë se vetëm zbatimi i ligjit do ta cojë drejt përsosjes shoqërinë tonë. Të atyre qytetarëve të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë. Ne besojmë se përpara ligjit jemi të gjithë njësoj, si Kryeministri apo ministri ashtu dhe cdo qytetar i thjeshtë shqiptar. Përfundimisht, nga sa analizuar më sipër rezulton se janë ezauruar të gjitha elementet e veprave penale konkrete të përcaktuara në objektin e këtij kallëzimi penal, dhe për pasojë organet ligjzbatuese duhet të veprojnë pa asnjë hezitim të mëtejshëm dhe me profesionalizëm të lartë të diktuar nga interesi i lartë që është cenuar në këtë rast, duke qenë se është cenuar një e drejtë kushtetuese e qytetarëve shqiptar

Për këtë arsye, nga ana e organit të prokurorisë kërkojmë:

​​1) Regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj Arta Markut, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, të parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë  të rrethanave të parashtruara më sipër, si dhe të rrethit të plotë të zyrtarëve publikë të përfshirë në këtë akt kriminal.

2) Në mbështetje të neneve 240-243 të Kodit të Procedurës Penale, paraqitjen e kërkesës për marrjen e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” apo “ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale”, për personat e kallëzuar në këtë Kallëzim Penal, të cilët nëse vijojnë punën mund të prishin provat apo pengojnë hetimin.

Ne shprehim gjithë besimin se institucioni juaj, do të veprojë në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurrim, dhe e presim me vëmendje maksimale dhënien rrugë të këtij kallzimi sipas procedurës përkatëse.

Me respekt,

KALLZUESI:

Grupi Parlamentar PD​​​​​Grupi Parlamentar LSI

KRYETARI​​​​​​​KRYETARI

EDMOND SPAHO​​​​​​PETRIT VASILI

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY