Berisha: “Korrigjimi i kufijve” zhbërje e Kosovës, Fatos Klosi organizator i vrasjes...

Berisha: “Korrigjimi i kufijve” zhbërje e Kosovës, Fatos Klosi organizator i vrasjes së Ahmet Krasniqit

116
0
Shares

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tashmë deputet i PD-së, thotë se pazari me kufijtë është dhunim, cungim i integritetit territorial, sovranitetit dhe kushtetutës të Kosovës dhe një fitore spektakolare e serbomëdhenjve Vuçiq e Daçiq.

Berisha në intervistën ekskluzive për gazetën “Bota sot”, thotë se “korrigjimi i kufijve”, është zhbërje e Kosovës dhe e të gjitha akteve ndërkombëtare dhe kombëtare të shtetësisë, pavarësisë dhe njohjeve të saj.

Ndërsa, për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, ish-kreu i qeverisë shqiptare, deklaron se organizator direkt i krimit të shëmtuar politik është Fatos Klosi.

Berisha ndër tjerash në këtë intervistë të gjatë për gazetën “Bota sot”, ka folur për vrasjen e gazetarit Ali Uka, raportet aktuale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe gjasat e Shqipërisë që të bëhet pjesë e BE-së.

 “Bota sot”: 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, brenda një kornize të pranuar nga pjesa dërmuese e bashkësisë ndërkombëtare, kufijtë e Kosovës janë vënë sërish në “pazar”. Si i keni parë ju këto zhvillime?

Sali Berisha: Këto zhvillime dramatike janë një thikë pas shpine nga argatët e Beogradit në Prishtinë, për Kosovën janë shkelmim i marrëveshjeve, akteve dhe ligjeve ndërkombëtare që qëndrojnë themel të pavarësisë së Kosovës, vetë aktit të shpalljes së kësaj pavarësie si dhe njohjeve të saj ndërkombëtare. Ky pazar është dhunim, cungim i integritetit territorial, sovranitetit dhe kushtetutës të Kosovës dhe një fitore spektakolare e serbomëdhenjve Vuçiq-Daçiq. Në një operacion të jashtëzakonshëm, Vuçiq, siç deklaroi në Mitrovicë, do të bëjë Serbinë më të madhe jo me luftë, por me argatët e tij serbomëdhenj shqipfolës në Prishtinë, të cilëve ua ka besuar që ta tundin ata flamurin e Serbisë së Madhe.

Pas vitit 1944, pushtimit të Kosovës nga ushtria partizane e Shqipërisë, votës së parlamentit të Kosovës për dorëzimin e autonomisë së Kosovës, Sllobodan Millosheviçit, ky është akti i tretë madhor i tradhtisë nga serbomedhenj shqipfolës ndaj Kosovës, të gjallëve dhe të rënëve e të vdekurve të saj. Të nxjerrësh në treg territore dhe kufij të vendit tënd sipas skenarit të vjetër dhe të rrezikshëm të Beogradit dhe t’i servirësh ato si skenar tëndin, dëshmon se je i detyruar nga gjithçka tjetër shqiptare përveç emrit.

Me këtë rast ju bëjë thirrje deputetëve të Kosovës mos lejoni kurrë që Parlamenti i Kosovës të përsërisë aktin e vitit 1981, mos pranoni që argatët e Beogradit të tregtojnë me territorin, kushtetutën dhe të drejtat sovrane të popullit dhe vendit tuaj.

 

“Bota sot”: Në vazhdimësi ju jeni deklaruar se jeni kundër kësaj ideje, mund të na tregoni se pse dhe cili është rreziku që i kanoset Kosovës me korrigjim?

Sali Berisha: Po unë jam deklaruar kategorikisht kundër sepse:

Së pari ky akt është zhbërje e Kosovës dhe e të gjitha akteve ndërkombëtare dhe kombëtare të shtetësisë dhe pavarësisë, e njohjeve të saj, është kapitullim dhe defaktorizim i plotë i saj.

Së dyti shënon hapin e parë simbolik tejet të rëndësishëm drejt Serbisë së Madhe, pra zmadhimit të Rusisë së Vogël, legjitimimit të kërkesave të Beogradit për territore, të cilat në të drejtën ndërkombëtare i përkasin një vendi tjetër sovran dhe për të vazhduar pastaj me aneksimin e “Republikës Srpska” dhe zmadhuar shumë kështu Rusinë e vogël apo Serbinë e madhe, historikisht faktor kryesor i destabilizimit të Ballkanit.

Së treti, ky akt bazohet kryekëput mbi albanofobinë, racizmin serb ndaj shqiptarëve. Unë miqësisht do kërkoja nga redaksia e gazetës dhe lexuesit tuaj, por dhe të gjithë qytetarët e Kosovës të mos harrojnë vizitën dhe deklaratat e Ivica Daçiq në janar të vitit 2013 fill pas heqjes së përmendores së të rënëve të UÇPMB-së para ndërtesës së Komunës së Preshevës dhe terrorin e egër policor të ushtruar ndaj fëmijëve, burrave, grave, të rinjve shqiptar. Pasardhësi i Sllobos do tu thoshte banorëve të Preshevës: Mirë jua bëri policia që ju rrahu dhe keqtrajtoi se ju nuk pranoni të shkoni me Kosovën.

Pra Ivica Daçiç manu militari, nga pozita albanofobe donte të bindte qytetarët Preshevës të bashkoheshin me Kosovën sepse ai duhet të merrte veriun e saj. Kurse, sot judët e Beogradit në Prishtinë duan të na mbushin mendjen se ky është një projekt i tyre.

Së katërti, nuk jam dakord me precedentin që krijon Beogradi dhe albanofobët shqipfolës në Prishtinë sepse situata të ngjashme me katër komuna homogjene janë së paku 6-7 në shtatë në rajonin tonë. Hapja e kutisë së pandorës paralajmëron flakë të reja konfliktesh, që për pasojat e tyre katastrofale mund të ndryjnë në harresë të vjetrat. Në raste ndokush në komunitetin ndërkombëtar mendon vërtet se kufijtë aktual në rajon nuk krijojnë stabilitet, atëherë le të thirret një konference ndërkombëtare për të vendosur nonlens volens kufijtë e rinj që besohet se mund të garantojnë stabilitet afatgjate në Ballkan.

Së pesti, jam kategorikisht kundër çdo forme, me luftë apo paqe të spastrimit etnik. Rajoni ynë kudo është shumë i pasur në minoritete. E vërteta është se ato përveçse një grusht bandash të lidhura me pushtetin e Beogradit por dhe të argatëve të tij në Prishtinë nuk janë absolutisht askund faktor destabiliteti. Në fakt, pavarësisht nga bandat që bëjnë ligjin në Veri të Kosovës, pjesa tjetër e Serbëve braktisi mitingun e Vuçiq për t’i thënë atij mos luaj për qëllimet e tua me fatin tonë.

Së fundi, trajtimi që u bëjnë qytetarëve të Kosovës dhe kombit shqiptar në tërësi argatët shqipfolës të serbomëdhenjve në Prishtinë me mungesën totale të transparencës, është fyes, poshtërues për çdo shqiptar por në radhë të parë për dhjetëra mija të rënë të Kosovës. Kështu ata njëherë bëjnë fjalë për shkëmbim territoresh, pasi kapën ngushtë si tregtarë të integritetit territorial të vendit tyre betohen se nuk do ketë shkëmbim territoresh, herën tjetër flasin si ndjellës të fatkeqësive, duhet të përgatiten qytetarët se duhet kompromis i dhimbshëm. Por, se pse duhet të vuajnë qytetarët e Kosovës përveç shërbimeve që ata duan t’i bëjnë Beogradit nuk e thonë.

Në një kohë kur Beogradi dhe mediat botërore flasin të gjitha për shkëmbim, tregti territoresh, ata betohen se nuk japin asnjë metër tokë të Kosovës, por sipas tyre do marrin si shpërblim nga Vuçiq tre komunat e Luginës.

Krahasimet e tyre i nxjerrin lakuriq se çfarë dhe ke përfaqësojnë, për të ilustruar dhe justifikuar pazaret e tyre njëherë na sollën shembullin e shkëmbimit të një ishulli sa një stadium futbolli e një lume midis Mbretërive të Belgjikës dhe Holandës, sepse ndryshimi i shtratit të lumit e nxirrte atë copë toke një herë në njërën anë dhe një herë në anën tjetër. Kurse së fundi, duke dëshmuar kretinitetin (budallikun) e tyre intelektual për të mashtruar shqiptarët, shkojnë deri aty sa të krahasojnë jashtë çdo konteksti politik, historik, gjeografik ndarjen paqësore të Çekosllovakisë, duke harruar se një krahasim të tille idiotesk mund ta bëjnë vetëm njerëz që kanë humbur mendjen për arsye që i dinë vetë.

Të krahasosh Serbinë me Çekinë dhe Kosovën me Sllovakinë është njëlloj si të krahasosh Havelin me Millosheviçin dhe të shkelmosh për interesa të Beogradit mbi lumenjtë e gjakut, sakrificave dhe vuajtjeve të shqiptarëve nga barbaritë e Serbisë.

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI KËTU 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY