Turkish Airlines kërkon 30 mijë dollarë, Shqipëria ka vetëm 200 mijë

Turkish Airlines kërkon 30 mijë dollarë, Shqipëria ka vetëm 200 mijë

101
0
Shares

Një avion me logon e Air Albania u ngrit nga Aeroporti i Rinasit me një ceremoni të nivelit të lartë të shtunën me destinacion Stambollin, në një udhëtim të prezantuar nga Kryeministri Edi Rama si “provë”.

Udhëtimi u shoqërua me fjalime prekëse, akuza nga opozita për mungesë transparence dhe mashtrim si dhe me shumë humor në rrjet nga zgjedhja e qeverisë për t’i vënë avionëve emra poetësh kombëtarë. Sipas kryeministrit Edi Rama, avioni i parë do ta ketë emrin Lasgushi, sipas nofkës letrare të poetit Llazar Gusho, për t’u pasuar me avionë të tjerë me emrin e Fan Nolit apo Migjenit.

Vetëm pak ditë para këtij udhëtimi, në Qendrën Kombëtare të Biznesit u regjistrua një kompani me përgjegjësi të kufizuara Sh.p.K me emrin Air Albania. Sipas dokumenteve të publikuara në QKR, Air Albania do të jetë nën pronësinë e Turkish Airlines (49%), kompanisë nga Vlora MDN Investment (41%) dhe kompanisë shtetërore Albcontrol, 10%. Kapitali i paguar i kompanisë është 100 mijë lekë, (afërsisht 900 dollarë), por në marrëveshjen e themelimit, palët bien dakord të “financojnë sipas pjesëve takuese” shpenzimet operative të saj deri në 200 mijë USD.

Bisedimet për arritjen e marrëveshjes u zhvilluan në mënyrë private përgjatë muajve të fundit ndërsa qeveria e kryeministrit Rama zgjodhi pa ndonjë procedurë të njohur një kompani të saporegjistruar në Vlorë me emrin MDN Investment si investitori shqiptar në Air Albania. Arsyet se pse u zgjodh MDN Investment nuk janë bërë të ditura.

Kjo e bën Air Albania kompaninë më të vogël në botë që synon të kryejë fluturime ajrore. Sa për krahasim, Albanian Airlines, e cila operoi si kompani flamuri mes viteve 1995 dhe 2004, kishte një kapital të paguar prej 4 miliardë lekësh ndërsa kompania Albatros Airways, e cila operoi mes viteve 2004 dhe 2006, kishte kapital prej 52 milionë lekësh.

Por ndërsa kapitali i vockël dhe fakti që MDN Investment nuk ka asete të njohura si dhe administratori i saj, Sinan Idrizi, nuk ka aktivitete biznesi të konsiderueshme të regjistruara në Shqipëri, e bëjnë perspektivën e Air Albania të dyshimtë, Turkish Airlines duket se nuk e ka marrë kaq lehtë çështjen.

Turkish Airline ka deklaruar më 12 shtator në Bursën e Stambollit se kompania e re do të ketë kapital deri në 30 milionë dollarë. Deklarata e Turkish në Bursën e Stambollit është detyrim ligjor për një kompani të listuar në këtë bursë. Investitorët duhet të dijnë se çfarë ekspozimesh financiare ka kompania ku ata investojnë.

Ky është një angazhim shumë herë më i lartë se sa angazhimi financiar i deritanishëm i “palës shqiptare” dhe nuk është e qartë se nga do të dalin paratë e dy aksionerëve shqiptarë për të financuar një kompani me kapital 30 milionë dollarë.

Turkish është një kompani e madhe me mbi 300 avionë dhe me vlerë tregtare prej 3.9 miliardë dollarësh.

Kompania MDN Investment nuk disponon kapitale të tilla. Sipas dokumenteve të QKR, kapitali i deklaruar themeltar i kompanisë është 100 mijë euro.

Kompania tjetër, Albcontrol, duket se e ka më të lehtë për të mbuluar përgjegjësitë e 10% të aksioneve të Air Albania. Albcontrol është kompania publike e themeluar në vitin 1992 për të ofruar shërbimin e navigimit ajror. Me pak fjalë, Albcontrol disponon radarët për monitorimin e fluturimeve tranzit në qiejtë e Shqipërisë, shërbim për të cilin kompanitë ajrore paguajnë një tarifë. Megjithëse pak e njohur në publikun e gjerë, Albcontrol është një nga kompanitë publike me të ardhura të konsiderueshme dhe me fitime neto në rënie të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Në vitin 2017, Albcontrol pati të ardhura në masën 3.5 miliardë lekë dhe fitime neto prej 48 milionë lekësh. Sipas bilanceve të kompanisë, të ardhurat e saj kanë njohur vetëm rritje përgjatë viteve të fundit, ndërsa shpenzimet, veçanërisht ato për paga, janë dyfishuar, duke sjellë rënie të fortë të fitimeve neto. Kështu, ndërsa Albcontrol kishte 2.8 miliardë lekë të ardhura dhe 440 milionë lekë fitime neto në vitin 2011, fitimet neto ranë në 120 milionë lekë më 2016 dhe vetëm 48 milionë më 2017. Shpenzimet e Albcontrol për paga janë dyfishuar nga 754 milionë lekë më 2010 në 1.4 miliardë lekë më 2017.

Pavarësisht kësaj, Albcontrol duket se i ka mundësitë financiare të paguajë pjesën takuese prej 10% të të gjithë kapitalit të Air Albania. Dyshimi qëndron te aftësitë paguese të MDN Investment. Edhe vetë kontrata e miratuar nga qeveria parashikon se çfarë do të ndodhë në rast se MDN nuk plotëson detyrimet e veta. Kontrata shkruan se nëse “MDN nuk përmbush detyrimet e saj sipas kësaj marrëveshjeje… Këshilli i Ministrave do të zëvendësojë MDN me një ortak të ri të pranuar nga Turkish Airlines”.

Një kompani jashtë kohe

Kompanitë e flamurit kanë qenë aktorë të rëndësishëm të tregut të fluturimeve ajrore në epokën para politikës së Qiejve të Hapur të zbatuar nga Bashkimi Europian. Shqipëria u bë pjesë e Qiejve të Hapur me marrëveshje të nënshkruar në vitin 2006. Para kësaj, Shqipëria kishte të drejta flamuri, të cilat ia jepte kompanive të ndryshme. Të drejtat e flamurit caktonin që nëse, fjala vjen, një avion italian fluturonte për në Tiranë, një avion shqiptar duhej të fluturonte për në Itali. Kjo bënte që kompania e flamurit të kishte akses të garantuar dhe të barabartë në treg.

Ndryshe nga sistemi i mëparshëm, sistemi i qiejve të hapur lejon kompanitë ajrore të fluturojnë kudo që dëshirojnë në zonën e vendeve anëtare pa kufizime. Në këto kushte, Air Albania do të jetë kompani flamuri por pa të drejta ekskluzive flamuri dhe pa avantazhe konkurruese në krahasim me operatorët e tjerë të tregut./BIRN

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY