Në protestën e 13 majit do të merret vendimi për moslejimin e zgjedhjeve si farsë elektorale.
Ky është mesazhi i përcjellë nga kreu i PD-së Lulzim Basha, në përfundim të mbledhjes së sotme të përbashkët, të grupit parlamentar dhe kryesisë së PD-së.
“Jemi të hapur për dialog politik, mbi premisat e pranimit të vërtetave, si krim dhe droga. Në qoftë se pala tjetër pranon përgjegjësitë për këto fenomene ne jemi të hapur për dialog e negociata”, u shpreh midis të tjerave Basha, i cili ripërsëriti se, PD kurrë nuk ka marrë një vendim për bojkot apo mospjesëmarrje në zgjedhje.
Prononcimi i plotë i Lulzim Bashës pas mbledhjes së grupit parlamentar dhe kryesisë së Partisë Demokratike
Betejë paqësore por të pathyeshme për zgjedhje të lira. Votim fasadë të diktuar nga krimi dhe droga nuk do të ketë! 13 Maji marshimi më i madh popullor dhe qytetar që ka njohur Shqipëria
Mbledhja e përbashkët e Grupit Parlamentar dhe e Kryesisë u bë për organizimin e protestës së 13 majit. Vendimi është marrë, sanksionuar nga nivelet drejtuese të Partisë Demokratike dhe koalicionit opozitar. Detyrat janë ndarë. Momentumi i besimit të qytetarëve shqiptarë, se së bashku do të ndalim marrjen e vendit peng nga krimi dhe droga përmes asgjësimit të demokracisë, me zgjedhje fasadë, zgjedhje moniste, të diktuara nga krimi dhe nga droga dhe jo nga qytetarët shqiptarë, ky momentum, i cili u konfirmua nga sprapsja e krimit dhe drogës në Kavajë, do të shumëfishohet me datë 13 maj, në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria, në bashkimin më të madh të shqiptarëve, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në orën 12.00, të shtunën e 13 majit.
Z. Basha, janë mbyllur mundësitë për një marrëveshje?
Prej ditës së parë dhe çdo ditë, ne jemi të hapur për dialog politik. Dialogu politik duhet të ketë premisën e suksesit ndërtuar mbi kuptimin dhe pranimin e të vërtetave nga të gjitha palët. Nëse, e vërteta e krimit dhe e drogës që janë sot aleatët e njërës palë në këtë përballje, palës qeveritare, refuzohet nga ana e qeverisë, atëherë premisat për një marrëveshje me dialog, janë zero. Por nëse pala tjetër, duke pranuar përgjegjësitë për gjendjen katastrofike të vendit në raport me krimin dhe drogën dhe impaktin e drejtpërdrejtë elektoral të krimit dhe të drogës në zgjedhjet e ardhshme, atëherë ne jemi të hapur që me dialog politik t’i japim shqiptarëve garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duhet të jetë fare e qartë për këdo, në veçanti për skeptikët apo kundërshtarët tanë, se nuk kërkojmë, as nuk do të pranojmë, asnjë dhuratë, lëmoshë, apo kompromis politik për Partinë Demokratike, për partitë e opozitës, për politikanët. Sepse kjo betejë nuk bëhet për ne, për karriget tona, por bëhet për të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur të lirë nga kërcënimet e krimit, kartelit të drogës dhe shitblerja masive e votës, që janë tre problemet kryesore, me të cilat përballen zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Po kështu të rikonfirmoj fare qartë se Partia Demokratike kurrë nuk ka marrë, dhe nuk do të marrë ndonjë vendim për bojkot të zgjedhjeve. Kurrë nuk ka marrë e nuk do të marrë ndonjë vendim për mospjesëmarrje në zgjedhje. E gjithë kjo betejë bëhet për të marrë pjesë në zgjedhje. Për t’u dhënë shqiptarëve mundësinë të zgjedhin, por ama të zgjedhin të lirë.
Por ju po e lini partinë jashtë zgjedhjeve z. Basha…
Ato që do të organizohen me datë 18 qershor, nuk do të jenë zgjedhje, do të jenë votime të një koalicioni monist, të ndihmuara nga droga dhe nga krimi. E gjithë përpjekja jonë dhe e gjithë qytetarëve shqiptarë, është që 18 qershori, nëse nuk ka reflektim nga pala tjetër, të shënojë jo një votim fasadë të diktuar nga krimi dhe droga, por një sprapsje totale të krimit dhe drogës dhe çdo krahu politik përfaqësues të tyre, sepse me 18 qershor, votime moniste pa opozitën, me krimin dhe me drogën, nuk do të ketë.
Por, z. Basha, ju keni marrë kritika edhe sot edhe në mbledhjen e kaluar se po e lini Partinë Demokratike për herë të parë jashtë zgjedhjeve…
Asnjë kritikë nuk kam marrë. Jeni thellësisht të keqinformuar, por nëse pretendon se ka kritika, është shprehur një mendim nga një anëtare e grupit parlamentar.
Sot, por mbledhjen e kaluar ka pasur disa deputetë…
E keni gabim. Dhe unë ua kam dhënë të plotë zbardhjen këtu në këto shkallë, kështu që kërkoj të insistoni tek të vërtetat dhe jo tek fake news. Mendimet do të rrihen. Kjo Parti Demokratike ekziston, është themeluar dhe do të vazhdojë të ekzistojë, që çdokush të thotë mendimin e tij. Por pasi sheshohen argumentet, merren vendime. Pra pa dyshim është shprehur një mendim nga një anëtar i Grupit Parlamentar, njëkohësisht anëtar i kryesisë, i bazuar në një premisë të gabuar, premisën e mospjesmarrjes në zgjedhje. Dhe në mënyrë unanime, mbledhja e përbashkët e Grupit dhe e Kryesisë, ka konstatuar atë që kemi thënë prej ditës së pare; nuk ka bojkot të zgjedhjeve, nuk ka mospjesëmarrje në zgjedhje nga ana e opozitës, por ka luftë të vendosur, totale, paqësore, demokratike, për të mos lejuar marrjen peng të zgjedhjeve, nga krimi dhe nga droga.
Ky është vendimi për të cilën qytetarët shqiptarë protestojnë tash 79 ditë. Ky është vendimi që do të mbështesë bashkimi më i madh i shqiptarëve me datë 13 maj, vendimi se në Shqipëri nuk do të lejojmë më farsë elektorale. Zgjedhje fasadë të diktuara nga krimi dhe droga në Shqipëri nuk do të ketë, as më 18 qershor, e as në një datë tjetër. Do të shkojmë vetëm drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pa dyshim që opozita do të jetë e përfaqësuar dhe qytetarët do të vendosin me votën e tyre.
Z. Basha, ndërkombëtarët po e përsërisin gjithmonë e më shpesh, se do t’i njohin këto, që ju i cilësoni si votime moniste…
Nuk do të ketë asnjë hap të askujt që do të detyrojë kthimin e opozitës dhe të qytetarëve nga kjo vendimmarrje. Zgjedhje moniste, zgjedhje të diktuara nga krimi, zgjedhje fasadë, të bëra vetëm për të legjitimuar një Parlament që nuk diktohet nga vota e popullit, por nga vota e krimit dhe e drogës, në Shqipëri nuk do të ketë. Interpretimet e qëndrimeve të ndërkombëtarëve, gjithsecili i bën sipas vlerësimit të vet. Vlerësimi ynë është realist dhe bazohet në të gjitha kriteret, parimet, themelet, mbi të cilat ngrihen shoqëritë moderne perëndimore, të cilave duam t’i përkasim, si të Bashkimit Europian, apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
DRONI.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/