Kërkojnë shkarkimin e kreut të AMA, reagon Gentian Sala: Pse kthyem sinjalin

Kërkojnë shkarkimin e kreut të AMA, reagon Gentian Sala: Pse kthyem sinjalin

183
0
Shares

Kreu i AMA, Gentian Sala ka reaguar pas kërkesës për shkarkimin e tij, të bërë nga disa anëtarë të këtij institucioni.

Anëtarët e Bordit të AMA-s,  në mbledhjen e Këshillit të mbajtur sot kërkuan që të nisin procedurat e largimit nga detyra të kryetarit të Autoritetit, Gentian Salaj, bazuar në nenin 12 të Ligjit për Transmetimet Audiovizive.

Në një deklaratë për media, Sala ka sqaruar dinamikën e procesit të digjitalizimit të transmetimeve audiovizive në qarqet e Tiranës dhe Durrësit.

Deklarata e plotë e Gentian Salajt:

Në cilësinë e kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, pasi u njoha dhe me qendrimin mediatik të disa kolegëve të bordit, po bëj deklaratën e mëposhtme:

Angazhimi në procesin e digjitalizimit për qarqet e Tiranës dhe Durrësit ka qenë dhe është i bazuar në Strategjinë Kombëtare të miratuar nga Këshilli i Ministrave në vitin 2012, gjithashtu bazuar në ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Ka qenë e njëjta performancë nga AMA, si në tre rastet e kalimit nga analogu në numerik të zbatuara hap pas hapi, fillimisht në qarkun e Beratit, e duke vijuar më pas në atë të Korçës dhe të Fierit.

Prej më shumë se një viti kur nisëm të angazhohemi me të tre qarqet dhe deri sa e finalizuam me sukses procesin në to, sigurisht që kemi hasur dhe vështirësi dhe të papritura, por gjithçka është tejkaluar. Vlen të përmendet se askush nga kolegët në Bord, përfshirë dhe ata të qëndrimit të sotëm mediatik, në asnjë rast nuk kanë përmendur ndonjë kontestim mbi procedimin, për shpalljen e afatit për fikjen e sinjaleve analoge brenda territorit të qarkut, për renditjen e kanaleve në platforma etj.

Në rastin e fundit të zbatimit të kalimit nga analogu në numerik për qarqet e Tiranës dhe Durrësit, me një popullsi dhe territor disafish më shumë u shfaqën problematika, kryesisht nga mospajisja në kohë e qytetarëve me dekodera. Ndaj dhe u vlerësua shtyrja 4 mujore e procesit, si një zgjidhje tranzitore që u jepte kohë qytetarëve që nuk mundën të pajisen me dekoder brenda afatit. Për të qenë të sigurtë, që ashtu sikundër nuk u la asnjë operator audioviziv jashtë këtij procesi, të mos mbetej pa marrë shërbim përmes teknologjisë numerike dhe asnjë qytetar.

Duke marrë në konsideratë dhe interesimin e lartë të qytetarëve në këto ditët e fundit, mbi ecurinë e procesit të kalimit nga transmetimi analog në atë digjital, sidomos për pajisjen me dekodera, po përmend disa aspekte me qëllim sqarimin e tyre.

Sa i takon aplikimit të teknologjisë DVB-T2, ju bëjmë me dije se vendimi për këtë nuk është i tanishëm, por që në momentin e miratimit të Strategjisë Kombëtare për Digjitalizimin në vitin 2012, gjithashtu sanksionuar edhe në Ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Askush nuk mund të konsiderojë si të pavlefshëm televizorin e tij, pavarësisht viti i prodhimit apo marka, pasi me vënien në përdorim të dekoderit, çdo televizor bëhet i përdorshëm me teknologjinë e re.

Kompanitë e mëdha tregtare që shesin dekodera për popullatën janë të pakten tetë, pa përfshirë këtu njësi të tjera më të vogla që u ofrojnë qytetarëve zgjedhje të ndryshme.

Sa i takon parametrave teknike dhe teknologjikë të dekoderave, ato janë përcaktuar në mënyrë rigoroze me vendim të Bordit të AMA-s dhe të Këshillit të Ministrave, dhe të zbatueshme nga autoritetet doganore shqiptare.

AMA po bën verifikimin e zbatimit të kërkesave për listimin e kanaleve në dekodera, në përputhje me vendimet e saj, dhe së shpejti do të bëjë publike rezultatet.

Fushata për informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për procesin e digjitalizimit, zhvillohet prej rreth dy viteve, duke u konsideruar fushata me kohëzgjatje më të madhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Janë realizuar rreth 300 emisione me pjesëmarrjen e specialistëve të AMA-s, por dhe ekspertëve të fushës, shoqëruar me transmetimin periodik të spoteve të dedikuara për fushatën e ndërgjegjësimit dhe informimit në mediat klasike dhe ato të reja.

Janë shpërndarë 88 mijë dekodera për familjet që janë pjesë e skemave të ndihmës ekonomike nga buxheti i shtetit.

Në mënyrë të përmbledhur angazhimi i AMA-s dhe shtetit shqiptar në këtë proces është:

AMA është investuar maksimalisht për uljen e ndjeshme të tarifës së mbartjes së televizioneve lokale në numerik, nga 5760 euro/muaj që ishte projektuar fillimisht në rreth 2150 euro/muaj.

Kostot e transmetimeve numerike të operatorëve lokale do të mbulohen nga shteti gjatë vitit të parë. Me anë të të ardhurave që do të sigurohen nga akordimi i brezit të Dividendit Digjital, në teknologjinë mobile.

Sot nuk ka asnjë subjekt audioviziv që të transmetojë pa licencë, në një kohë që para datës 10 shtator, 2018, për qarqet e Tiranës dhe Durrësit ky fenomen ka qenë shumë shqetësues, ku operohej në mënyrë të paligjshme në 11 frekuenca.

Nisur nga zhvillimet e fundit, AMA angazhohet që të intensifikojë edhe më shumë fushatën e informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për ta bërë atë sa më kapilare në dobi dhe interes të publikut.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY