Flet vëllai i Aida Cajkës që humbi jetën tek Koço Gliozheni: Si...

Flet vëllai i Aida Cajkës që humbi jetën tek Koço Gliozheni: Si kanë kaluar këto 4 muaj dhe çfarë presim nga ekspertiza e re

96
0
Shares

Kanë kaluar 4 muaj që kur motra e tij, Aida Çajka humbi jetën në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë së bashku me foshnjën e saj në prag lindje. Ndërsa sot i vëllai Fation Omuri tregon se si kanë kaluar këto muaj të vështirë për të e familjen.
Ngjarja shokoi gjithë opinionin publik, pasi gruaja që shkoi me këmbët e veta për të lindur në maternitet, doli që aty e vdekur duke lënë jetimë dy fëmijë, vajzën dhjetëvjeçare dhe djalin gjashtë vjeç. Në një intervistë për gazetën “Dita”, 27-vjeçari, i lindur në Kukës, i cili prej 8 vitesh jeton në Itali rrëfen se: “Jeta në vetvete nuk ka ndryshuar, ka ndryshuar të jetuarit. Është bërë shumë më e zymtë. Duket sikur fjalët i kanë lënë vend heshtjes, njëfarë boshllëku që vështirë të mbushet”.
“Ndonëse mjekët po gjykohen në gjendje të lirë, Fationi beson tek ekspertiza e re. “Është kërkuar një ekspertizë e re, nëpërmjet së cilës shpresohet të arrihet në konkluzionin: nëse ajo çfarë është bërë a ishte ajo çfarë duhet të ishte bërë? Në shenjë qytetarie dhe bindje të plotë civile nuk mund të shtoj asnjë fjalë më shumë për një proces gjyqësor që është akoma në hapat e tij të parë”,- thotë Fationi.
Ndërsa marrëdhënien me motrën ai e konsideron tejet të veçantë dhe thotë se nuk di si ta mbushë boshllëkun që ajo i ka lënë në këto 4 muaj mungesë. “Unë jam më i vogli i të katër (tani tre) fëmijëve. Aida ishte 8 vite më e madhe. I yni ka qenë një raport klasik i atyre të rriturve në varfëri, ku njeriu është e vetmja gjë që ke. Me kalimin e viteve varfëria u largua, por ajo ideja e njeriut qendër e gjithçkaje vazhdoi të mbetet e tillë”.
Ai është i bindur kur thotë arsyet pse humbi jetën motra e tij. “Në gjykimin tim humbi jetën pasi persona të paaftë u gjendën në vendin e gabuar në momentin e gabuar. Ky qe një kombinim fatal për të. Kam patur rastin që këto ditë të flas me disa dhe secili prej tyre ka mbetur i habitur se si është e mundur që diçka e tillë të mos vërehet nga asnjë. Fill pas asaj çfarë ndodhi kam marrë një email nga një mjek shqiptar me punësim në Amerikë dhe që më ofroi disponibilitetin e tij që të dëshmonte që ajo çfarë ndodhi mund të ishte parandaluar.
NGJARJA
Mbrëmjen e 16 shtatorit, Aida shkoi si fillim në maternitet, ky i fundit e dërgoi në QSUT dhe QSUT-ja në Sanatorium. Kjo ecejake me vonesa brenda, sipas familjarëve të saj dhe me neglizhencë nga ana e mjekëve bëri që ajo të humbiste jetën. Për këtë ngjarje ato ditë u arrestuan dy mjekë të maternitetit, të cilët aktualisht po hetohen në gjendje të lirë.
Ndërkohë në 9 nëntor, Mjekësia Ligjore përfundoi ekspertizën dhe sipas saj, Aida Çajka vdiq nga çarja e enëve të gjakut që furnizojnë shpretkën. Ky është versioni zyrtar për vdekjen e shtatzënës. Një nga personat që e kishte shoqëruar në spital gruan e ndjerë ishte  i vëllai i saj Fation Omuri, tetë vite me i vogël se sa ajo.  Ai doli në media të shpjegonte gjithçka, aq sa dinte dhe atë çka kishte pare, duke akuzuar mjekët për neglizhencë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY