Dëshmi tronditëse hedhin dritë mbi ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Tepelenë, ku një nënë e re dhe foshnja e saj 6-muajshe u dogjën në banesë. Shkak për zjarrin është bërë rrjedhja e gazit, nga një pajisje që ata përdornin për ngrohje.
Në momentin e ngjarjes, 35-vjeçarja ndodhej e vetme në banesë së bashku me foshnjën e saj, ndërkohë që i shoqi së bashku me djalin tjetër 4-¬vjeçar nuk ndodheshin aty, pasi kishin dalë në qytet.
Nga hetimet paraprake dhe dëshmitë e fqinjëve, rezulton se gjithçka ka ndodhur në momentin që e reja ka ndezur dritën, pasi ka ndjerë erën e gazit.
Në momentin kur gazi ka shpërthyer gruaja ka dalë jashtë, por menjëherë është kthyer për të marrë foshnjën e saj, por përpjekja ka rezultuar e kotë.
Zjarrfikësit kanë gjetur nënën 35¬-vjeçare të pajetë, e cila kishte mbuluar foshnjën e vet me trup me qëllim që flakët të mos depërtonin.
Komshinjtë e familjes Shehu, teksa rrëfejnë momentet që sollën tragjedinë, thonë se menjëherë kanë shpërthyer derën e jashtme të apartamentit ngjitur me të tyren dhe kanë luftuar me flakët për të shpëtuar çfarë të mundnin.
“Kova me ujë kemi hedhur në portën e jashtme, në korridor, me qëllim që të avanconim më tej që të shpëtonin Elonën dhe fëmijën e saj nga vdekja”, shprehet Rizai, komshiu përbri banesës së viktimës.
“Ndodhi gjithçka shumë shpejt. Askush nuk arriti dot të hynte pasi flakët kishin përfshirë gjithçka. Kemi parë tmerr. Kjo që ndodhi është një tragjedi shumë e rëndë për familjen. Ne dëgjuam një shpërthim, çka mund të ketë qenë bombola e gazit”, u shpreh një banor i pallatit.
Zjarrfikëset mbërritën në vend pas sinjalizimit të dhënë, por lokalizimi i flakëve ishte tepër vonë, pasi 35¬-vjeçarja dhe foshnja e saj janë nxjerrë pa jetë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/