Korrigjimi i kufijve Kosovë-Serbi, reagon për herë të parë Presidenti Meta

Korrigjimi i kufijve Kosovë-Serbi, reagon për herë të parë Presidenti Meta

106
0
Shares

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar për herë të parë lidhur me debatin për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i është bashkuar atyre zërave që janë kundër një ndryshimi apo shkëmbimi territoresh.

Në një intervistë për “Albanian Daily News” Meta ka deklaruar se dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin.

Çdo devijim nga ky realitet,përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi. Marrëveshja që mendohet të arrihet mes palëve është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive. Marrëveshja të ndihmojë frymën e bashkëjetesës, harmonisë dhe të shërojë ndjenjën e urrejtjes të mbjellë nga e kaluara.” tha presidenti.

PJESË NGA INTERVISTA
Zoti President, kohët e fundit është hapur një debat i madh mbi ndryshimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, debat në të cilin janë përfshirë politikanë vendas dhe të huaj dhe shumë analistë. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë debat?
Dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të tij, në emër të paqes e stabilitetit. Ai është parakusht për integrimin evropian të të dy vendeve.
Çdo diskutim dhe debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi.

Ballkani ka pësuar transformime të thella në dy dekadat e fundit në të cilat janë investuar seriozisht SHBA dhe BE-ja. Një nga investimet më të mëdha dhe të suksesshme ka qenë Pavarësia e Kosovës dhe në vijimësi vendosja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve dhe të stabilitetit, paqes dhe sigurisë afatgjate në rajon.

E kaluara historike e Ballkanit është fatkeqësisht e lidhur me ndryshime kufijsh, spastrim etnik dhe shpërngulje të dhunshme të popullsive të cilat janë shoqëruar me probleme të mëdha, armiqësi, luftëra e urrejtje.

Marrëveshja që mendohet të arrihet sot mes palëve është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive, të ndihmojë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë dhe të shërojë ndjenjën e urrejtjes të mbjellë nga e kaluara dhe historia.

 

 

Ju mendoni se historia po përsëritet, ky proces duket se është i mirë koordinuar nga të dy palët?
Është jetike që jo vetëm të mos rikthehen më kurrë pamje të shpërnguljes ose lëvizjes me dhunë të familjeve, qofshin këto serbe apo shqiptare, por edhe asnjë familje e vetme nuk duhet të mendojë shpërnguljen për shkak të pasigurisë që sjell debati i ndryshimit të kufijve.

Cili është roli i Shqipërisë në këtë çështje të rëndësishme?
Shqipëria gjithmonë ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA dhe përfundimi i këtij dialogu duhet ta bëjë rajonin më të qetë dhe qytetarët tanë më të sigurtë për të ardhmen e tyre.

Për Shqipërinë është i një rëndësie të veçantë respektimi i parimeve bazë të sanksionuar në Kartën e Helsinkit dhe të Parisit të OSBE për sigurinë në Europë, veçanërisht parimi i mos-ndryshimit të kufijve.

Çfarë fiton Serbia nga kjo marrëveshje?
Bashkimi Evropian me Strategjinë e re të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, u ka ofruar perspektivë të qartë integruese vendeve të këtij rajoni.

Unë besoj se përmes një marrëveshjeje me Kosovën Serbia fiton të ardhmen e saj evropiane, pasi dihet se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë kusht i domosdoshëm dhe i pashmangshëm për çdo vend të rajonit, përfshirë dhe Serbinë.

Të mos harrojmë që në dokumentin hyrës të BE-së në janar të vitit 2014, kur u hapën negociatat me Serbinë theksohet se ky proces duhet të sigurojë që të dyja palët të ecin në rrugën e tyre evropiane, pa mundësinë që ta bllokojnë njëra-tjetrën në këtë përpjekje dhe kjo gradualisht duhet të çojë në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

BE-ja dhe SHBA janë garant që përfundimi i kësaj marrëveshjeje i siguron Serbisë rrugën e saj drejt integrimit në BE. Autoritetet e larta serbe kanë deklaruar shpesh se antarësimi i vendit të tyre në BE është shumë i rëndësishëm dhe janë angazhuar seriozisht në këtë proces. Shtoj se ky përfitim është në të mirë e dobi jo vetëm të Serbisë por edhe të serbëve që jetojnë në Kosovë, është në interes të të gjitha vendeve të rajonit.

Presidenti i Kosovës Thaçi ka deklaruar disa herë se ndryshimi i kufijve do të jetë në të mirë të të ardhmes së Kosovës?
Së pari do të uroja për Kosovën të kishim një bashkim  forcash dhe energjish që promovojnë dhe mbështesin në unison interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kam vënë re se Presidenti Thaçi ka përsëritur rëndësinë e integritetit territorial të Kosovës, rëndësinë e multietnicitetit të saj dhe rëndësinë e stabilitetit të rajonit. Këto janë parime shumë të rëndësishme të cilat garantojnë një proces të pakthyeshëm dhe të qëndrueshëm.

Si e shikoni ju të ardhmen e Kosovës?
Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i njohur dhe i pranuar tashmë nga një shumicë bindëse e vendeve anëtare të OKB-së. Kosova është sot anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe rajonale.

Ajo është futur në një proces asociimi të Bashkimit Evropian dhe qytetarët e saj janë në pritje të lajmit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj në vendet e Bashkimit Evropian.

Shqipëria është krenare që ka kontribuar në këto arritje të rëndësishme dhe mbetet e vendosur në angazhimin e saj për anëtarësimin e plotë të Kosovës në OKB dhe në BE.

 

 

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY