Lirohet ish-prokurori i Fierit, Petrit Vukaj, i cili akuzohej për veprën penale të korrupsionit pasiv. Mësohet se Apeli i Krimeve të Rënda ka pushuar ceshtjen ndaj tij pasi nuk provohet fajesia dhe ka mungese provash. Në muajin tetor ai u dënua me 3 vjet shërbim prove dhe për 5 vjet nuk ka të drejtë të ushtrojë profesionin.
AKUZA
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se Petrit Vukaj, në përmbushje të funksioneve të tij, nëpërmjet ndërhyrjes korruptive të disa personave, ka marrë përsipër zbutjen e kërkesës për dënimin e shtetasit Elton Xhemali, i paraburgosur për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, ngjarje e ndodhur në datë 31.03.2015 në aksin rrugor Levan-Tepelenë, me pasojë vdekjen e qytetarit Përparim Bizhga, shef i rendit në Policinë e Delvinës, pasagjer në mjetin e drejtuar nga i arrestuari Xhemali.
Nga hetimet rezulton se Elton Xhemali, nëpërmjet vëllait të tij, Arjan Xhemali dhe oficerit të Policisë së Shtetit, Gazmir Nelollari, synon që të shmangë dënimin me burgim për veprën penale për të cilën akuzohet. Në këto kushte, Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kontaktojnë me prokurorin e çështjes, Petrit Vukaj, dukshëm theksohet në dosje – ka marrë përsipër zbutjen e pozitës proceduriale të të paraburgosurit Elton Xhemali, në këmbim të parave, e cila, sipas personave të përfshirë është 300 mijë lekë të reja.
Pas ndërhyrjes së dyshuar korruptive, prokurori Vukaj, në seancën e datës 07.10.2015 në Gjykatën e Fierit, kërkon “dënimin me 2 vjet burgim për të pandehurin Elton Xhemali dhe pezullimin e dënimit e kalimin e tij në shërbim prove”. Kërkesa e prokurorit është pranuar pjesërisht nga ana e gjykatës, e cila vendos “dënimin me 18 muaj burgim”, por duke mos pranuar kërkesën e prokurorit për pezullimin e dënimit.
Pakënaqësia e të pandehurit
Në dosjen e prokurorisë thuhet se ky vendim i gjykatës rezulton se nuk ka kënaqur aspak të pandehurin Elton Xhemali, të cilit, i vëllai Arjan Xhemali dhe polici Gazmir Nelollari, i kishin dhënë garanci se kishin ndërhyrë të prokurori dhe ai do të dilte nga paraburgimi. Nga përgjimet rezulton se i pandehuri Elton i kërkon dy personave të tjerë që t’i marrin paratë që i kanë dhënë prokurorit Petrit Vukaj, pasi ai (prokurori) nuk e kishte mbajtur premtimin e tij.
“Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kanë tentuar të qetësojnë të pandehurin Elton Xhemali, duke i bërë të ditur Elton Xhemalit se prokurori e ka bërë punën e tij, pasi ka kërkuar pezullimin e dënimit të tij”, theksohet në dosje. Kjo pakënaqësi e të pandehurit Erjon Xhemali u bë shkak që të nisin hetimet dhe të finalizohen me arrestimin e prokurorit Vukaj.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/