Analiza/Arsyet që çuan në shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Analiza/Arsyet që çuan në shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

111
0
Shares

Shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve e kanë humbur ‘betejën’ para Vettingut dhe KPK ka shkarkuar disa prej tyre deri tani.

Si arsye themelore e shkarkimit të tyre është “Deklarimi i pamjaftueshëm” i cili ka penalizuar të tetë gjyqtarët dhe prokurorët.

Ndërsa në shumicë, subjektet e vetingut janë ndëshkuar edhe për “cënim të besimit të publikut te drejtësia”,ndërsa një pjesë e tyre figuronin të kishin deklaruar pasuri jo të saktë, teksa zbulohej dyfishi i tyre gjatë procesit të vlerësimit.

BIRN ka analizuar detajisht se cilat kanë qënë disa nga arsyet që kanë çuar komisionin e pavarur të kualifikimit drejt vendimit për ti shkarkuar këta prokurorë dhe gjyqtarë.

Arsyet pas shkarkimeve

Procesi mbështetet në ndryshimet kushtetuese të verës së vitit 2016 dhe ligjit nr. 84/2016 për “Rivlerësimin kalimtar të gjykatësve dhe prokurorëve”, i cili parashikon në nenin 61 se shkarkimi vendoset për pesë arsye që përfshijnë; deklarimin e më shumë se dyfishit të pasurisë që mund të justifikohet me të ardhura të ligjshme, kontaktet me krimin e organizuar apo kontaktet e papërshtatshme, deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë, paaftësinë dhe në pikën e pestë “cënimin e besimit të publikut te drejtësia”.

BIRN gjeti pas një analize të vendimeve të zbardhura  se në të gjitha rastet kur është aplikuar shkarkimi, gjykatësit dhe prokurorët e shkarkuar kishin bërë të paktën deklarim të pamjaftueshëm “për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë”, sipas pikës 3  të nenit 61 të ligjit 84 për “Rivlerësimin kalimtar të gjykatësve dhe prokurorëve”.

Ndërkohë në tre raste në vendimet e zbardhura, KPK thotë se veç shkeljes së pikës tre, është provuar se ishte “cënuar besimi i publikut te drejtësia”. Këtu përfshiheshin anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj, gjykatësi Besim Trezhnjeva  dhe prokurori Gentian Trenova.

Në 2 raste, përfshi ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo dhe prokuroren Besa Nikëhasani, shkarkimi është dhënë për mospërmbushje të pikës 3 dhe po ashtu pikës një të ligjit, ndërsa KPK ka arsyetuar se  pasuria e deklaruar prej tyre ishte më shumë se dyfishi i pasurisë që mund të justifikohej nga të ardhurat e ligjshme.

Në dy nga 7 shkarkimet, subjektet janë konsideruar shkelës të vetëm njërës prej 5 pikave. Sipas vendimeve të zbardhura anëtari i gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha dhe prokurori i Apelit Luan Kaloçi nuk kishin bërë “deklarim të mjaftueshëm” për kriterin e pasurisë.

Ndërkohë, në rastin e prokurorit Gentian Trenova, shkarkimi është bazuar në tre pika të ligjit për rivlerësimin. Trenova sipas treshes së KPK që shqyrtoi çështjen e tij, kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm, ka cënuar besimin e publikut te drejtësia dhe është cilësuar i paaftë profesionalisht.

Nga monitorimi i seancave dëgjimore, BIRN gjeti se ashtu si në vendimet e zbardhura deri tani, pika tre e nenit 61 të ligjit të vetingut që përfshin “deklarimin të pamjaftueshëm” është dominuese edhe në shkarkimet e tjera për të cilat ende nuk ka një vendim të arsyetuar.

Megjithëse kryesisht vlerësimi për shkarkimet bazuar në këtë pikë është marrë mbi kriterin e pasurisë, në disa raste KPK ka gjetur edhe deklarim të pamjaftueshëm sa i përket figurës së gjykatësit, përfshi “fshehje” të dënimeve si në rastin e gjykatësit Admir Thanza apo mosdeklarim të të afërmve me probleme me ligjin si në rastin e gjykatësit Tom Ndreca.

Pika tjetër e ligjit ku KPK ka bazuar më së shumti shkarkimet është ajo që flet për “cënimin e besimit te drejtësia”. Në pjesën më të madhe të rasteve, në vendimet e zbardhura dhe po ashtu bazuar në seancat dëgjimore, Komisioni ka cilësuar “cënim besimi” përpjekjen e prokurorëve apo gjykatësve për të përfituar pasuri për shkak të statusit apo veprimeve fiktive me kreditë dhe tentativave për të përfituar lehtësime që nuk u takonin.

Vetëm në ratin e Xhoxhaj, KPK cilësoi cënim të besimit faktin që anëtarja e Gjykatës Kushtetuese nuk kishte dhënë dorëheqjen dhe kishte marrë pjesë në shqyrtimin e  një çështjeje, e cila më herët ishte gjykuar edhe nga babai i saj ish-gjyqtar në Apel.

Por ndërsa shkarkimet janë bërë kryesisht bazuar mbi kriterin e pasurisë dhe në pak raste mbi atë të pastërtisë së figurës, KPK ka dhënë deri tani vetëm një vendim ku shkarkimi motivohet edhe me mungesë të profesionalizmit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY