Në njoftimin e fundit të Drejtorisë të Policisë Rrugore theksohen rastet se kur drejtuesit e kamionëve duhet të respektojnë kufizimet për të mos qarkulluar në akse rrugore gjatë sezonit turistik.
Mithat Tola, Drejtor i Policisë Rrugore në një dalje për median ka dhënë informacione lidhur me aksionet e policisë rrugore në disa akse.
Por Tola është ndalur dhe tek drejtuesit e automjeteve të tonazhit të rëndë, të kamioneve.
“Shërbimi i Policisë Rrugore kërkon vëmendjen e drejtuesve të mjeteve kamionë të cilët duhet të respektojnë kërkesat dhe kufizimet e vendosura në Udhëzimin e përbashkët të dy ministrave, Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Energjetikës dhe Infrastrukturës ‘Mbi kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave përgjatë sezonit turistik dhe festive’”, ka thënë drejtori mes të tjerash.
Policia Rrugore vazhdon të kërkojë mirëkuptimin dhe mbështetjen e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve, për ngadalësimin e trafikut ditën e Shtunë dhe të Diel, veçanërisht në momentet e mbingarkesës së tij në akset dhe segmentet rrugore në zonat turistike të vendit.
Drejtoria e Policisë Rrugore falenderon të gjithë drejtuesit e mjeteve, për sjelljen në trafik dhe respektimin e “normave të sjelljes”, duke e bërë punën e Policisë Rrugore më të lehtë këtë fundjavë.
Shërbimi i Policisë Rrugore konstaton se në përgjithësi shumica e drejtuesve të mjeteve në fundjavë kanë qarkulluar në mënyrë korrekte “në kolonë për shkak të mbingarkesës” dhe të karakteristikave të akseve rrugorë interurbanë dytësore me qarkullim në dy sense të alternuar, sidomos në akset rrugore:
Orikum-Vlorë,
Levan – Fier,
Gjiri i Lëlëzit – Maminas,
Velipojë – Shkodër;
Lezhë – Fushë Krujë.
Ndërkohë që për ata drejtues mjeti, të cilët në shkelje të normave të sjelljes kanë kryer “parakalimin” e kolonave të mjeteve në korsinë në sens të kundërt, shërbimi i Policisë Rrugore ka marrë masat administrative në zbatim të nenit 141 “Pozicioni i mjetit në karrexhatë”, i cili përveç masës administrative me gjobë, parashikon dhe pezullim të lejedrejtimit për një periudhë kohe 2-4 muaj.
Dua të informoj se mjete të uniformuara me simbolet e policisë dhe mjete jo të uniformuara të Policisë së Shtetit kanë qarkulluar “në kolonë me mjetet e tjera” në segmentet turistike me ngarkesë të madhe trafiku dhe kanë evidentuar këtë kategori drejtuesish mjeti në shkelje të hapur të normave të sjelljes, duke i transmetuar targat e mjeteve “kundravajtëse” shërbimeve të tjera të policise, të cilat kanë bërë ndalimin dhe ndëshkimin e kundravajtësve sipas dispozitës sipërpërmendur.
Vetëm për tre ditët e fundjavës shërbimi i Policisë Rrugore ka ndëshkuar për këtë shkelje rreth 73 drejtues mjeti.
Shërbimi i Policisë Rrugore gjatë javës që shkoi monitoroi dhe mbikqyri dy aktivitete të rëndësishme me pjesëmarrje masive të njerëzve dhe të drejtuesve të mjeteve:
“Festa e Birrës në Korçë” – edicioni i 12-të dhe
“Logu i Bjeshkëve” në Vermosh;
Konstatojme se në të dy aktivitetet falë një bashkëpunimi midis forcave të Policisë dhe drejtuesve të mjeteve pa harruar ndihmën e mediave, nuk u shënua asnjë aksident dhe asnjë incident rrugor, duke konsideruar se në të dy festat prania e përdorimit të pijeve alkoolike ka qenë e pranishme;
Aksioni i Policisë Rrugore këtë javë do të jetë kontrolli ndaj drejtuesve të mjeteve me dy rrota për mospërdorim të kaskove mbrojtëse; evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve që përdorin aparatet celularë gjatë drejtimit të mjeteve, tejkalimet e shpejtësisë, dhe respektimi i këmbësorëve nga drejtuesit e mjeteve në qendrat urbane;
Dimension themelor do të vijojë të mbetet për shërbimin e Policisë Rrugore, ndihma automobilistike dhe këshillimi i drejtuesve të mjeteve.
Shërbimi i Policisë Rrugore kërkon vëmendjen e drejtuesve të mjeteve kamionë të cilët duhet të respektojnë kërkesat dhe kufizimet e vendosura në Udhëzimin e përbashkët të dy ministrave, Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Energjitikës dhe Infrastrukturës “Mbi kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave përgjatë sezonit turistik dhe festive”.
Nga ana tjetër vazhdoj të ftoj çdo qytetar dhe drejtues mjeti të denoncojnë në numrin falas 112 dhe në aplikacionin “Komisariati Digital” duke dërguar imazhe dhe foto mbi shkeljet që ndeshin në akset rrugore, si parakalime të gabuara, shpejtësi tej normave etj, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe profesional nga ana e Policisë së Shtetit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/