Petrit Vasili: Rama pjesë e atyre që veprojnë kundër interesave të Kosovës

Petrit Vasili: Rama pjesë e atyre që veprojnë kundër interesave të Kosovës

156
0
Shares

Kreu i Grupit Parlamentar i LSI-ë, Petrit Vasili, ka komentuar gjatë ditës së sotme, idenë e një ndryshimi kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për Report tv, Vasili, e ka cilësuar këtë ide mjaft të rrezikshme. Ndërsa ka theksuar se pjesë e atyre që punojnë dhe veprojnë kundër interesave të Kosovës, është edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Intervista e plotë:

Së pari z.Vasili dua të ndalemi te çështja e Kosovës, Presidenti Thaçi ka hedhur një tezë për korrigjimin e kufijve që ai e ka cilësuar, nuk bëhet fjalë për ndarje, shkëmbim territoresh por korrigjim kufijsh. Si e shikoni ju personalisht apo dhe si forcë politike?

Së pari kjo çështje vendoset në kuadrin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra sfondi ku është vendosur kjo çështje është ai atje. Po i marr në mënyrë shumë të thjeshtë dhe divulgative në mënyrë që dhe opinioni i gjerë publik të na ndjek, të na kuptojë dhe të jetë më i qartë lidhur me gjithë këtë zhurmë të madhe edhe mediatike po pse jo dhe politike. Ky dialog është dialog shumë i rëndësishëm. Një dialog i cili për asnjë arsye nuk duhet  dhe nuk mund të ndalet. Pasi raporti Kosovë-Serbi është delikat, një raport që afekton jo vetëm marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy shteteve  por ka dhe reflektimet e tij më të gjëra në rajon. Përsa i takon korrigjimit të kufijve, me ça lexoj sot dhe nga politikanë të një niveli shumë të lartë botëror, ky është një eufemizëm pa kuptim, korrigjim i kufijve, bëhet fjalë për ndryshim kufijsh dhe kjo është shumë e qartë. Në rastin konkret. Një tezë e tillë, është shumë e rrezikshme, rreziqet e të cilës janë kaq të gjera saqë janë dhe vështirë të matshme. Por e qartë është që rreziku është i dimensioneve dhe të pakontrolluara. Në fund të fundit meqë pika e lidhjes së bisedës sonë ishte pikërisht dialogu Serbi Kosovë, ky dialog ka një bazë, ka një fondament mbi të cilin duhet të ndërtohet. Disa elemente të rëndësishme të palëvizshme siç është integriteti territorial, bashkëjetesa mes etnive dhe përjashtimi dhe vendosja e dialogut në nivelin e barazisë, që do të thoshte njohje reciproke të njëri-tjetrit, janë premisa pa të cilat ky dialog nuk mund të ndërtohet. Pasi sot kërkohet dialog midis dy vendeve të cilët kanë një problem shumë të madh mes njëri-tjetrit, jo për shkak të Kosovës por për shkak të Serbisë. Pra duhet të dialogojë Serbia me një shtet të cilin ajo nuk e njeh. Në rast se një shtet nuk e njeh tjetrin çfarë mund të diskutojnë për elementet e tyre. Edhe kjo tezë që thashë është shumë e rrezikshme, është një tezë pa sens e cila krijon komplikacione shumë të rënda për të ardhmen e  Kosovës, por njëherazi devijon dhe gjithë aksin ku Kosova ka hyrë.Pse them devijon aksin dhe pse them ky fondamend nuk duhet të lëvizi. Në momentin mbi këto elemente, paritet në tavolinë, respektim i minoriteteve, pakicave etnike të jetë në standardin më të lartë europian, gjë që Kosova ka bërë të pamundurën për ta realizuar dhe integriteti territorial, janë një themel mbi të cilat mund të flitet. Ku mund të flitet më qartë për autonomi më të gjera vendore, për tolerancë më të madhe në kuptimin jo vetëm administrativ, fetar etj. Mjaft elemente të konsakruar më së miri në pakon e Ahtisarit. Dhe të gjitha këto në një botë globale e cila nënkupton gjithmonë bashkëjetesën dhe jo përjashtimin, kufizimin, krijimin e zonave etnikisht të pastra,elementet e të bërit politikë e cila ka mbetur prapa pasi krijimi i këtyre zonave gjithmonë kanë mbjell dhe kanë bërë të ketë shpërthim luftrash. Pra në një botë globale ku ecet drejt integrimit europian, rikthimi në funksion të axhendave të paqarta dhe që nuk janë të karakterit ndërkombëtar, por më tepër janë të karakterit të ngushtë taktik të ditës apo dhe të problemeve të tjera të axhendave të cilat ngjajnë më shumë si sipërmarrje personal.

Si mund ta quani ju, si një ide të Presidentit Thaçi apo?

Për momentin kemi këtë gjë, ditë për ditë po zbardhen elemente të reja. Jam tronditur shumë vërtet pak minuta para se të vija te ju kur lexova një intervistë të rëndësishme të z.Karl Bilt, politikan i dimensionit botëror, administrues i Bosnjes kohë më parë, i cili përsa i përket shkëmbimit të kufijve, e ndante  dhe kryeministri Rama në një bisedë që kishte pasur me të, pra që kryeministri i Shqipërisë, e mbështeste…

Nuk ka reaguar nuk ka thënë gjë..

Është një heshtje fajtore pasi sot këto gjëra duhet ti kishte bërë publike dhe këto gjëra shumë të rënda ne i marrim vesh nëpërmjet intervistës që z.Bilt kishte dhënë për Ëashington Post. Si mundet kryeministri shqiptar, përfaqësues i Shqipërisë i cili ka qenë në vijë të parë në betejën që Kosova të jetë e pavarur, të jetë pro axhendave të tilla të cilat janë kundër integrimit europian, atlantik, kundër të gjitha interesave të shqiptarëve dhe kundër të ardhmes së Kosovës. Ne si shqiptar të jemi të ftoftë, unë si shqiptar jam i interesuar vetëm për të ardhmen e Kosovës.Integritetin e saj dhe dhënien e shembullit që Kosova ka pasur shumë të drejta historike prej qindra vjetësh që ta kishte këtë mëvetësi, pavarësi dhe prandaj ajo po ecën në rrugë të mirë. Dhe nuk duhet të ndodhte kurrën e kurrës një shpërqëndrim me një axhendë të tillë në këtë moment kur Kosova në 18 korrik ka marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave. Pra e gjithë vëmendja e Kosovës, përqëndrimi i Kuvendit të Kosovës, i qeverisë së Kosovës dhe i Presidentit të Kosovës duhet të ishte përqëndruar pikërisht në atë që duhet bërë që ky rekomandim të kthehet në një vendim përfundimtar. Ne kemi pasur eksperiencë në Shqipëri se çfarë arritje madhore është që të nxjerrësh një vend nga izolimi. Praktikisht kosovarët janë të izoluar sot Dhe në moment politika kosovare mund të ndërtonte axhenda speciale, të përgatiste paketat e ligjeve, gjithçka që do ky proces kaq i komplikuar kaq jetik, në këtë moment kthehemi në një politikë shumë të vjetër e cila vetëm i mbars konfliktet,  shpërqëndron vëmendjen nga ky që është një problem madhor pasi liberalizimi është hapi i parë për të ecur në integrimin europian. Pra dua të them edhe teza edhe koha janë në funksion të axhendave jo të qarta dhe me hije të zeza mbi vete.

Çfarë mund të themi, duhet të kishte pasur një reagim nga politika në Shqipëri, përveç akuzave me –ish-kryeministrin  Berisha?

Problemi është i tillë. Përsa i takon forcës politike që unë përfaqësoj, sigurisht unë nuk kam detyrime që të flas për politikën shqiptare  në tërësi në sensin konkret. Ju e dini që ne kemi pasur një sërë komunikimesh të vazhdueshme dhe të përditshme. Të cilat të përgjithësuara dhe të përmbledhura janë pikërisht ai qëndrim që unë po diskutoja dhe me ju këtu. Pra ky ka qenë pozicion i  vazhdueshëm. Unë kam mbajtur të qartë qëndrim publik që shina themelore është pako e Ahtisarit, integriteti territorial dhe bashkëjetesa etnike, janë të panegociushme, të padiskutueshme. Bota globaliste që sot jetojmë integrojnë komunitetet, nuk i ndan, nuk i fragmenton, nuk i izolon. Pra kemi qenë shumë të qartë në këtë pozicionim tonin. Kam parë sigurisht  dhe qëndrimin e z. Berisha, qëndrim pozitiv.

Si i komentoni akuzat me z.Thaçi?

Nuk merrem me akuzat. Çështjet që z.Berisha ka ngritur, kanë qenë çështje me një rëndësi të madhe. Kanë qenë në sinkron me qëndrimin që partnerët euroatlantik mbajnë. Pra kanë qenë qëndrime që demonstrojnë prekupacion për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës. Nervozizmat dhe pjesa emocionale që nuk janë thelbi i çështjes. Por qëndrimi themelor dhe esenca e këti qëndrimi politik do jetë vetëm kaq dhe shumë i thjeshtë. Integrimi europian dhe integriteti i Kosovës, qoftë ai territorial, administrativ, kushtetues dhe plotësimi me gjithë institucionet e tjera, kjo është e vetmja e ardhme e Kosovës. Çdo manovër politike që kthen politikat e vjetra, kthen në ballkanin e vjetër të cilin  e kemi lënë pas. Ballkani i ish-jugosllavisë ka ikur. Sot është një Ballkan i ri, i Kroacisë, Sllovenisë, Malit të zi, me një dimension europian ku secili shtet ka aspiratë europën. Dhe një Ballkan i cili rikthehet mbrapsht dhe një Serbi që do të jetë ajo që ka qenë përpara viteve 90, janë gjëra që nuk mund të ndodhin kurrë. As nuk mund të ketë më një Serbi që ka qenë. Është një shtet në Ballkan i cili ka aspiratat e veta  për integrimin europian. Dhe në këtë garë do jetë një garuse sikurse shtetet e tjera. As imponuese, as kërcënuese dhe as rrëmbyese asgjëje. Ideja e Serbisë së madhe dhe ish-Jugosllavisë ka vdekur dhe nuk ngjallet më.

Dhe brenda Kosovës ka përplasje. Kryeministri Haradinaj e keni dëgjuar që ka thënë kufijtë janë vendosur me luftë dhe a mund të sjellë destabilitet  në Ballkan?

Problemi qëndron këtu, ju pyetët qëparë se çformë ka nisma e Presidentit. Nisma e Presidentit është e dukshme, apo debati që ka hapur është një debat i izoluar tek ai. Pasi z.Kadri Veseli figurë themelore ka qenë shumë i qartë për këtë çështje. Z.Haradinaj që përfaqëson praktikisht qeverinë e Kosovës, të gjithë grupet politike kuvendore dhe gjithë opinioni publik, në këtë rast është një situatë shumë e qartë. Presidenti është këtu dhe i vetëm dhe gjithë politika kosovare është në krahun tjetër. Dhe pikërisht për këtë arsye ka mjaft elemente të paqarta që rrinë jo në dritë. Sot p.sh të vërtetat që z.Bilt ka në intervistën e tij ishin vërtetë tronditëse por dhe konstatimet madhore që ai jepte, pra mos hapja e një kutie pandore dhe mos rikthimi në Ballkanin sërish në një fuçi baruti, pasi Ballkani fuçi baruti ka qenë një sfidë e madhe  për ta lënë pas, Ballkani që integrohet në Europë dhe në Alenacat  Euroatlantike, ky është Ballkani i ri. Çdo tendencë për rikthim në Ballkanin e Vjetër sigurisht do plotësonte orekset e ndonjë shteti të caktuar dhe do ushqente shovinizmat e të shkuarës por nuk do i jepte të ardhme rajonit.

Lëmë pas këtë diskutim, ndalojmë pak tek problematika në vend dhe tek sistemi i Drejtësisë, tek procesi i vetingut. Duket sikur ka përfunduar një fazë e parë, por unë dua të ndalem z. Vasili së pari përpara se t`ju pyes ju se si e konsideroni këtë proces. ONM-ja, pra ndërkombëtarët kanë ankimuar vendimet për 6 gjyqtarë dhe prokurorë. 6 subjekte që janë konfirmuar në detyrë. Si e shikoni këtë kërkesë le të themi deri në këto momente?

Është besoj një ditë jo e mirë për vetingun. Nuk është ndonjë surprizë për dy arsye të mëdha. Është edhe tregues negativ për të, por edhe paradoksal për atë që mbrojti reformën. Së pari, ishte imagjinuar, presupozuar dhe ndërtuar në mënyrë të tillë që komisioni që bënte vetingun dhe ONM-ja të ishin në një radhë, pra të gjithë së bashku punonin për të realizuar një proces sa më të mirë. Prania e ONM-së rriste integritetin, pasi objektiviteti i tyre do të ndalte komisionet e vlerësimit, që ata mos të shtyheshin në gabime apo atakime. Po ç`na ka ndodhur? Ka ndodhur gjëja më paradoksale në botë. Do ishte plotësisht normale që subjektet të ankoheshin nga vetingu, pra ta atakonin vetingun, se është një proces përballjeje, pasi i gjithë ky trup vetingu do ishte bashkë, por kur kërkimi për rrëzimin e vendimit vjen nga Operacionet ndërkombëtare të Monitorimit, që është garantuesi i integritetit të procesit, prandaj ONM e kemi pjesë të kushtetutës në mënyrën më të veçantë në botë, do të thotë që këtu ka një gjë të madhe që nuk shkon. Çfarë nuk shkon? Nuk shkon që në shumë raste aplikohet në dy standarde. Për të njëjtën faj po themi, ju dënoheni, unë jo. Ky nuk është më veting dhe ky thelbi i parimshmërisë absolute dhe pastërtisë së vetingut ka rënë. Vetingu u ndërtua si një mekanizmë atipik kushtetues. Madje, Komisioni i Venecias ka pasur rezerva për vetingun. Vetingu thoshte qartë që mund të krijonte tensione në gjyqësor, boshllëqe, përplasje dhe një seri problemesh. Por iu futëm të gjithë së bashku asaj rruge se do krijonim një trup të paanshëm, i cili do garantonte pastrimin e sistemit. Kur ky mban qendrime me dy standarde, të cilët atakohet nga vetë ndërkombëtarët, tani çfarë komentesh të tjera mund të bëjë unë? Kjo do të thotë që ka edhe një gjë shumë të çuditshme. Njeriu që bërtet më shumë nga të gjithë për vetingun dhe është i lumtur që vetingu funksionon mirë, çuditërisht është Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Kryeministri i Shqipërisë sot nuk ka pse flet. As unë nuk kam pse flas, pasi bëhet fjalë për një pushtet të pavarur, që i dhamë të gjitha atributet kushtetuese që donte me gjithë ndryshimet përkatëse dhe me një paketë të madhe ligjesh që ai të funksiononte. Çfarë ka Kryeministri që ka dalë, ku vetingu zhvillohet në fushë dhe ai është në tribunë, bërtet dhe thërret? Të rrinte dhe të priste ftohtë siç duhet. Është një pushtet që nuk e qeveris ai. Është një pushtet që është i pavarur nga ai. Republika jonë është e ndërtuar mbi pushtetin legjislativ, gjyqësor dhe pushtet ekzekutiv. Ky përfaqëson një pushtet të caktuar. Çka me këtë pushtet? I gjithë investimi që bëmë ishte që ky të ishte i pavarur, nuk kishte nevojë as për duartrokitjet dhe as për sharjet e politikës. Pra, të funksiononte dhe të shkëputej.

Duket sikur këtë e kanë ata që kundërshtuan vetingun dhe janë rezultatet…

Jo, nuk ka. Kjo është dëshira dhe pasioni sa herë që shikon se diçka është kapur mirë nga duart e tij dhe po funksionon sipas kapjes që i ka vënë vetingu, ai gëzon.

Vetingu është proces i kapur?

Tani më thoni, a mund të ankohej ONM-ja? Unë po bëj pyetje retorike. Funksioni i vetingut dhe ONM-ja ku edhe ju e keni parë, janë në një radhë, qëndrojnë së bashku. Janë aktorë për të siguruar integritetin e vetingut. Por, ama ka një problem të fundit që do thosha. Kam qenë i shqetësuar shumë për statusin dhe raportin e ONM-së në organet e vetingut shqiptar dhe qeverinë shqiptare. Ndaj, kur kam qenë ministër i Shëndetësisë kam kërkuar me shumë forcë dhe me shkrim, BE-së dhe komisioneve këtu në Tiranë, për të definuar dhe përcaktuar qartë raportet ndërmjet Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Vetingut. Pra, që të mos krijonte as të çara e as boshllëqe që vetingu të funksiononte siç duhet. Në ato kohë, dëgjova vetëm përgjigje partizane qoftë të ish ambasadores këtu, por edhe drejtoreshës Kalavero, ku me të vërtetë kam qenë i shqetësuar. Këto shqetësime ia kam paraqitur edhe komsionit të Hahn gjerë e gjatë për këtë çështje, ku nuk u morën parasysh. Madje, ne shpesh në shumë raste dhe nga mediat e sponsorizuara na shtrohej pyetja: A e do reformën apo nuk e do? Unë e kam shpjeguar qartë. Nuk është çështje dashurie reforma, por saktësie dhe korrektese kushtetuese. Sot, ne kemi pozicionin më anormal në botë dhe e mbyll këtu. ONM-ja apelon vendimet e KPK-së. Ky është një turp, ku kjo nuk duhet të ndodhte dhe unë prandaj kam insistuar që kjo mos të ndodhte. Pra, çdo të keqeje t`i dilnim përpara dhe një vendim që do dilte nga Komisioni i vetingut, të ishte solid dhe i pa atakuar. Pala që ishte përballë mund të kishte të drejtën e saj, por kurrë nuk mund të ndodhte çarja në këtë trup unik. Pra, kjo çarje tregon fare qartë që gjithçka që ishte, nguti presion të jashtëzakonshëm në vend dhe ndërkombëtar, ku prodhuan një proces i cili çalon, lëkundet dhe është i tronditur.

Në shtator pritet lufta politike e zakonshme. Nuk e di se si do jetë ky shtator ndryshe nga të tjerët ose nga se u mbyll viti. Cili do të jetë aksioni opozitar?

Duhet ta kuptoni që nuk është se në shtator fillon një betejë politike, një luftë apo një përplasje. Në shtator është një ndarje e qartë dhe pa asnjë kompromis me çështje të mëdha, të cilat i mbolli ky vit i parë i dështuar i qeverisjes së këtij vendi, ku prodhoi mjaft korrupsion, destabilitet ekonomik shumë të rëndë, hajdutëri shtetërore siç janë koncesionet pafund që jepen dhe vazhdojnë të jepen. Ju keni parë që kilometri i rrugës nëpër koncesione ka arritur të jetë 8 apo 10-fish më i lartë. Pra, një hajdutëri e shfrenuar e pandalshme. Probleme të tilla të atakimit të të gjitha pushteteve siç qe rasti i ligjt për teatrin, i cili rrëzoi pushtetin lokal, prodhoi ligje speciale si në `45, ligji i tatimit të jashtëzakonshëm që u rrëmbente të pasurve paratë. Pra, ka një rikthim në një `mos-shtet` dhe në një destabilitet ekonomik me pasoja shumë të rrezikshme. Shqipëria ka hyrë në një kolaps ekonomik, politik dhe shoqëror. Të gjitha këto presin një përgjigje shumë të fortë. Nuk mund të vijnë nga qeveria, por është detyra e opozitës që të luftojë deri në fund, pa asnjë kompromis për kthimin në normalitet dhe për të shpëtuar shtetin ligjor dhe Reformën në Drejtësi. Siç e shikoni, ne jemi në një moment ku të gjitha pushteteve u është këputur koka.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY