Zbulimet e rralla në Berat, pritet të ndryshojnë historinë e qytetit

Zbulimet e rralla në Berat, pritet të ndryshojnë historinë e qytetit

339
0
Shares

Puna restauruese dhe konservuese në Qendrën Mesjetare Islamike – e cila ndodhet brenda Qendrës Historike të qytetit të Beratit, ka nxjerrë në dritë një mozaik që i përket shek.V-VI si dhe shumë gjetje të tjera arkeologjike, të cilat pritet të ndryshojnë rrjedhën historike të qytetit.

Në Qendrën Mesjetare Islamike që ndodhet shumë pranë qendrës së qytetit të një mbi një dritareve, prej një muaji punohet në dy objekte kulti, një xhami dhe një teqe. Xhamia Mbret, objekt i trashëgimisë kulturore i kategorisë së parë dhe “Teqeja e Halvetive” që gëzon të njëjtin status, janë në restaurim e sipër.

Punonjësit që po kryejnë punimet i ndërpresin ato herë pas here, pasi restuaurimet po nxjerrin në dritë shumë zbulime të reja arkeologjike, të cilat po japin dëshmi të rëndësishme rreth zanafillës së jetës jashtë mureve rrethuese të qytetit antik.

Temperaturat mjaft të nxehta të fillimit të gushtit nuk e kanë ulur ritmin e punës nga punonjësit që po kryejnë dranazhimin e mureve në godinën e xhamisë dhe teqesë.  Ata i ndërpresin punimet vetëm në çastet kur kazmat apo lopatat hasin nën tokë diçka të pazakontë dhe menjëherë njoftojnë specalistët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare.

“Ja këtu rreth murit të jashtëm, në pjesën jugore të xhamisë u zbulua skeleti njerëzor dhe një zbukurim me ngjyra, mozaik”, tha një prej punëtorëv për BIRN, i cili nuk e fsheh krenararinë që ka asistuar në një zbulim të rëndësishëm.

Dritan Çoku specialist arkeolog pranë DRKK-së Berat ka një muaj që po punon me zbulimet pranë objekteve që po restaurohen. Arkeologu ka ndjekur proçesin e konstatimit, gërmimit të shpëtimit, ka përgatitur raportet për çdo rast dhe tashmë është në pritje të vendimit që do të merret nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë.

Sipas tij nuk ka gëzim dhe emocione më të madh për një arkeolog se sa kur zbulon gjetje të reja arkeologjike. Prej ditësh puna e tij fokusohet rreth mureve të dy objekteve që po restaurohen, kryesisht tek “Xhamia Mbret”. Zona ku janë konstatuar gjetjet është shenjuar, zbulimet janë mbuluar dhe punimet restauruese vazhdojnë në pjesën tjetër të xhamisë për mos cënuar gjetjet.

Arkeologu, pasi ka bërë vëzhgimin në terren në mënyrë sistematike, ka dokumentuar nëpërmjet fotografimit, skicimit dhe matjeve, gjetjet arkeologjike të zbuluara, ka realizuar një katalog duke e përfshirë në raportin paraprak dhe në mënyrë zytare i ka përciell në Agjensinë e Shërbimit Arekologjik si dhe për djeni Institutit të Monumenteve të Kulturës. I kujdesshëm mos ti shpëtoj asnjë detaj Çoku shpjegon gjithçka nga zbulimi pa arritur që të fsheh entuziazmin e tij.

“Berati, prezantohet edhe një herë në kërkimin shkencor nëpërmjet gjetjeve të reja dhe këtë herë me gjetje mjaft të rëndësishme, por të zbuluara në mënyrë rastësore,” tha ai.
Çoku shpjegoi se gjatë punimeve që po kryen, në anën e jashtme të objektit, “Xhamia Mbret”, në drejtimin jugor të saj, rreth kanaleve ku po punohej për izolimin e lagështisë së mureve, u hasën mbetje skeletore, njerëzore.

“Ishin punonjësit që gjatë punimeve i konstatuan dhe menjëherë më pas me anë të dokumentacionit përkatës u njoftua Agjensia e Shërbimit Arkeologjik dhe nëpërmjet një vendimi të Këshillit Kombëtar Arkeologjik u ndërmorën hapat e mëtejshëm siç është dokumentimi dhe më pas gërmimi i shpëtimit,” shtoi arkeologu.

Por, zbulimi i skeletit njerëzor duket se është vetëm maja e aizbergut, pasi mbetje të tjera arkeologjike janë hasur dhe që duket se do të vazhdojnë.

“Gjatë proçesit të gërmimit të shpëtimit, gjatë pastrimit të mbetjeve skeletore njerëzore, nën të, doli në pah pjesë e një mozaiku polikrom, (shumë ngjyrësh) që mendohet të ketë zbukuruar dyshemenë e një ndërtese të periudhës së antikitetit të vonë. Materialet e ndërtimit, teknika e realizimit të mozaikut, si dhe elementë të tjerë sugjerojnë, se ky mozaik zbukuron dyshemenë e një vepre ndërtimore ndoshta të shek. V-VI,” tha Çoku”.
Mozaiku deri më tani është zbuluar në një sipërfaqe prej një metër e gjysëm katror, ndodhej rreth 77 cm nën kuotën e nivelit të oborrit, është me tre ngjyra, gur ngjyrë gri, të bardhë dhe e kuqe e tullës.

Akualisht sipërfaqja e gërmuar nuk lejon për të ofruar të dhëna më të plota dhe përfundimtare rreth datimit dhe cilës vepre ndërtimore i përketë, sipas arkeologut.
Sipas Çokut ky mozaik i periudhës së antikitetit të vonë, ndoshta i shekullit të V-VI,  e pasuron më shumë historikun e qytetit me shtrirjen e tij jashtë mureve të kalasë.
“Sipas burimeve të shkruara dhe studimeve të deritanishme jeta jashtë mureve të kalasë është përmendur në shekullin e XIII, ndërkohë që mozaiku i zbuluar së fundmi na sygjeron qartë se jetë ka pasur që në shekullin e V-VI, por ndoshta dhe më hershëm ndaj dhe zbulimi i tij është kaq i rëndësishëm,” shpjegoi Çoku.

E ndërsa i gjithë dokumentacioni i detajuar rreth zbulimit është dërguar në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë dhe pritet vendimi për vlerësimin e kësaj sipërfaqje të një rëndësie të veçantë, sipas specialistëve mozaiku shtrihet edhe më tej vijës së zbuluar, ndërkohë që zbulimi i tij nuk është i vetmi.

“Po në këtë zonë, gjatë punimeve të dranazhimit nën thelemet  e “Teqesë së Halvetive” është zbuluar një mur gjysëm rrethor, i cili sugjeron për praninë ndoshta të një varri apo të diçkaje tjetër që mund të ketë lidhje me fazën e hershme ndërtimore të objektit,” tha arkeologu Çoku.  I  dokumenuar edhe ky zbulim është dërguar pranë Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

Këto gjetje të reja arkeologjike pritet të sjellin fakte të reja rreth jetës së qytetit të Beratit, të cilat do të ndikojnë në shtimin e numrit të vizitorëve rreth zonës së Qendrës Mesjetare dhe Qendrës Historike.

Aktualishtë janë tre objekte kulti, dy xhami dhe një teqe, të cilat po restaurohen fal një bashkëpunim mes TIKA (Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim) dhe Ministrisë së Kulturës.

Projekti i restaurimit e ka zanafillën e tij disa vite më parë, ku pas miratimit të projekteve me specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës u mundësua që me financimin e TIKA këtë vit të fillojmë punimet në restaurimet në tre objekte shumë të rëndësishme për vlerat që ato mbartin, monumentale, historike, arkitektonike, të pasyruara në “Xhaminë Mbret”, “Xhaminë e Beqarëve” dhe “Teqenë e Halvetive” .

“Punimet janë në një fazë paraprake, nuk është se kemi avancuar shumë rreth restaurimit të strukturës së mureve dhe pjesës së interierit, kjo për arsye sepse ne jemi duke u treguar shumë të kujdesshëm për zbulimet,” tha drejtori i DRKK-së Eugen Kallfani

“Fillimisht po kryen sondazhe, ashtu siç mund ta shihni dhe ju në faqen jugore të “Xhamisë Mbret” janë bërë sondazhe, të cilat mund të na japin indicje dhe fakte të reja dhe sëbashku me profesorë dhe akademik dhe restaurator të nivelit shumë të lartë qoftë vendas ashtu dhe të huaj ne jemi duke bashkëpunuar ngushtësisht për të gjitha zbulimet,” shtoi ai.

Sipas specialistëve faktet e reja që po dalin në dritë, do të jenë një risi dhe një mundësi e mirë për pjesën e trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit, por në tërësi edhe për turizmin dhe zhvillimin e tij.

“Këtu nuk po restaurohen thjeshtë monumente, por këtu nga sondazhet që vijojnë çdo ditë dalin në dritë gjetje arkieologjike shumë intersante që në një të ardhme jo shumë të largët do ta transferojnë gjithë zonën e kompleksit mesjetar në një mini-park arkeologjik, i cili do të jetë i vizitueshëm nga turistët,” tha Kallfani.

Me mjaft interes i shikon këto gjetje të reja areologjike për zhvillimin e turizmit në Berat dhe Ajet Nallbani, një emër i njohur në fushën e trashëgimisë kulturore në këtë qytet, ish drejtor i Monumenteve të Kulturës.

“Sigurisht që çdo monument është vlerë e shtruar dhe e pasuron fondin e trashëgims kulturore dhe si rezultat i shërben dhe zhvillimit të mëtjeshëm të turizmit,” tha ai. /Birn

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY