Taksa e shtëpisë shtohet në faturën e dritave, sa do të ndikojë...

Taksa e shtëpisë shtohet në faturën e dritave, sa do të ndikojë pagesa dhe kush përjashtohet?

210
0
Shares

Bashkive u preket autonomia, edhe pse OSHEE është një agjent i mirë për të mbledhur taksën.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, sqaron efektet e draftit të ri të qeverisë, që cakton OSHEE si agjent për mbledhjen e taksës së re të pronave. Haxhimali nënvizon se do të duhej që çdo bashki të përcaktonte vetë se kush do e mblidhte taksën, si vendim pjesë e autonomisë vendore.

Sikundër do të ishin po bashkitë që do vendosnin edhe përqindjen që do merrte agjenti për këtë shërbim. Haxhimal, nënvizon 10 kategoritë që nuk do paguajnë taksë shtëpie në të gjithë vendin, ku pensionistët kryefamiljarë, janë pjesë dërrmuese e atyre që përjashtohen. Në intervistë ai flet edhe për mënyrën e llogaritjes së taksës, për pjesën nga 1 prilli kur hyri në fuqi metodologjia e re, deri më 1 janar kur taksa do të mblidhet nga OSHEE.

Intervistë me drejtorin Agron Haxhimali

A janë dakord bashkitë që të bëhet OSHEE, agjent për mbledhjen e taksës dhe jo ujësjellësit?

Po, Ne jemi shprehur që në krye të herës, kur filluan diskutimet mbi këtë çështje, që bashkitë duhet ta marrin këtë përgjegjësi me të gjithë risqet, sfidat dhe vështirësitë. Pse e thamë dhe e kërkuam këtë te qeveria dhe ligjvënësit?
Ka disa arsye, së pari, parimore, që lidhen me parimet e decentralizimit dhe dhënien e përgjegjësive për çështje vendore, nivelit vendor të qeverisjes, pra, bashkive. Së dyti, pas reformës territoriale, ku vetë qeveria propagandoi me forcë që janë krijuar bashki si institucione të fuqishme që do të performojnë më mirë në tërë dimensionet, si në sigurimin e shërbimeve publike edhe në mbledhjen e taksave dhe tarifave, tani qeveria s’beson te ato që ka thënë vetë. Së treti, fakti që qeveria cakton si agjent një agjenci të saj, pra, agjenci qendrore, kjo mund të ketë disa rreziqe si: do krijohet de jure dhe de fakto përsëri një varësi e bashkive nga pushteti qendror, eksperiencat e viteve më parë kur është aplikuar kjo skemë nuk kanë qenë të suksesshme, roli i bashkive do zbehet dhe vetë bashkitë do “dembelosen” sadopak dhe thjesht do presin nga performanca e OSHEE-së, ndërkohë duhet që pushteti vendor të ketë rol proaktiv dhe aktiv në çështje fiskale, në tërë hapat që lidhen me to.
Shqetësim tjetër, lidhur me agjentin OSHEE, është dhe fakti se kjo nuk na siguron vazhdimësi dhe qëndrueshmëri. Pse? Në rastin e mundshëm që ky operator do të privatizohet, askush nuk garanton që operatori i ri privat do të ketë qëllim në vetvete taksën e banesës, përkundrejt interesit për të mbledhur produktin që shet vetë. Pra, për të thënë thjesht – nëse një qytetar paguan shërbimin e OSHEE-së dhe nuk paguan taksën e banesës, OSHEE do t’i ndërpresë shërbimin e saj? Veç këtyre argumenteve me sipër, ajo që mbetet përsëri shqetësim është dhe fakti që qeveria nuk ka shfaqur vizion të qartë në këtë reformim të sistemit të taksimit të pasurisë. Pasi brenda vitit ka bërë disa ligje dhe ndryshuar disa tjera, çka kanë shkaktuar konfuzion juridik, institucional dhe administrativ. Qeveria duhet të bënte ligjin kuadër dhe aktet e tjera nënligjore si një paketë e tërë e plotë dhe të caktonte afate zbatimi, jo në mes të vitit siç ndodhi, por në fillim të vitit kalendarik dhe buxhetor.
Kjo shkakton problem, pasi bashkitë, veç asaj të Tiranës, kanë filluar zbatimin e taksës sipas metodologjisë së re. Tani që ato kanë filluar të operojnë, edhe pse me kushte të vështira lidhur me mungesën e bazës së të dhënave mbi pronat, tani qeveria hedh një hap tjetër. Nëse do kishte vizonin e duhur do ta kishte qartësuar me ligj që në fillim edhe caktimin e agjentit. Por ndërkohë që ndaj kritika për mënyrën si punoi qeveria për këtë reformë të taksës së pasurisë dhe ndaj rolit të OSHEE-së, dua të theksoj anën potencialisht pozitiv të këtij agjenti. Kjo lidhet me bazën sasiore të të dhënave, pra, numrin e poseduesve bazuar në kontratat e energjisë, si dhe shtrirjen tokësore të OSHEE-së dhe tjetra që lidhet me masat shtrënguese dhe fuqinë ekzekutive të mbledhjes se kësaj takse, duke sanksionuar ndërprerje të energjisë.”

A jeni dakord me komisionin 4 për qind?

Lidhur me masën e komisionit 4%, dua të them se dhe për këtë ka pikëpyetje. Së pari, Ministria e Financave duhet të bëjë transparencë pse është kjo shifër? Çfarë të dhënash ka, dhe çfarë pritshmërish ka? Pse ka dalë me këtë shifër, etj., etj.. Por fjala e fundit u takon vetë bashkive, për të thënë janë dakord me 4% apo jo. Ndryshe duhet të ngrenë zërin dhe t’i drejtohen qeverisë. Nga këndvështrimi im si ekspert i qeverisjes vendore, do thosha për VKM-në që të linte të lirë dhe në dorë të secilës bashki edhe agjentin, edhe përqindjen e komisionit. Pra, të ishin këshillat bashkiakë dhe kryetari që të negocionit me agjentin mbi %. Kjo do kishte një vlerë e shtuar sepse vë përpara përgjegjësive bashkiakët lidhur me komunitet e tyre për çështje fiskale dhe sociale dhe tjetra në varësi me natyrën dhe vështirësive të çdo bashkie përcaktohen përqindja dhe agjenti. Pra, bashkia duhet të bëjë në funksion të kësaj situate një studim fizibiliteti për të përcaktuar interesin e saj ne përputhje me politika dhe kohezionin lokal.”

Taksa ka hyrë në fuqi më 1 prill, por ndërkohë që mbledhja e saj është shtyrë për 1 janar 2019. Kjo kohë, nga prilli në janar, që qytetarët po paguajnë taksën e vjetër, do falet? Apo do rillogaritet në faturat e reja të dritave?

Edhe kjo pyetje, që shtrohet me të drejtë, tregon faktin sa konfuzion sjellin ligjet e paplota me akte dhe nënakte, pasi ligji duhet të jetë i plotë juridikisht dhe i qartë administrativisht. Ligji ka përcaktuar qartë që taksa e pasurisë do të paguhet nga qytetari shqiptar bazuar në metodologjinë e re, pra, bazuar në vlerë, duke filluar nga 1 prilli 2018. Draftvendimi për të cilin po flasim, sanksionon përgjegjësinë e agjentit të ri OSHEE, që fillon efektet më 1 janar 2019. Por taksa për vitin 2018 do paguhet nga qytetari kështu: për muajt janar–shkurt–mars 2018 do ta paguajë taksën bazuar në sipërfaqe. Pra, me metodologjinë e vjetër. Për periudhën 1 prill 2018 që ka hyrë në fuqi VKM-ja me metodologjinë e re, bazuar në vlerë, qytetari do ta paguajë në bashki ose Ujësjellës këtë taksë në vlerën 0.05% me diskrecionin që ka vendosu Këshilli Bashkiak.”

A i kanë gati bashkitë të dhënat e pasurisë për familjet dhe bizneset?

Bashkitë gjatë kësaj periudhe kanë bërë një punë shumë të mirë, duke mbledhur të dhëna dhe njoftuar qytetarët për metodologjinë e re. Sigurisht, në kushte shumë të vështira të mospasjes së të dhënave për një pjesë të mirë të pasurive, por ajo që duhet nënvizuar është: Bashkitë, korrektësisht, zbatuan ligjin, ngritën strukturat vendore duke komunikuar dhe njoftuan qytetarët. Periudha që mbetet, 6-mujore për këtë vit do të shërbejë për të azhurnuar mirë të dhënat dhe për t’i integruar ato me të dhënat që OSHEE posedon.”

Cilat janë kategoritë që nuk do paguajnë, apo do përjashtohen nga taksa e re?

Në këtë pikë, duhet t’i referohemi ligjit dhe vendimit përkatës. Sipas legjislacionit, janë 10 kategori që përjashtohen nga taksa e banesës. Përjashtohen nga taksa mbi ndërtesat:

1) pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse;

2) pasuritë në pronësi të shtetit, të kaluara me vendim të Këshillit të Ministrave, nën administrimin e shoqërive publike shtetërore;

3) ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara;

4) banesat sociale në pronësi të bashkive;

5) pasuritë e paluajtshme ndërtesa, pronë e subjekteve juridike ose fizike, që në bazë të marrëveshjeve me bashkitë përdoren nga këto të fundit si banesa sociale;

6) ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre;

7) strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”;

8) ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që përfitojnë pension pleqërie ose pension social, që janë me banim në fshat ose qytet, kur familja përbëhet vetëm nga pensionistët;

9) ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike;

10) ndërtesat kulturore, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, për kohën në të cilën deklarohet mbrojtja, sipas legjislacionit në fuqi për monumentet e kulturës dhe/ose trashëgiminë kulturore”./Panorama

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY