Radhë kilometrike në Merdare, deri në dhjetë orë pritje

Radhë kilometrike në Merdare, deri në dhjetë orë pritje

126
0
Shares

Gjatë ditës së sotme kolona të gjata, diku tri kilometra janë krijuar në pikën kufitare me Serbinë, në Merdare.

Pritjet e bashkatdhetarëve për të dalë nga Kosova vazhdojnë të jenë 8 deri në 10 orë, ndërsa për të hyrë në Kosovë pritjet janë prej 3 orë e gjysmë.

Udhëtarët, të moshave të ndryshme ishin të lodhur dhe të mllefosur me pritjet e gjatë, të cilët mendojnë se këto pritje nuk janë normale dhe sipas tyre në asnjë shtet tjetër nuk ndodhë kështu.

Përparim Pajazitaj, i cili udhëtonte me familje për në Gjermani, kërkoi nga mërgimtarët që mos të vijnë asnjë herë me vetura në Kosovë, sepse këto pritje prej 10 orësh sipas tij nuk janë normale.

“Kjo çka po ndodhë këtu nuk është normale, kjo është katastrofë, që dhjetë orë jemi duke pritë, kurrfarë qarkullimi, veç me të gërdit mos me ardhur më kurrë me veturë në vend tanin, mos me mundur me ardhur, kjo nuk është normale. Ju kisha, thënë çdo mërgimtar mos të nisën me veturë, më mirë, sepse kjo është katastrofë. Që dhjetë orë jemi duke udhëtuar dhe i kemi edhe dy mijë kilometra, nuk mërzitet kush”, ka thënë Pajazitaj.

Letafetë Osdautaj u shpreh e brengosur që nuk do të arrijë me kohë në punë të hënën në Gjermani, tha se me këto pritje gati 8 orë në kolonë janë të lodhur dhe të maltretuar.

“Prej orës 06:00 jemi këtu. Jemi ngushtë në veturë, familjarë, të gjithë të lodhur. Të hënën kemi me dalë në punë, s’di a kemi me mbërri. Kjo është katastrofë për neve. Ishalla bëhet mirë”, ka thënë Osdautaj.

Ndërsa, Shefki Zeka i cili ishte duke udhëtuar me familje për në Zvicër, tha për KosovaPress se ka pritur tetë orë në kolonë dhe i bie pishman pse po vjen në Kosovë, sepse sipas tij, po maltretohen çdo herë në pikën kufitare në Merdarë.

“Dy kilometra, tetë orë kemi pritë , kjo është maltretim. Çdo herë kështu e kemi njësoj, s’di pse po vij, ku po vijmë. Po na gënjejnë, s’ka pritje, dy orë, një orë, qe shihe, një gjysmë ore dy vetura”, ka thënë Zeka.

Ndërkaq, bashkatdhetarët të cilët sot kanë pritur gjatë për të hyrë në Kosovë, fajësojnë autoritetet kosovare, veçmas kompanitë e sigurimit për vonesë.

Blerim Zymeri, i cili kishte ardhur nga Gjermania, ka thënë se tri orë e gjysmë kanë pritur në kufi, dhe beson se fajtorë për këto pritje kanë qenë pala shqiptare, për sigurim të veturës.

“Për 300 metra (lëvizje) na ra tri orë e gjysmë. Nuk e kuptova se ku ishte problemi, ma mori mendja se te tonët (për sigurime), sepse serbi vetëm vozitë na ka thënë. Ne të maltretuar çdo vit, dy herë në vit ne jemi të maltretuar, nuk është hera e parë, por për çdo vit, të gjithë”, ka thënë Zymeri.

Edhe Hajdin Grulaj, i cili vinte nga diaspora, tha se ka pritur gjatë në kolonë, dhe këtë ai e quan maltretim.

“Këtu tri orë jemi duke pritur në kolona, maltretim duke pritur për dokumente nga pala serbe. Maltretim boll, duke pritur, nxehtë, po e shihni edhe vet”, ka thënë Grulaj.

Edhe bashkatdhetarë të tjerë janë shprehur të mllefosur për pritjet e gjata në kufi.

Policia sipas zëdhënësit Daut Hoxha e ka planin e veçante për menaxhimin e fluksit gjate sezonit në kufijtë e saj, mirëpo sipas tij, një bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve me agjencitë e kontrollit kufitarë të shteteve fqinje, që në disa raste kjo po mungon, siç është rast në kufirin me Serbinë.

“Ka shtim të resurseve në pikat e kalimit të kufirit, si dhe të pajisjeve. Në të gjitha pikat e kalimit të kufirit, ka resurse të mjaftueshme që mundëson një kontroll efikas, të shpejtë dhe të sigurt. Menaxhimi i kontrollit kufitar është një proces i cili kërkon një bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve te gjitha agjencive te përfshira në kontrollin kufitar, si dhe një bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve me agjencitë e kontrollit kufitarë të shteteve fqinje, që në disa raste kjo po mungon, siç është rast në kufirin me Serbinë”, ka thënë zëdhënësi Hoxha./telegrafi/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY